Në disa minimarkete të kryeqytetit vazhdon të tregtohet uji i ambalazhuar « Santa Mara », i cili ka rezultuar me ndotje bakteriale, pesë herë mbi normën e lejuar.

Drejtori i Inspektoriatit të Higjenës, Mhill Gecaj ka deklaruar se pas analizave të kryera në këtë subjekt është urdhëruar pezullimi i kësaj firme dhe janë vendosur disa gjoba.

“Kemi ushtruar disa kontrolle në zonën e ish-uzinës së autotraktorëve dhe paraqesin probleme disa subjekte dhe mund të them se një ndër këta është ‘Altred Santa Mara’. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes me këtë ujë të amballazhuar 5 dhe 6 litrosh që ka dalë më ndotje bakteriale”, është shprehur Gecaj.

Por ky nuk është i vetmi subjekt që tregton ujë të ambalazhuar jashtë parametrave kimike të lejuar. Inspektoriati i higjenës sqaron se janë disa subjekte që kanë probleme me ujin e pijshëm të ambalazhuar. Për specialistët e higjenës, probleme paraqesin edhe disa tregje në Tiranë, të cilat tregtojnë produkte të ndryshme jashtë kushteve higjeno-sanitare.

“Janë dhënë disa vendime mbylljeje për tregje që kanë qenë funskionalë prej vitesh si tregu i ‘Porcelanit’, tregu i ‘Mulletve’. Janë vendosur gjoba për tregun tek ish uzina ‘Dinamo’, është vendosur gjobë tek tregu ‘Vasil Shanto’, janë lënë detyra përkatëse për disa tregje të tjera siç është tregu tek Stacioni i trenit apo tregu tek Pazari i ri”, theksoi Gecaj.

Inspektoriati i higjenës ka vendosur që të gjithë punonjësit që punojnë në subjekte që merren me shërbime duhet të pajisen me librezën shëndetësore e cila merret vetëm në këtë institut.