12/03/2010 Kryeministri Sali Berisha prezanton projektin e Qafë-Kërrabës: Ky s’është i vetmi


ELBASAN- Kryeministri Berisha i ndjekur nga ministrat Olldashi e Basha si dhe deputetët e Elbasanit ka bërë prezantimin në teatrin “Skampa” të projektit teknik për autostradën që do të shkurtojë distancën Elbasan-Tiranë nga 48 në 31 km dhe do të ketë një shpejtësi 100/120 km në orë.


Projekti


Prezantimi është bërë nga ministri Olldashi, i cili ka përshkruar segmentin Tiranë-Lundër-Mullet-Bradashesh. Ai ka theksuar se ky segment i shkurtër është edhe me një kosto më të madhe, por me një përfitim ekonomik të madh. Autostrada Tiranë-Elbasan, me gjatësi 31 kilometra, është segmenti i parë i boshtit të jugut. Autostrada do jetë me 4 korsi, do të ketë dy tunele përkatësisht 2.3 dhe 2.1 kilometra, 7 mbikalime, 4 nënkalime, 3 kryqëzime dhe shpejtësi lëvizjeje 110 km/orë. Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij e ka quajtur trajektoren e shkurtër të projektit si një rrugë me rëndësi kapitale jo vetëm për zhvillimin e Elbasanit, por të Shqipërisë në tërësi. Ai deklaroi se ky segment është i pari i Boshtit të Jugut që do të vazhdojë në Berat e më pas në Tepelenë. “Autostrada Tiranë-Elbasan, e zgjedhur në trajektoren më të shkurtër të saj, ka një rëndësi kapitale për zhvillimin dhe fuqizimin e ekonomik jo vetëm të Elbasanit, por të vendit në tërësi. Kjo autostradë e shndërron Elbasanin në qytetin më të afërt, ose pothuaj në një pjesë integrale të metropolit shqiptar, Tiranës. Kjo autostradë realizon një ëndërr të kahershme të qytetarëve të Elbasanit për të arritur Tiranën duke çarë malet dhe, faktikisht, kjo do të ndodhë gjatë këtyre dy viteve që vijnë. Kjo autostradë shkurton ose u kursen së paku 40 minuta kohë jo vetëm qytetarëve të Elbasanit, por edhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë juglindore dhe jugore, sepse me ndërtimin e Boshtit të Jugut, segmenti i parë i të cilës është autostrada Tiranë-Elbasan, rruga kryesore drejt kryeqytetit për qytetarët e Sarandës, Konispolit, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Skraparit, Beratit, Gramshit do të jetë kjo autostradë. Po e tillë do të jetë ajo për Kolonjën, Korçën, Pogradecin, Librazhdin. Kjo autostradë është vërtet një vepër e kushtueshme dhe ka të ngjarë të jetë më e kushtueshmja që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, por ka edhe impaktin absolut pozitiv për të gjithë Shqipërinë juglindore dhe jugore. Shumë shpjet, në një hark kohor shumë të shkurtër, ne do të shkojnë në Berat. Kam kënaqësinë t’ju informoj se kemi përfunduar edhe projektin e Boshtit të Jugut, Berat-Tepelenë, 40 kilometra, gjysmë ore nga Memaliaj në Berat. Një projekt ky tmerrësisht i kushtueshëm, me dy tunele, me ura po kaq problematike. Por ne nuk tërhiqemi, do të ndërtojmë tunele sigurisht këtu në Qafë-Kërrabë, në malet midis Beratit dhe Tepelenës, në Kardhiq, në Qafë-Plloçë, në Qafë të Murrizit dhe kudo”, tha Berisha.


Deklaratat


Krizë, pësuam vetëm tronditje


Ekonomia pësoi një tronditje, por jo krizë, absolutisht. Fjala krizë në ekonomi ka një përcaktim. Çdo ekonomist e di se kush quhet krizë në ekonomi. Nuk ka krizë me rritje ekonomike. Kurrë. Por a pësoi tronditje? Pësoi, sepse ra tregu në Kinë, në Indi, në Evropë, kudo. Po tani që u ngjit tregu, mund të pyesni. Rreth 102 për qind është rritja e eksporteve në muajt janar dhe shkurt.


Berisha u ndal edhe tek investimet që do të ndërmerren me ndihmën e vendeve që mbështesin zhvillimin e Shqipërisë si Japonia e Gjermania. “Qytetarët nuk e dinë se vetëm qeveria japoneze ka një paketë mbi 200 milionë euro për rrugë, ujësjellës, kanalizime dhe të tjera. Ne na besojnë. Po kështu pjesa e tunelit, duhet t’ju them se është investim, është kredi e butë pothuajse falas e Emirateve të Bashkua Arabe. Qeveria gjermane, pas vizitës në Gjermani, Kancelarja Angela Merkel dyfishoi ndihmat për Shqipërinë. Ajo më tha: “Të kemi ndihmuar, por shumë më tepër do të ndihmojmë. Dhe mbrapa erdhi dyfishimi i ndihmave. Pra, projektet i kemi, paratë i kemi, fjalët do t’i mbajmë, ëndrrat do t’i shndërrojmë në realitet”. Kryeministri është ndalur edhe tek shkurtimi i shpenzimeve për administratën duke nisur edhe nga vetë ministrat. Madje duke qeshur ai tha se kompjuterët e ministrave në qeveri kursejnë letrën e shumtë që harxhohej më parë. Ai deklaroi se qeveria e tij do të jetë një qeveri elektronike.