Edhe Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit e ka refuzuar kërkesën e Trepçës që ndeshjen ndaj Vëllaznimit ta regjistrojë me rezultatin e arritur në fushë (0:0) e jo 0:3 për gjakovarët. Kjo ka bërë që ‘Xehetarët’ ta mendojnë shumë seriozisht tërheqjen nga Superliga, të cilën e quajnë ‘ligë të kurdisur’.

Pas Komisionit të Garave dhe atij për ankesa të shkallës së dytë, edhe Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) e ka refuzuar kërkesën e Trepçës.

Këta të fundit kishin kërkuar që ndeshja e saj ndaj Vëllaznimit të regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë (0:0) e jo 0:3 për gjakovarët, siç ishte regjistruar nga Komisioni i Garave pas një gabimit teknik që kishin bërë ‘xehetarët’.

Kjo ka bërë që drejtuesit e ish kampionit të Kosovës të mendojnë shumë seriozisht tërheqjen nga Superliga, duke hedh një varg akuzash ndaj organit më të lartë të shtëpisë së futbollit.

“Do t’i shohim mundësitë për t’u ankuar sërish. Është një vendim shumë i padrejtë dhe i paargumentuar. Nuk e di në çka janë bazuar. Komiteti Ekzekutiv në vend se t’i përmirësojë gabimet e komisioneve tjera, ai vetë gabon”, tha sekretari i Trepçës, Hajrullah Haxhiu, për Express.

“Si kryesi e klubit do ta shqyrtojmë mundësinë e tërheqjes nga garat, sepse unë nuk shoh arsye të luajmë në një ligë të tillë, në të cilën gjithçka montohet me të filluar garat, duke u ditur kush do të bëhet kampion e kush do të bie nga liga”, theksoi ai.

Pas 28 xhirove të zhvilluara, Trepça zë vendin e dhjetë në tabelë me vetëm 28 pikë të tubuara.

Vendimi i FFK’së e fut Hysin në garë për titull

Edhe pse Komisioni i Garave ndeshjen e tensionuar mes Gjilanit e Hysit e kishte regjistruar me rezultatin e arritur në fushë (1:1) – gjë që ishte vërtetuar edhe nga Shkalla e Dytë – Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e ka hedhur poshtë atë vendim, duke e aprovuar kërkesën e Hysit që ai takim të regjistrohet me rezultat zyrtar 0:3 në favor të bardhezinjve.

Sipas Komitetit Ekzekutiv, Komisioni i Garave dhe Shkalla e Dytë nuk i kanë administruar mirë provat, në bazë të të cilave e kishte refuzuar kërkesën e llapjanëve.

“Ndonëse pikët nga kjo ndeshje nuk kanë rëndësi për asnjërën skuadër, Komiteti Ekzekutiv mendon se dhuna që është shfaqur në këtë ndeshje dhe dënimet e shqiptuara si dhe me këtë vendim Komiteti Ekzekutiv ka dalë në mbrojte të ligjshmërisë dhe vënies së drejtësisë në vend me qëllim të parandalimit të dukurive të tilla në futbollin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Kjo nuk është pritur mirë nga gjilanasit, të cilëve gjithashtu Komiteti Ekzekutiv ua ka refuzuar kërkesën për zbutjen e dënimit prej pesë ndeshjeve larg stadiumit të vet dhe pa praninë e publikut.

“Dënimet ndaj nesh janë shumë të rënda. Por, për hapat e mëtutjeshëm do të vendosë kryesia. Por, unë jam për atë që të vazhdojmë, sepse edhe Liga e Parë është e Kosovës”, tha zyrtari i lartë i Gjilanit, Abdullah Syla.

Me këto tri pikë, Hysi është futur seriozisht në luftë për titull, pasi tani ka vetëm gjashtë pikë më pak sesa lideri Prishtina – pesë xhiro pa përfunduar kampionati.

20 mijë euro shpërblim për kampionin

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka marrë vendim që kampioni i ri i Kosovës të shpërblehet me 20 mijë euro, kurse nënkampioni me 10 mijë euro, derisa vendit të tretë do t’i takojnë 10 mijë.

Këto para kanë prejardhje nga shitja e të drejtave televizive. Ndërkohë, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka vendosur që ndeshja finale e Kupës së Kosovës të zhvillohet më 7 qershor në Prishtinë.