28/03/2009  Ligji shfaqet i dobët përballë zhdukjes masive të sistemit pyjor


Vetëm gjatë 2007-s u dogjën mbi 100 mijë ha, zyrtarisht u deklaruan vetëm 5 mijë hektarë


Ruajtja dhe pasurimi i mëtejshëm i sistemit pyjor në vendin tonë po vë gjithnjë e më shumë në pah diferencat, mangësitë dhe paaftësinë e strukturave qendrore dhe vendore për të reaguar kundrejt kërcënimit për zhdukjen e masës gjelbër, alarm ky që trumbetohet me të madhe nga specialistët e mbrojtjes së ambientit, por që hidhet poshtë nga strukturat kombëtare menaxhuese të sistemit pyjor.


Humbjet


Me qindra hektarë pyje zhduken çdo vit, kjo jo vetëm prej shkaqeve natyrore (apo dhe zjarreve të vëna me dashje), por edhe nga trafikimi abuziv që i bëhet lëndës drusore, për të mos folur më tej për nevojat që vetë banorët duhet të plotësojnë për jetesën e tyre duke zhdukur vazhdimisht fondin pyjor, praktikë kjo që merr më shumë se dyfishin e asaj që realisht është e lejueshme për t’u shfrytëzuar. Por situata bëhet edhe më e rëndë, pasi jemi koshientë se gëzojmë vetëm një të pestën e sistemit pyjor që kishim dikur, por fatkeqësisht kjo sipërfaqe nuk është e tëra pyll i lartë, madje as i mbrojtur. Në përbërje të saj ka me shumicë tokë të lënë djerrë dhe sipërfaqe e destinuar për erozion. Konkretisht: më shumë se 700 mijë hektarë konsiderohen tokë e lënë djerrë, ndërsa 150 mijë hektarë e më shumë e destinuar për erozion. Duke na treguar se sa të ekspozuar ndaj rrezikut jemi, e jo vetëm ne, por dhe bota e kafshëve. Janë shtetet fqinje ato që nxitin marrjen e lëndëve drusore nga ne për të ruajtur dhe mbrojtur me fanatizëm pasurinë dhe thesarin e tyre jetësor të gjelbër. Situatë kjo që e ka detyruar vendin tonë që nevojat për lëndë drusore t’i plotësojë nëpërmjet prerjeve të paligjshme abuzive, të ndihmuara këto dhe nga mungesa e veprimit të ligjit.


Raportimet zyrtare


Burimet zyrtare të Ministrisë së Mjedisit pohojnë se duke iu referuar përshpejtimit të reformave të ndërmarra mbi politikat mjedisore është bërë e mundur ulja e sasisë së lëndës drusore që shfrytëzohet në rang kombëtar. Kreu i Drejtorisë së Politikave Pyjore në këtë institucion Nehat Çollaku shprehet se situata, ndonëse nuk është aty ku realisht duhet të jetë (dhe për këtë kërkon koordinimin e të gjitha strukturave përgjegjëse si në nivel qendror, ashtu dhe lokal), të paktën është arritur pakësimi i prerjeve të fondit pyjor, veçanërisht ato që cilësohen ndryshe si prerje të lejuara. "Po t’i referohemi situatës së shfrytëzimeve të fondit pyjor, gjatë vitit 2004 vendi ynë humbiste nga prerjet e lejuara rreth 360 mijë metër kub lëndë drusore. Në dy vjetët e fundit kjo shifër ka pësuar rënie të konsiderueshme me tri herë më pak, duke arritur në sasinë e shfrytëzimit të 110 mijë metër kub, gjithmonë kjo për në zonat ku lejohen prerjet", - shprehet Çollaku. Njëkohësisht shtohet se prerjet e paligjshme janë ende problematike, duke qenë se pjesa dërrmuese e tyre mbeten të paevidentuara (pavarësisht se herë pas here pohohet se merren masa ndëshkimore ndaj subjekteve të caktuara). Përkundrejt kësaj situate specialisti i problemeve mjedisore Sazan Guri pohon se "nëse më parë ndodhte që pyjet priteshin për interesa të shumë njerëzve dhe zhvillimit të industrive, sot realiteti të ofron një pamje krejt tjetër: prerjen e pyjeve në interes të përfitimit të pak njerëzve, çka tregon më së miri se dhe mjedisi ynë është shndërruar në një botë të egër biznesi dhe shfrytëzimi pa kriter”.


Të rrezikuarit nga shfrytëzimet


Veriu i Shqipërisë, që mbart edhe pasurinë më të madhe të kurorës së gjelbër, është zona më e shfrytëzuar për trafikimin e lëndës drusore. Lura, që për vite të tëra është cilësuar si perla e bukurisë shqiptare, sot të ofron një pamje krejt të varfër e të lodhur, ku majat e larta janë zëvendësuar nga drurë të vegjël e bimësi e ulët, pasi kurorat e bukura janë prerë për lëndë drusore e tashmë janë shndërruar në mobilie moderne, ose në variantin më të keq dru zjarri. Analog i këtij rasti është edhe gjelbërimi i dikurshëm në Fushë-Krujë, ku janë zhdukur me qindra hektarë pyje, për t’ia lënë vend ndërtimit të fabrikave të çimentos. Këto të fundit s’kanë bërë asgjë tjetër veçse kanë shtuar pluhurin e bardhë helmues në tërë qytezën, duke kërcënuar shëndetin e banorëve të zonës, që bashkëjetojnë çdo ditë me grimcat helmuese. Konkretisht vetëm për ngritjen e dy fabrikave janë shpyllëzuar 135.7 hektarë tokë, ndërsa sot kjo shifër mendohet të jetë disa herë më e lartë. E njëjta gjendje raportohet edhe për Jugun e Shqipërisë.


Rizëvendësimi i humbjeve


Realiteti i përmendur më lart kundërshtohet nga ana e Ministrisë së Mjedisit, e cila vazhdimisht pohon se “kemi shtuar sipërfaqen e gjelbër dhe asaj të mbrojtur”. Bazuar në të dhënat e mbledhura nga ky institucion, raportohet se gjatë vitit të shkuar është arritur mbjellja e 1 milion fidanëve të rinj, ndërkohë që dhe ministri Lufter Xhuveli ka deklaruar se po kaq do të mbillen edhe gjatë 2009-s. Në lidhje me pyetjen se ku janë kryer këto pyllëzime, burimet zyrtare të këtij institucioni pohojnë se zonat që gjatë verës humben një sasi të madhe të fondit pyjor kanë qenë dhe targeti kryesor i fushatës së pyllëzimit. Fushatë e cila zhvillohet për tre muaj rresht dhe konsiston veçanërisht në sensibilizimin e banorëve për rëndësinë jetike që ka ruajtja e sistemit pyjor. Gjatë hapjes së kësaj fushate në dhjetor të vitit të shkuar ministri Xhuveli ka deklaruar se "do të investohen mbi 180 milion lekë për realizimin e kësaj veprimtarie, ku do të mbillen mbi 1 milion fidanë e po kaq janë mbjellë”. Ndërkohë këto të fundit ende nuk dihet se ku janë.


Raportohet eksport në rritje i lëndës drusore


Të dhënat rreth sasisë së lëndës drusore që eksportohet në vit mund të vërtetohen edhe nga Drejtoria e Doganave. "Statistikat vjetore të raportuara nga ky institucion flasin për një situate krejt të ndryshme nga ajo çfarë pretendohet. Me kalimin e viteve ka shënuar rritje sasia e eksporteve të lëndës drusore dhe rënie sasia e importeve. "Gjatë vitit 2007 eksporti i lëndës drusore dhe artikujve të tjerë drusorë llogaritje në 29.015 tonë , ndërsa më 2008-n kjo shifër pësori rritje, duke arritur në 38.185 tonë. Nga ana tjetër, importet po gjatë të njëjtës periudhë kohore kanë lëvizur nga 141.282 tonë në 137.803 tonë, çka do të thotë se kanë pësuar rënie", - raportohet prej drejtorisë së doganave. Kjo sasi rezulton të jetë disa herë më e madhe se ajo që pritet në vit me leje, këtu pa llogaritur se nga popullsia në vit përdoret për ngrohje një sasi shumë e madhe lëndë drusore, e cila nuk pasqyrohet në asnjë të dhënë apo statistikë të Ministrisë së Mjedisit (ministri që ka një faqe uebsajti, por që nuk apdetohet më shumë se dy herë në vit).


Pacientë të katastrofës së gjelbër


Shfarosja masive që po i bëhet masës së gjelbër ndikon direkt mbi shëndetin tonë, për shkak se ekspozohemi kundrejt një sërë sëmundjesh me pasoja fatale për jetën dhe kategoritë më të rrezikuara kundrejt këtij fenomeni janë të vegjlit dhe të moshuarit. “Nëse pret një pemë, s’ka kush ta kapë këtë Co2, i cili shtohet më tej dhe nga veprimtaria urbane. Si shkak i këtyre ndërveprimeve rezultojnë rreth 4 mijë kancere të shtuara në vit, çdo vit zbulohen rreth 400 gra mbartëse të kancerit të gjirit, fëmijë që lindin me defekte në zemër për 100 mijë lindje apo shtimi rasteve me diabet. Gjithashtu studimet zyrtare pohojnë me rezervë se një deri në dy vjet po shkurtohet jetëgjatësia e popullatës shqiptare për shkak të ndotjes së lartë, por unë me plot gojën mund të them se jetesa mund të shkurtohet 5 deri në 10 vjet, po të vijojë ky ritëm. Në studimet tona del se shqiptarët në moshën 45–50-vjeçare e lart, edhe nëse nuk kërcënohen nga vdekja, kthehen domosdoshmërish pacientë, duke i vënë përpara shtetit një kosto shumë të lartë që duhet për trajtimin e këtyre sëmundjeve”, - pohon Guri.