Nga Express më 06 prill 2011 në ora 19:15

Shërbimet e gjertanishme tregojnë se Kosova ka përparësitë e saja në krahasim me vendet e rajonit në nuancat e theksuar për zhvillimit të turizmit malor, sidomos të turizmit dimëror dhe sportiv, ka thënë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, me rastin e hapjes të mërkurën të edicionit të tetë të Panairit të Turizmit dhe Udhëtimeve “Travel & Tourism Fair 2011”.



Ministrja Kusari-Lila ka thënë se turizmi është një mundësi e mirë për vendet e rajonit që të shfrytëzohet për një zhvillim të hovshëm ekonomik, po ashtu në mënyrë profitabile për në ruajtjen e bukurive natyrore dhe trashëgimisë kulturore-historike.



Sipas saj, shërbimet e gjertanishme tregojnë se Kosova ka përparësitë e saja në krahasim me vendet e rajonit për zhvillimin e turizmit malor, sidomos të turizmit dimëror dhe sportiv.



“Sot turizmi radhitet në grupin e industrive më të zhvilluara të ekonomive botërore. Efekti pozitiv i zhvillimit të industrisë së turizmit nuk është i kufizuar vetëm në këtë sektor, por ai gjithashtu reflekton edhe në zhvillimin e sektorëve tjerë ekonomik. Shërbimet e gjertanishme tregojnë se Kosova ka përparësitë e saja në krahasim me vendet e rajonit në nuancat e theksuar për zhvillimit të turizmit malor, sidomos të turizmit dimëror dhe sportiv”, ka thënë Kusari-Lila.



Drejtori i përgjithshëm i shërbimeve mbështetëse në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Sabah Jemishta, ka paraqitur disa çështje kryesore të turizmit duke u fokusuar në dy drejtimet kryesore atë të turizmit tradicional të diellit dhe rërës, dhe turizmin kulturor.



Ai ka përkujtuar se vitin e kaluar numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri ka qenë 3.5 milionë, ose rreth 370 mijë turistë më shumë se në vitin 2009.



Sipas tij, për vizitë turistike në Shqipëri gjatë vitit 2010 numërohen 1.7 milionë shtetas të Kosovës.



“Numri i shtetasve kosovar që ka qenë në rritje nga viti në vit dhe në vitin 2010 numërohen 1.7 milion shtetas të Kosovës që kanë vizituar për arsye turistike Shqipërinë. Qeveria shqiptare në programin e saj e ka konsideruar zhvillimin e industrisë së turizmit një nga prioritetet e saj, duke synuar kthimin e vendit në një destinacion të rëndësishëm mesdhetar për vetë lëmin e madhe të atraksioneve natyrore, kulturore dhe mikpritjen e veçantë”, ka thënë Jemishta.



Kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen që i japin qytetit të Ulqinit dhe për atë që vazhdojnë ta zgjedhin këtë adresë të destinacionit për pushim.



“Tani Ulqini është pjesë e pandarë e Kosovës dhe shumë kosovarë e njohin Ulqinin më mirë se ne ulqinakët. Po me gojë i themi Kosovës faleminderit për mbështetjen që i jepni qytetit të juaj Ulqinit, për atë që vazhdoni ta zgjidhni endë më shumë këtë adresë të destinacionit për pushim për ju”, ka thënë Hajdinaga.



Ndërkohë që në emër të qeverisë së Malit të Zi, ai ka ftuar ministren Kusari-Lila që të vizitojë homologun e saj për të nënshkruar dhe vazhduar bashkëpunimin e mirë mes dy qeverive.



Travel & Tourism Fair 2011 do të shërbejë si një vendtakim i shkëlqyeshëm për promovimin e sektorit të udhëtimeve dhe turizmit në tregun kosovar dhe atë rajonal, duke kontribuar edhe në promovimin e turizmit vendës në Kosovë.



Panairi organizohet nga CEO në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Përveç ofertave të shumta për pushime jashtë vendi, në panairin e Turizmit dhe Udhëtimeve 2011 përfshihet më e pasuruar edhe oferta atraktive nga Kosova e cila pritet t’i joshë vizitorët jo vetëm nga vendi, por edhe ata nga rajoni dhe më gjerë. /kosovapress/