ZIRINA LLAMBRO

Mësuesit në shkollat 9-vjeçare do të ngarkohen edhe me orë mësimore jashtë profilit. Por e gjithë kjo pa cenuar cilësinë e procesit mësimor. Ndërkaq të gjithë arsimtarët që japin orë mësimore mbi normën, do të marrin pagesë shtesë deri në 240 orë në vit. Gjithçka përcaktohet në udhëzimin e ri të Ministrisë së Arsimit, i cili tashmë ka nisur të vihet në zbatim. Në të saktësohen normat e punës për mësuesit dhe drejtuesit në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, numri minimal i nxënësve në klasa, si dhe organizimi i orëve suplementare. "Në ciklin e ulët, për efekt pagese, orët suplementare në klasat kolektive do të llogariten mbi ngarkesën javore, 24 orë, kur klasa kolektive ka mbi 10 nxënës, dhe, mbi ngarkesën javore, 26 orë, kur klasa kolektive ka nën 10 nxënës. Në ciklin e lartë, ora suplementare për mësuesit e klasave kolektive llogaritet mbi ngarkesën javore 22 orë", thuhet në udhëzim. Në të sqarohet se Pagesa e orëve suplementare bëhet sipas Vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave "Për miratimin e strukturës së pagës së punonjësve mësimorë, në arsimin parauniversitar", ku përcaktohet masa e pagesës për çdo orë mësimore mbi normën e lejuar. Normat mësimore për mësuesit do të jenë 22 orë në javë, për edukatorët 36 orë në javë. Gjithashtu është saktësuar edhe kuadri drejtues në shkolla. Struktura ka ndryshuar pasi pas një studimi të kryer rezultoi se në rang vendi ishin rreth 400 drejtorë shkollash mbi normanë. "Numri i drejtuesve në institucionet e arsimit parauniversitar është në përputhje me numrin e nxënësve që ka shkolla. Kështu do të kenë një kryemësues, kur shkolla ka deri në 50 nxënës, një drejtor kur shkolla ka 50-300 nxënës. Shkollat do të kenë një zv/drejtor kur kanë 301-700 nxënës dhe dy zv/drejtorë kur ka mbi 700 nxënës. Në shkollat fillore me 5 klasa të veçanta nuk do të ketë drejtor, por kryemësues. Ndërkaq është vendosur që të ketë një drejtor në kopshtet e fëmijëve, (të pavarura nga shkollat 9-vjeçare), me mbi 4 grupe. Në udhëzim është ulur norma mësimore për grupe mësuesish, të cilët merren me punë të veçanta.

Nxënësit në klasa, Tafaj shkel premtimin e Berishës

ZIRINA LLAMBRO

Pak muaj më parë, Kryeministri Berisha deklaroi se nuk do të ketë më shumë se 30 nxënës në klasat e arsimit parauniversitar."Qeveria po investon në mbarë Shqipërinë për shkolla moderne, me standarde evropiane, me kabinete informatike dhe me 25-30 nxënës në klasa", është shprehur saktësisht kryeministri gjatë përurimit të një shkolle 9-vjeçare. Por udhëzimi i ri i Ministrisë së Arsimit duket se nuk i përmbahet fort këtij premtimi. Madje numri minimal i nxënësve që do të ketë një klasë të jetë mbi 30 nxënës. Me gjithë premtimet e bëra për të mos lejuar më mbingarkesën, Ministria e Arsimit ka qenë e kujdesshme të mos përcaktojë sa do të jetë numri maksimal i nxënësve që do të mësojnë në një klasë. Heqja e kësaj klauzole duket se i lë dorë të lirë drejtuesve për të vijuar sërish atje ku ka fluks me stilin e vjetër 3 nxënës në një bankë, apo 50 nxënës në një klasë. Sipas udhëzimit, në kopshte grupet do të formohen me jo më pak se 25 fëmijë, "Në fshat lejohet hapja e grupeve edhe me 15 fëmijë që frekuentojnë. Në fshatra dhe zona të thella ku nuk sigurohet numri i fëmijëve, sipas normativave të mësipërme, grupi mund të hapet edhe me 10 fëmijë, që frekuentojnë", thuhet në udhëzim. Në arsimin fillor klasat formohen me jo më pak se 32 nxënës. "Në shkollat e fshatit, kur nuk plotësohet normativa e mësipërme, të punohet me klasa kolektive, në rast se nuk sigurohet përqendrimi i shkollave. Klasat kolektive punojnë me sistem 6-orësh. Numri i nxënësve për klasë është: me dy klasa kolektive deri në 25 nxënës me tri dhe pesë klasa kolektive, duke filluar nga 20 nxënës. Sa i përket gjimnazeve, klasat nuk do të kenë më pak se 35 nxënës.

UDHëZIM PëR NORMAT E PUNëS MëSIMORE Në ARSIMIN PARAUNIVERSITAR DHE STANDARDE Të LIDHURA ME TO

Në mbështetje të Nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Nenit 64 të Ligjit Nr. 7952, datë 21. 06. 1995, "Për arsimin parauniversitar ", i ndryshuar

UDHëZOJ

Duke filluar nga semestri i dytë i vitit mësimor 2009-2010, normat e punës mësimore në sistemin arsimor parauniversitar, janë si më poshtë:

I. ARSIMI PARASHKOLLOR

Drejtor kopshti / 15-24 orë në javë
Edukator kopshti / 36 orë në javë

II. ARSIMI BAZë

1. Norma mësimore, Mësues në ciklin fillor:
a. Klasa I / 23 orë në javë
b. Klasa II / 23 orë në javë
c. Klasa III / 25 orë në javë
d. Klasa IV /26 orë në javë
e. Klasa V / 26 orë në javë

2. Norma mësimore, Mësues në ciklin e lartë :
a. Mësues i gjuhës shqipe, leximit letrar / 22 orë në javë
b. Mësues i matematikës, fizikës dhe biokimisë / 22 orë në javë
c. Mësues i lëndëve të tjera / 24 orë në javë
d. Mësues në institutet e fëmijëve (me aftësi të kufizuara) / 22 orë në javë

3. Norma mësimore për drejtuesit në arsimin bazë:
a. Drejtori i shkollës me 50-300 nxënës / 12 orë në javë
b. Drejtori i shkollës me 301-700 nxënës / 8 orë në javë
c. Zv/drejtori i shkollës me 301-700 nxënës / 10 orë në javë
d. Drejtori i shkollës me mbi 700 nxënës / 6 orë në javë
e. Zv/drejtori i shkollës me mbi 700 nxënës / 10 orë në javë

4. Norma mësimore e kontrollit:
a. Drejtori i shkollës / 4 orë në javë
b. Zv/drejtori i shkollës / 6 orë në javë

5. Norma mësimore e shkollave të minoritetit
Në shkollat e minoritetit ngarkesa mësimore do të jetë sipas këtij Udhëzimi

III. ARSIMI I MESëM

1. Normat mësimore për Mësues.
a. Mësuesi / 22 orë në javë
(norma vjetore700-750 orë)
b. Mësuesi i praktikave profesionale / 33 orë në javë
(norma vjetore 1180 orë)

2. Norma mësimore për drejtuesit
a. Drejtori i shkollës me 50-300 nxënës / 12 orë në javë
b. Drejtori i shkollës me 301-700 nxënës / 8 orë në javë
c. Zv/drejtori i shkollës me 301-700 nxënës / 10 orë në javë
d. Drejtori i shkollës me mbi 700 nxënës / 4 orë në javë
e. Zv/drejtori i shkollës me mbi 700 nxënës / 8 orë në javë

3. Norma mësimore e kontrollit
a. Drejtori i shkollës / 4 orë në javë
b. Zv/drejtori i shkollës / 6 orë në javë

4. Norma të tjera
Përveç orëve të mësimit, elementet përbërëse që do të përfshihen në normën mësimore, të llogaritura me konvertim, janë si më poshtë:
a. Orë për provimet me shkrim, vjetore dhe semestrale
të klasave të korrespondencës: 4 nxënës - 1 orë mësimore
b. Orë për shoqërimin dhe drejtimin e nxënësve (klasës) në praktikat profesionale / 1.5 orë - 1 orë mësimore
c. Konsultim për sistemin e korrespondencës të
nxënësve ( klasës) / 1 orë - 1 orë mësimore
d. Mësim/shoqërim në qendrat kulturore të fëmijëve
të nxënësve (klasës/grupit) / 1 orë -1 orë mësimore
IV. NORMA Të VEçANTA

a. Mësuesit që drejton bibliotekën dhe punon me librin në shkolla, i ulet norma mësimore 3 orë në javë.
b. Mësuesit e shkollave të mesme profesionale që ngarkohen me drejtimin e bazave prodhuese të mëdha (përgjegjës i bazës prodhuese), kanë gjysmën e orëve mësimore.
c. Kryetarit të sindikatës së arsimit në një rreth, që ka numër më të madh anëtarësh, t'i ulet norma 8 deri ne 10 orë në javë. Në rastet kur sindikata ka më shumë se 1000 anëtarë, mund të punojë edhe një anëtar i kryesisë së sindikatës së rrethit me 6-8 orë mësimore në javë më pak.
d. Në shkollat e mesme veterinare, mjekëve veterinerë që drejtojnë sektorë në klinikën veterinare pranë shkollës, u ulet ngarkesa me 4 orë javore.
e. Mësuesit të shkollës 9-vjeçare, që kryen punën e sekretarit të shkollës për amzën dhe organizimin e inventarit, i ulet norma si më poshtë:
i. Në shkollat deri 300 nxënës 4 orë më pak
ii. Në shkollat me 301- 700 nxënës 6 orë më pak
f. Mësuesit të shkollës 9-vjeçare me mbi 700 nxënës, që kryen punën e sekretarit të shkollës për amzën dhe organizimin e inventarit, i ulet norma mësimore 8 orë ose mund të ketë një sekretare pa ngarkesë.
g. Për llogaritje të punonjësve mësimorë, të nevojshëm, të merret parasysh plani mësimor dhe norma mësimore javore. Në ciklin e ulët të shkollës 9-vjeçare, të llogaritet për çdo klasë, një mësues.
h. Në ciklin e ulët, për efekt pagese, orët suplementare, në klasat kolektive do të llogariten mbi ngarkesën javore, 24 orë, kur klasa kolektive ka mbi 10 nxënës, dhe, mbi ngarkesën javore, 26 orë, kur klasa kolektive, ka nën 10 nxënës. Në ciklin e lartë, ora suplementare për mësuesit e klasave kolektive, llogaritet mbi ngarkesën javore 22 orë (sipas normës mësimore javore të përcaktuar më lart).
i. Drejtorit të shkollës që zhvillon mësim në ciklin e lartë me klasat kolektive, orët suplementare, i llogariten mbi ngarkesën javore, 14 orë, dhe jo më shumë se tri orë suplementare në javë.
j. Për plotësimin e normës mësimore, mësuesi i shkollës 9-vjeçare ngarkohet edhe me orë mësimore jashtë profilit, pa cënuar cilësinë e procesit mësimor dhe kompetencën profesionale.
k. Mësuesve që, për shkak të programit mësimor, japin orë mësimore mbi normën e miratuar në paragrafet e mësipërm, u paguhen orë mbi normë, deri në 240 orë mësimore në vit.
l. Pagesa e orëve suplementare bëhet sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 194, datë 22.4.1999 "Për miratimin e strukturës së pagës së punonjësve mësimorë, në arsimin parauniversitar", të ndryshuar, ku përcaktohet masa e pagesës për çdo orë mësimore mbi normën e lejuar.
m. Mësimi i edukimit fizik zhvillohet veç për djem e veç për vajza.
n. Në shkollat 9-vjeçare e të mesme në qytet, kur klasat kanë përbërje me më pak se 10 nxënës të një gjinie, mësimi i edukimit fizik bëhet duke bashkuar grupet e dy klasave paralele. Për shkollat me një paralele, kur klasa ka përbërje me më pak se 12 nxënës të një gjine, mësimi i edukimit fizik të zhvillohet bashkë, djem e vajza.
o. Mësuesit që punojnë/zhvillojnë orë të veçanta në institucionet e arsimit parauniversitar (shkolla) dhe punojne ne institucione/biznes, si për shembull trajnerë, sportistë, inxhinierë, teknikë të lartë, mjeshtër etj, paguhen vetëm për orët e mësimit që zhvillojnë në shkolla.
V. STANDARDE PëR NUMRIN
E NXëNëSVE PëR KLASë

1. Arsimi parashkollor
a. Grupet formohen me jo më pak se 25 fëmijë që frekuentojnë;
b. Në fshat lejohet hapja e grupeve edhe me 15 fëmijë që frekuentojnë;
c. Në fshatra dhe zona të thella ku nuk sigurohet numri i fëmijëve, sipas normativave të mësipërme, grupi mund të hapet edhe me 10 fëmijë, që frekuentojnë;

2. Arsimi bazë, cikli i fillor
a. Klasat formohen me jo më pak se 32 nxënës.
b. Në shkollat e fshatit, kur nuk plotësohet normativa e mësipërme, të punohet me klasa kolektive, në rast se nuk sigurohet përqendrimi i shkollave.
c. Klasat kolektive punojne me sistem 6-orësh.
d. Numri i nxënësve për klasë është:
- me dy klasa kolektive deri në 25 nxënës
- me tri dhe pesë klasa kolektive duke filluar nga 20 nxënës

3. Arsimi bazë, cikli i lartë
a. Klasat formohen me jo më pak se 32 nxënës.
b. Kur numri i nxënësve në dy ose më shume klasa të ndryshme është deri në 25 nxënës, atëhere hapen klasat kolektive, të cilat punojnë me sistem 6-orësh (kur nuk ekziston mundësia e përqendrimit të shkollave).
c. Në klasat kolektive punohet me sistem 6-orësh.

4. Arsimi i mesëm i përgjithshëm (gjimnazet) dhe arsimi tekniko - profesional.
a. Në klasat X, XI, XII, formimi i klasës bëhet me jo më pak se 35 nxënës.
b. Klasa XIII (APT) formohet me jo më pak se 32 nxënës
c. Kur nuk realizohet numri i kërkuar i nxënësve sipas kërkesave të mësipërme, klasat hapen me propozim të Drejtorisë Arsimore dhe me miratim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

VI. KUADRI DREJTUES
Në ARSIMIN PARAUNIVERSITAR

Numri i drejtuesve në institucionet e arsimit parauniversitar është në përputhje me numrin e nxënësve që ka shkolla sipas përcaktimit të mëposhtëm:
a. Një kryemësues kur shkolla ka deri në 50 nxënës;
b. Një drejtor kur shkolla ka 50-300 nxënës;
c. Një zv/drejtor kur shkolla ka 301-700 nxënës;
d. Dy zv/drejtorë kur shkolla ka mbi 700 nxënës;
e. Në shkollat fillore me 5 klasa të vecanta nuk do të ketë drejtor, por kryemësues;
f. Një drejtor në kopshtet e fëmijëve, (të pavarura nga shkollat 9-vjeçare), me mbi 4 grupe.

VII. QENDRAT KULTURORE Të FëMIJëVE

Qendrat Kulturore të Fëmijëve funksionojnë me rrethe dhe sektorë:
1. Rrethi formohet me 15-20 fëmijë. Rrethet e instrumenteve formohen me 8-10 fëmijë.
2. Sektori formohet me jo më pak se 9 rrethe dhe caktohet 1(një) përgjegjës.
3. Sektorët e Qendrave Kulturore të Fëmijëve janë:
a. Sektori i artit;
b. Sektori i sportit;
c. Sektori tekniko-shkencor.
4. Kur sektori ka mbi 15 rrethe, ka në organikë edhe një inspektor efektiv.
5. Përgjegjësi i sektorit dhe instruktori efektiv, instruktojnë direkt 2 rrethe dhe përgjigjen për aktivitetet artistiko- kulturore të shkollave me nën 500 nxënës.
6. Qendrat Kulturore që kanë mbi 15 rrethe dhe krijojnë 1 sektor kanë Drejtor të Qendrës Kulturore të Fëmijëve. Drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve instrukton direkt një rreth dhe kontrollon gjithë aktivitetin e saj.
7. Qendrat Kulturore me deri 15 rrethe të ndryshme, që nuk krijojnë sektor, kanë Përgjegjës të Qendrës Kulturore të Fëmijëve.

VIII. DISPOZITA TE FUNDIT

Udhëzimi Nr. 12, datë 02.08.1994, shtojca Nr.21/1, datë 08.08.1998 dhe Udhëzimi Nr.36, datë 09.10.2007 shfuqizohen.
Ngarkohen për zbatimin e këtij Udhëzimi, Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Programeve të Zhvillimit, Drejtoria e Shërbimeve të Përgjithshme, Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore.
MYQEREM TAFAJ
MINISTëR