04/05/2010 Projekti


Krahas turistëve tradicionalë që preferojnë të kalojnë pushimet në brigjet shqiptare që janë kosovarë dhe maqedonas, këtë sezon veror Shqipëria kërkon të thithë një numër më të madh vizitorësh me prejardhje nga vendet e lindjes. Ministria e Turizmit ka në plan që këtë muaj, për herë të parë të nisë një fushatë promocionale televizive për buqetën turistike që ofron vendi ynë në shtete të tilla si Polonia, Çekia, Hungaria, Rusia, Bosnjë-Hercegovina etj. Reklama do ju bëjë apel vizitorëve lindorë të zgjedhin bregdetit shqiptar si destinacion për të kaluar pushimet verore. Sipas Klodjan Pajunit, drejtor i Turizmit dhe Kulturës, MTKRS mësohet se "reklama do të shfaqet në televizionet shqiptare, por edhe në vendet e lindjes, pasi kemi parë që vitin e kaluar të kemi një numër të madh turistësh nga këto vende". Pajuni mendon se kriza ekonomike botërore nuk do të prekë as këtë verë turizmin shqiptar, pasi sipas tij, operatorët turistikë shqiptarë do të ofrojnë çmime konkurruese me vendet e rajonit, duke tërhequr kështu më shumë turistë të huaj. Autostrada e kombit me Kosovën, si dhe një sërë rrugësh të reja që lidhin bregun e Jugut me aksin kombëtar, janë faktorë të tjerë që pritet të ndihmojnë në një bum turistik edhe gjatë këtij viti. Ndërkohë që Ministria e Turizmit po kërkon bashkëpunim me vendorët dhe Ministrinë e Mjedisit për të zgjidhur problemin e ndotjes nga mbeturinat në zonat turistike. Pavarësisht situatës ekonomike, parashikohet që edhe këtë vit Shqipëria të ketë të ardhura të kënaqshme nga sektori i turizmit.