Aksidenti

Një fuoristradë policie “i ka zënë pritë” trenit të linjës Durrës-Tiranë. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, në segmentin hekurudhor të Gërdecit, kur automjeti i Policisë së Shtetit i ka zënë udhën trenit të linjës dhe për pasojë është tërhequr zvarrë për disa metra. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se mjeti i transportit hekurudhor ka ndeshur papritur me makinën e policisë dhe makinisti nuk ka mundur të frenojë në moment, por vetëm disa metra më tutje. Në momentin e ngjarjes, në automjet udhëtonin tre policë, të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime. Të njëjtat burime pohojnë se sapo treni ka frenuar, drejt makinistit është drejtuar një prej uniformave blu, i cili ka kërkuar llogari pse nuk ka frenuar në kohë mjetin e tonazhit të rëndë. Mes drejtuesve ka nisur sherri dhe policët kanë kërkuar ndërhyrjen e ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Transporteve për të përcaktuar “fajin”. Por derisa në vendin e ngjarjes të mbërrinin ekspertët, pasagjerët që udhëtonin në orët e vona të mbrëmjes janë detyruar të presin në mes të rrugës, ose të udhëtonin me mjete të rastit drejt kryeqytetit.








#