Ministria e Transporteve ka gati projektin për ndërtimin e një pjese të Unazës së Madhe të Tiranës, Numri dy i kësaj ministrie, Ernest Noka tregoi për Televizionin Klan se bëhet fjalë për një segment 7 kilometra të gjatë që shumë shpejt pritet të kalojë në tenderim, ndërkohë që po punohet edhe me pjesën tjetër të Unazës së Madhe pavarësisht neglizhencës nga ana e Bashkisë së Tiranës për këtë projekt. Ky segment përbën rreth 1/4 pjesë të gjatësisë së Unazës së Madhe duke i shërbyer mësë miri kanalizimit te trafikut qe mberrin jo vetem nga zona veriore por edhe ajo verilindore e vendit. Prej Kthesës së Kamzës, Unaza e Madhe i drejtohet rrethrotullimit të Doganës duke shfrytëzuar segmentin ekzistues deri tek Shkolla Teknologjike, megjithatë në mbledhjen e fundit të qeverisë kryeministri Berisha deklaroi se do të studiohet edhe një variant tjetër.

Berisha “Segmenti tek Shkolla Teknologjike është e vështirë të pranohet për unazë, pasi ky segment është bërë në zemër e Tiranës. Ndaj duhet të studiohet me shpejtësi trajektorja dhe mund të zbritet edhe më poshtë, më drejt jugperëndimit. Faktikisht, një pjesë e trajektores, në një zonë të Farkës, është bërë e pamundur.

Më tej gjurma e Unazës së Madhe i drejtohet Saukut për t’u ngjitur në Shkozë e më tej drejt Dajtit dhe mbyll rrethin tek Ura e Brarit. Sipas zvministrit të Transporteve ka shumë gjasa që në projektin e Unazës së Madhe të përfshihet edhe ndërtimi i një tuneli në Dajt dhe disa të tjerëve më të vegjël në kodrat e Saukut. Kjo për shkak të pjerrësisë që duhet të respektojë një rrugë e tillë.

Ndërtimi i Unazës së Madhe, me një kosto prej rreth 400 milionë eurosh, do t’i jepte frymëmarje trafikut të rënduar në kryeqytet, pasi aktualisht Tirana renditet në një nga qytetet me sipërfaqen rrugore më të vogël në Europë dhe në botë.