15/07/2011   Këshilla për maturantët: fillimisht të sigurohen për degët, pastaj t’i rendisin 10 më të preferuarat


Maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm në renditjen e degëve ku duan të vijojnë studimet e larta gjatë vitit të ardhshëm akademik. Para se të kryejnë këtë procedurë, ata duhet të llogarisin sipas formulës së maturës rezultatin final, me të cilin do të hyjnë në garën e konkurrimit. Pas nxjerrës së pikëve totale nga llogaritja e notave për katër provimet e maturës, koeficientëve dhe mesatares, duhet bërë dhe analiza e degëve që duhen përzgjedhur. Këto pikë, duhet detyrimisht që të krahasohen me pikët e fituesit të fundit të pranuar në çdo program studimi gjatë maturës së shkuar. Në këtë rast, maturanti njihet edhe me diferencat e pikëve të programeve, duke evidentuar kështu edhe degët në të cilat probabilitetet për t’u shpallur fitues janë edhe më të larta. Sipas analizave të bëra, nga viti në vit është vënë re një rritje e pikëve që maturanti duhet të grumbullojë për t’u pranuar në degët e universiteteve publike. Kjo rritje është më e theksuar tek degët që rezultojnë të kenë edhe fluksin më të lartë të kërkesave. Konkretisht, ndër degët e preferuara të maturantëve mbeten ato të Fakultetit Ekonomik, ku vetëm për degën e financës diferenca e pikëve në katër maturat e fundit ka pësuar rritje me mbi një mijë pikë më shumë. Ndërkohë që duke iu referuar dy viteve të fundit, diferenca e pikëve për këtë degë ka pësuar rritje me 50 pikë. E madhe rritja e pikëve rezulton të jetë edhe për degët e Mjekësisë, ku vetëm për këtë të fundit diferenca është më shumë se 100 pikë. Por ka edhe programe të cilat krahas rritjes së bërë në dy-tri vite, gjatë maturës së shkuar kanë pësuar edhe ulje të pikëve. Kjo, sipas ekspertëve, shpjegohet me faktin se niveli i notave të marra nuk ka qenë i lartë. Këtë vit pritet që kjo diferencë për shumë programe të pësojë rritje tjetër, duke qenë se edhe niveli i notave të mira ka pësuar rritje. Nga ana tjetër edhe kjo rritje e diferencës së pikëve nuk pritet të jetë e lartë, për vetë faktin se krahas rezultateve mesatare, ka pasur edhe më shumë mbetës. Megjithatë, bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të plota diferencat e pikëve për të katër maturat e fundit. Ndërkohë që maturantët, krahas njohurive mbi ndryshimin e pikëve gjatë viteve, duhet t’u japin prioritet pikëve të fundit të pranuara një vit më parë. Më e ashpër lufta pritet të bëhet për degët më të kërkuara, veçanërisht ato në Fakultetin e Mjekësisë, Ekonomikut, Drejtësisë, Shkencave Sociale, Inxhinierisë së Ndërtimit. Për këto të fundit edhe mesatarja e fituesve të pranuar ka rezultuar të jetë mbi notën 8.


5 hapat se si duhet të rendisni


preferencat për të qenë fitues


• Para se të renditni preferencat, duhet të bëni një llogaritje të përafërt të pikëve që keni grumbulluar nga rezultatet e mesatares së shkollës së mesme dhe provimeve të detyruara dhe atyre të lëndëve me zgjedhje.


• Pas kësaj konsultoni te guida e Maturës Shtetërore 2010 pikët minimale për çdo program studimi që kanë bërë fitues kandidatët e një viti më parë.


• Ju tashmë keni një ide se çfarë programesh studimi duhet të zgjidhni brenda 10 të mundshmeve.


• Pas kësaj formoni një listë, ku programet e studimit i renditni jo vetëm sipas preferencave, por dhe mundësisë që keni për të fituar në këto preferenca. Pra, e para (programi i parë) do të jetë dega që preferoni më shumë dhe e dyta ajo që preferoni, nëse nuk do të fitoni në preferencën e parë, e kështu me radhë deri te preferenca 10.


• Nëse nuk keni 10 preferenca, kutitë mund t’i plotësoni me tri 0.


Kujdes!


Në dhjetë programet më të kërkuara, si fitues të fundit janë pranuar nxënësit me mesataren mbi notën 8. Konkretisht bëhet fjalë për degët, si: Stomatologji, Farmaci, Mjekësi e Përgjithshme, Inxhinieri Ndërtimi, Informatikë Ekonomike, Drejtësi, Financë, Shkenca Politike, Inxhinieri Elektronike, Psikologji. Në këtë mënyrë, nëse një kandidat ka mbaruar shkollën e mesme me mesataren 7, si dhe tek provimet nuk ka rezultate më të larta se sa kjo notë, nuk duhet kurrsesi të rendisë si preferenca të para degët e përmendura më lart. Kjo pasi praktikat e viteve të shkuara kanë treguar se aty janë pranuar nxënës me notën mesatare mbi tetë; po kaq të larta kanë qenë edhe rezultatet e të katër provimeve të maturës.


Diferenca e pikëve në 20 programet më të kërkuara nga maturantët përgjatë katër viteve


Programi i studimit 2007 2008 2009 2010


Administrim-Biznes UT 4655.30 5082.20 5619.40 5700.50


Punë Sociale UT 5047.60 5303.00 5542.10 5371.80


Psikologji UT 5066.30 5334.90 5609.60 5542.60


Drejtësi UT 5137.10 5522.10 5644.30 5416.90


Shkenca Politike UT 5192.80 5507.40 5781.70 5675.10


Financë UT 4876.30 5459.60 5927.70 5975.40


Financë–Kontabilitet UBT 4333.00 4762.80 5111.10 5369.60


Infermieri e Përgjithshme UT 4842.10 4767.60 5181.00 5254.10


Sociologji UT 5118.10 5426.00 5224.90


Ekonomiks UT 4883.80 5378.70 5874.70 5948.70


Gjuhë Angleze UT 4470.20 4935.70 5203.90 5093.00


Gazetari UT 5161.80 5382.90 5563.00 5436.90


Ekonomi dhe Politikë Agrare UBT 4091.50 4254.20 4574.70 4967.40


Menaxhim Turizmi UD 4001.10 4281.60 4857.60 4341.35


Punë Sociale USH 4465.50 4387.80 4803.80 4774.60


Turizëm USH 3835.70 4109.10 4406.00 4412.60


Infermieri e Përgjithshme USH 4065.70 3589.00 4404.40 4457.80


Gjeografi UT 4849.00 4936.80 5280.60 5108.60


Inxhinieri Telekomunikacioni UPT 5193.80 5025.70 5624.35 5791.70


Infermieri e Përgjithshme UE 4195.80 4038.00 4423.40 4457.80