Jonida Tashi





Përcaktohet numri i lëndëve me zgjedhje ose me detyrim, mosmarrja e të cilave do t’i kalojë nxënësit e klasës së X automatikisht në provimet e vjeshtës, pasur me rrezikun për të ngelur edhe në klasë. Për këtë, Ministria e Arsimit, në fillim të muajit janar të këtij viti ka miratuar një udhëzim të posaçëm “Për zbatimin e kurrikulës së klasës X”, i cili tashmë ka hyrë në fuqi zyrtarisht. Sipas këtij udhëzimi, Ministria e Arsimit, urdhëron drejtuesit e gjimnazeve që të marrin masat e nevojshme për zgjidhjen e problemeve të dala si rezultat i zbatimit të kurrikulës së re të klasës X të gjimnazit, e cila përbëhet nga lëndë bërthamë (që janë të njëjta për të gjithë nxënësit e klasës X të gjimnazit) dhe lëndë me zgjedhje (që nuk janë lëndë të njëjta për të gjithë nxënësit e klasës së X të gjimnazit. Në udhëzimin e sipërcituar është përcaktuar edhe numri i orëve të mësimit në lëndët me zgjedhje. Kështu, në lëndët me zgjedhje të detyruar (4 orë gjithsej), në klasën X, nxënësi mund të zgjedhë lëndë të avancuar edhe gjuhën e huaj të dytë. Po ashtu, nxënësi në klasën X mund të zgjedhë 2 orë lëndë të detyruara dhe 2 orë lëndë me zgjedhje të lirë. Sipas udhëzimit, nxënësi në klasën X mund të zgjedhë 3 orë lëndë me zgjedhje të detyruar dhe 1 orë lëndë me zgjedhje të lirë.

Mbetja në klasë

Nxënësi i klasës së X do të kalojë në provimet e vjeshtës, kur është mbetës në një deri në dy lëndë bërthamë ose është mbetës në lëndët me zgjedhje. Ndërsa në klasë nxënësi do të mbes kur: në përfundim të vitit shkollor është mbetës në tri lëndë bërthamë; nuk paraqitet në provimet e vjeshtës për një lëndë bërthamë; është mbetës në provimet e vjeshtës në një lëndë bërthamë; nxënësi që nuk i nënshtrohet provimit të vjeshtës në një lëndë/modul me zgjedhje, ose mbetet në të, e kalon klasën, por nuk i fiton kreditet përkatëse; nxënësi, që është mbetës në provimin e vjeshtës në një lëndë/modul me zgjedhje ka të drejtë t’i nënshtrohet përsëri provimit në vitin pasues; nëse lënda/moduli vijon edhe në klasën pasuese, nxënësi nuk ka të drejtë që të ndjekë atë lëndë/modul; kur nxënësi është kalues në lëndë/modul me zgjedhje, i fiton kreditet përkatëse të klasës X që përmban plani mësimor i gjimnazit; nëse nxënësi është kalues në të gjitha lëndët bërthamë dhe nuk ka plotësuar sasinë e mjaftueshme të krediteve që përmban plani mësimor i gjimnazit, nuk futet në provimet e Maturës Shtetërore.

Lëndët me zgjedhje

Nxënësit e klasave të nënta në të gjithë vendin, duke filluar që nga ky vit shkollor, do të përzgjedhin lëndët që duan të mësojnë në gjimnaz. Për t’i paraprirë kalimit të këtyre nxënësve në vitin e parë të shkollës së mesme, që përkon me klasën X, Instituti i Kurrikulave dhe Trajnimeve (IKT), pranë Ministrisë së Arsimit ka përcaktuar procedurën se si do të bëhet përzgjedhja e lëndëve me zgjedhje. Sipas IKT-së, në vitin shkollor 2009-2010, ata që dëshirojnë të shkojnë në gjimnaz, do të kenë mundësi që, përveç lëndëve që janë të detyruara dhe të njëjta për të gjithë nxënësit, të mësojnë edhe disa lëndë të tjera, të cilat mund t’i zgjedhin në përputhje me interesat, dëshirat, pasionet dhe aftësitë e tyre. Lëndët me zgjedhje synojnë të zgjerojnë mundësitë e nxënësve për studime të mëtejshme në jetë dhe për në tregun e punës. Në klasën X, secilit prej nxënësve, nga shkolla, duhet t’i mundësohet të mësojë një lëndë, të zgjedhur nga lista e lëndëve me zgjedhje. Mundësia e zgjedhjes së lëndëve me zgjedhje do të fillojë që në klasën X dhe do të vijojë, duke u shtuar, përgjatë tri viteve të gjimnazit (disa lëndë mund të zhvillohen vetëm në një vit shkollor). Deri më tani, specialistët e IKT-së, kanë përcaktuar vetëm pesë lëndë me zgjedhje të detyruar, për vitin e parë të gjimnazit që janë: Gjuhë e huaj e dytë (Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht, Spanjisht); Letërsi e avancuar; Matematikë e avancuar; Trashëgimia jonë kulturore; TIK i avancuar. Ndonëse janë pesë gjuhë të huaja si lëndë me zgjedhje të detyruar, nxënësit nuk kanë të drejtë që të zgjedhin më shumë se një gjuhë të huaj të dytë. Konkretisht, nëse zgjidhni një gjuhë të huaj si preferencë të parë, ju nuk mund të zgjidhni edhe një lëndë tjetër në radhën e preferencës së parë.



Riprovimet dhe mbetja në klasë

Dhënia e provimeve të vjeshtës kur:

nxënësi është mbetës në një deri në dy lëndë bërthamë;

nxënësi është mbetës në lëndët/modulet me zgjedhje.

Mbetja e nxënësve në klasë kur:

në përfundim të vitit shkollor është mbetës në tri lëndë bërthamë;

nuk paraqitet në provimet e vjeshtës për një lëndë bërthamë;

është mbetës në provimet e vjeshtës në një lëndë bërthamë; nxënësi që nuk i nënshtrohet provimit të vjeshtës në një lëndë/modul me zgjedhje, ose mbetet në të, e kalon klasën, por nuk i fiton kreditet përkatëse;

nxënësi, që është mbetës në provimin e vjeshtës në një lëndë/modul me zgjedhje ka të drejtë t’i nënshtrohet përsëri provimit në vitin pasues;

nëse lënda/moduli vijon edhe në klasën pasuese, nxënësi nuk ka të drejtë që të ndjekë atë lëndë/modul;

kur nxënësi është kalues në lëndë/modul me zgjedhje, i fiton kreditet përkatëse të klasës X që përmban plani mësimor i gjimnazit;

nëse nxënësi është kalues në të gjitha lëndët bërthamë dhe nuk ka plotësuar sasinë e mjaftueshme të krediteve që përmban plani mësimor i gjimnazit, nuk futet në provimet e Maturës Shtetërore.



Përzgjedhja e lëndëve me zgjedhje do të bëhet me formular

Përzgjedhja e lëndëve me zgjedhje do të bëhet nëpërmjet një formulari të posaçëm, që është quajtur Formulari 1. Në këtë formular, nxënësit janë të detyruar të bëjnë zgjedhjet e tyre, duke i renditur ato nga zgjedhja e parë (më e preferuara) deri tek e pesta (më pak e preferuara). Për shembull, nëse si zgjedhja juaj e parë është “Matematika e avancuar”, atëherë, në Formularin 1, ju do vendosni një shenjë (X ose V) në kutinë që ndodhet në kolonën e Matematikës, në radhën ku shkruhet “Zgjedhja e parë”. Më pas vazhdoni me zgjedhje e tjera. Formulari 1, do të plotësohet së bashku me prindin. Formulari i firmosur nga prindi ose kujdestari juaj do t’i dorëzohet mësuesit kujdestar. Shkolla do të shqyrtojë më pas preferencat tuaja për lëndët me zgjedhje për t’i plotësuar ato sa më mirë. Shkolla do të shqyrtojë gjithashtu edhe mundësitë e saj për secilën lëndë, duke u bazuar në: numrin e domosdoshëm të nxënësve për të hapur një klasë; praninë e mësuesve të kualifikuar për lëndët e përzgjedhura në shkollë, për

shembull, mundësinë për mësues të gjuhës panjolle ose gjermane; ekzistencën e mjediseve për klasa.





Si do të plotësohen regjistrat e klasës X

Në regjistrin e klasës X, i cili duhet të ruhet për 8 vjet, do të pasqyrohen të gjitha të dhënat sipas rubrikave që përmban ai (notat e nxënësve në lëndët bërthamë dhe lëndët me zgjedhje, mungesat e nxënësve në të gjitha lëndët, temat e zhvilluara për çdo orë mësimi, gjeneralitetet e nxënësve etj.). Të gjitha plotësimet në Amzë duhet të bëhen në mbështetje të të dhënave që përmbajnë rubrikat e regjistrit të klasës. Regjistri i klasës do të përdoret dhe për klasat që janë formuar nga nxënës të përzier të paraleleve të klasës X, të lëndëve me zgjedhje. Mësuesi, në fund të ditës së mësimit duhet të bëjë plotësimin e regjistrit të klasës. Në Amzë duhet të pasqyrohen rezultatet e nxënësve për lëndët bërthamë dhe lëndët me zgjedhje, rezultate të cilat merren vetëm nga regjistri i klasës.





Klasa X

Programet e kurrikulës me zgjedhje

Fotografi-fotoshop

Guida turistike

Lojëra sportive

Ndryshimet klimatike



Programet e kurrikulës me zgjedhje te detyruar

Anglisht 10 fillestar

Frëngjisht 10 fillestar

Gjermanisht 10 fillestar

Italisht 10 fillestar

Letërsia programi i avancuar

Matematika programi i avancuar

Spanjisht 10 fillestar

Trashëgimia jonë kulturore



Arsimi parauniversitar

Ngarkesa mësimore, ulet norma javore për disa arsimtarë



Ulet ngarkesa mësimore javore për disa arsimtarë. Ministria e Arsimit, ka bërë disa ndryshime në udhëzimin e datës 3 shkurt 2010, “Për normat e punës mësimore në arsimin parauniversitar dhe standarde të lidhura me to”. Kështu, vetëm 10 ditë pas firmosjes së këtij udhëzimi, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka nxjerrë një të dytë, në të cilin ka korrigjuar ngarkesën mësimore për mësuesit e Gjuhës shqipe dhe Leximit letrar. Sipas udhëzimit të dytë për normën mësimore në arsimin parauniversitar, ngarkesa për mësuesit e Gjuhës shqipe dhe Leximit letrar, nga 22 orë do të bëhet 20 orë në javë. Më tej, në këtë udhëzim, ministri Tafaj, ka shuar se mësuesi i Letërsisë që jep mësim në gjimnaz, do të ketë një ngarkesë mësimore 20 orë në javë. Kurse lidhur me normat e veçanta, për kryetarin e sindikatës së arsimit në një rreth, në varësi të numrit të anëtarësisë në me kuotizacion, do të ulet norma nga 5 deri në 10 orë në javë. Për seksionet e qarqeve, që kanë më shumë se 600 anëtarë, norma mësimore javore do të reduktohet me 6-8 orë edhe një personi të dytë.









29 Mars 2010