Disa ditë pas urdhrit të Rektoratit të Universitetit të Tiranës, për të ndaluar pedagogët e publikut për të dhënë mësim në universitetet private, reagon administratori i UET Henri Cili.“E mirëkuptoj vendimin e rektorit Dhori Kule, i vështirë për ta zbatuar pa u bërë reformë e thellë e gjithë sistemit universitar. UET nuk preket nga ky vendim, kemi stafet tona të brendshme”, shprehet Çili.
Në javën e fundit një urdhër i rektorit të Universitetit të Tiranës ka sanksionuar që pedagogët e Universitetit të Tiranës ndalohen të japin mësim në ciklin e dytë dhe të tretë të universiteteve private kurse për UET në të gjithë ciklet?
Së pari, duhet të theksoj se ne jemi në një dialog të pasur me Universitetin e Tiranës, universitetet e tjera publike dhe me universitetet e tjera private apo jo publike, si pjesë e filozofisë sonë për bashkëpunimin ndër-universitar. Duke besuar se duhen kapërcyer barrierat dhe paragjykimet e ndërsjella bashkë me rektorin e Universitetit të Tiranës prof. Dhori Kule, ne jemi duke dialoguar mbi keqkuptime e krijuara nga deklarata publike të përfaqësuesve të universitetit tonë, të cilat shprehin lirshëm pikëpamjet e tyre, por qëndrimi ynë institucional është një dhe i vetëm “bashkëpunim me të gjithë aktorët e sistemit tonë universitar të gjitha drejtimet, një prej të cilave është dhe kooperimi për stafet. Pedagogë të Universitetit të Tiranës, japin mësim në cikle dhe kurse të caktuara në UET dhe anasjelltas, unë për vete jam një prej tyre, duke mbajtur leksionet e kursit të Historisë së Medias në departamentin e gazetarisë së UT. Disa pedagogë tjerë tanë japin dhe kanë dhënë kurse në nivelin master apo drejtojnë doktoratura e master në disa prej universitetet publike. Jemi mirëkuptuar me zotin Kule, mbi idenë që të quhet e kapërcyer ajo fazë fillestare e paragjykimit të ndërsjellë mes sistemit universitar publik atij privat. Sot nuk është as realiste dhe as e udhës vijimi i provokimit të reputacionit në përgjithësi nga përfaqësues të publikut ndaj privatit apo ndërsjelltas. Ne, besojmë thjesht tek ideja se sot në Shqipëri kemi universitete publike dhe private të mira e cilësore dhe jo të tilla. Lidhur me Universitetin e Tiranës, ku, pa përjashtim, themeluesit e UET kanë punuar apo shumë pedagogë tanë janë shkolluar apo janë doktoruar, konsiderata jonë nuk ka dyshime: UT përbën një vlerë në historinë dhe aktualitetin e universitetit shqiptar. Për ne, universitetet kanë një mision të vetëm e të përbashkët: interesin e shoqërisë për njerëz të mirë shkolluar.  Ata kryejnë të dy një shërbim publik, pavarësisht se cila është pronësia. Në e mirëkuptojmë vendimin e fundit të rektorit Kule mbi ndalimin e pedagogëve të publikut për të punuar në ciklet e dyta dhe të treta të universitete private, si një masë për të menaxhuar më mirë burimet njerëzore të UT, edhe pse mendojmë se si vendim është vështirësisht i realizueshëm për shumë arsye. Së pari e drejta e dypunësimit nuk i ndalet dot dikujt nga sektori publik pasi shteti nuk të negocion dot ekskluzivitetin për shkakun e thjeshtë se nuk të negocion dot rrogën. Eksluziviteti negociohet në shkëmbim të një page të përshtatshme dhe derisa sot me kuadrin aktual të autonomisë, universiteti publik nuk del dot nga kuadri i pagave që ka caktuar qeveria, duket shumë e vështirë të gjejë zbatim ky urdhër. Së dyti, ndalimi i mësimdhënies në universitete të tjera ngre një problem tjetër parimor: a do të ndalohen dhe forma të tjera të dypunësimit si studiot ligjore, klinikat, studiot e projektimit, OJF-të etj., pasi në parim çdo punë e dytë është e barasvlershme me mësimdhënien. Së treti, jashtë orarit zyrtar të punës pedagogët e universitetit publik vështirë të pengohen për angazhime të tjera, përfshirë mësimdhënien gjetkë. Së katërti, konkurrenca e pretenduar nuk është sot as gjendje juridike, as gjendje përmbajtësore mes publikut dhe privatit. Nga ana tjetër ka nevojë për një gradualitet për të ardhur tek një situatë e re, në mënyrë që të mos dëmtohen interesat në radhë të parë të studentëve tek të dy sistemit universitare, që do të dëmtoheshin nga ky ndalim tani që semestri ka filluar. Por sidoqoftë këto janë mendime, pasi kjo çështje është pjesë e marrëdhënies që pedagogët e Universitetit të Tiranës kanë me vendin e tyre të punës. Ne, në universitetin tonë që është në vitin e 4-t të jetës, ne e kemi mbështetur me kohë projektin tonë pikërisht në një gjë: krijimi dhe konsolidimi i stafeve tona të brendshme. Ne nuk prekemi nga ky vendim i rektorit të UT, edhe pse mendojmë se një vendim i tillë që ka të bëjë me procesin e diferencimit të stafeve, si mënyra më e mirë për të krijuar cilësi dhe individualitet, duhet të jetë gradual.
Cila është politika juaj e burimeve njerëzore lidhur me stafin, në kushtet kur Universiteti i Tiranës dhe rektori Kule duket i vendosur për ta zbatuar urdhrin e tij?
Ne besojmë se gradualisht universitetet duhet të diferencojnë në masën më të madhe të mundshme stafet e tyre për të rritur efikasitetin në shërbimin ndaj studentëve edhe pse kjo asnjëherë nuk mund të bëhet plotësisht 100 për qind sepse një nga parimet e akademizmit është pikërisht shkëmbimi i stafeve. U bënë disa vjet që kur universitetet private janë krijuar dhe ka ardhur koha që ato të mbështeten në esencë në stafet e tyre për të krijuar një identitetet të vlerave që ka secili universitet dhe një parakusht për cilësinë që shoqëria pretendon ndaj nesh. Mjafton t’u them se në UET ka sot mbi 75 pedagogë me kohë të plotë, e verifikueshme kjo nga kontratat e punës dhe nga kontributet e sigurimeve shoqërore, nga të cilat më shumë së 40 janë me tituj dhe grada nga doktor i shkencave e lart dhe mbi 20 janë me titull profesor i asociuar e lart apo doktoratura jashtë shtetit, të cilat janë ekuivalente me prof i asociuar, sipas rregullave të shtetit shqiptar për titujt dhe gradat shkencore. Po ashtu, UET ka më shumë se 10 kontrata speciale bashkëpunimi për pedagogë të jashtëm, që ne i emërtojmë “senior” si një politikë për të tërhequr kualitete tejet të larta, që për një arsye a një tjetër, për shkak të pozitës së tyre në një detyrë shtetërore apo tjetër, nuk janë dot pedagogë me kohë të plotë në UET.
Ky konflikt mes aktorëve të sistemit universitar a mendoni se në fakt manifeston të vërtetën që stafet universitare janë fiktive dhe se Shqipëria nuk ka pedagogë me kualitetin e duhur për kaq universitete e studentë që ka?
Shqipëria ka sot më shumë pedagogë, ka rreth 4 mijë pedagogë nga gati 2700 që kishte në vitin 2005. Shumë më tepër duhet të ketë dhe hyrjet e reja duhet të favorizohen fort nga të gjithë aktorët e sistemit dhe me të gjitha politikat. Tregu i edukimit do të krijojë aq pedagogë, aq studentë dhe aq diploma sa i duhen, mjaft që nën mbikëqyrjen e rolit rregullator të qeverisë të garantohen standardet akademike. Çështje e konfliktit për pedagogët është simptoma e sëmundjes së sistemit, sëmundja është tjetër. Kriza e stafeve është sot pasoja direkte e mos-liberalizimit të sistemit tonë të arsimit të lartë, edhe pse duke pasur shumë studentë dhe shumë universitete krijohet e ideja e rremë e se kemi liberalizim të shkollës së lartë. Sistemi ynë universitar ndodhet në një udhëkryq dhe ka nevojë për një reformë tërësore në parimet e tij themelore dhe për një rol të ri të shtetit në arsimin e lartë: Universiteti publik është absolutisht pa asnjë parakusht për autonomi universitare. Duke marrë të gjithë subvencionin nga qeveria, universitetet publik i kanë duart e lidhura nga qeveria në vetmenaxhimin e tyre në përdorimin e të ardhurave, në politikat e pagave etj. Kjo sjell atë që pedagogët e publikut për të kompensuar pagën bëjnë punë të dyta, të treta dhe të katërta. Kjo e largon vëmendjen nga puna, nuk motivon pedagogët dhe për pasojë as studentët, nuk ka kushte dhe infrastrukturë të përshtatshme pune. Pedagogu në publik as ndëshkohet po punoi keq, as motivohet financiarisht po punoi mirë. Edukimi kushton, ndaj për të duhet paguar. Askush që ka nevojë dhe që e meriton nuk duhet të mbesë pa shkollë. Mënyrat e mbështetjes nga shoqëria të atyre që kanë nevojë, janë një politikë tjetër, jashtë universitetit publik, ku secili duhet të demonstrojë nevojën apo meritën që ka siguruar mbështetjen financiare të shoqërisë për studimet e veta.
Universitetit private ndodhen absolutisht të diskriminuar në konkurrencë. Ata kanë përballë universitetin publik falas ose praktikisht falas dhe është e qartë që mes diçkaje falas dhe diçkaje me çmimin real nuk ka si të ketë konkurrencë. Jo vetëm kaq, por universitetet private paguajnë të gjitha taksat, shto këtu dhe TVSH-në që u shtua rrugës dhe nuk po hiqet megjithë premtimet. Ky sistemi nuk vijon dot më kështu: universiteti publik nuk ka autonomi financiare, universitetet private janë të diskriminuar në konkurrencë. Këta të fundit janë kështu të rrezikuar nga paqëndrueshmëria apo nga ndryshimi i politikave qeveritare. Duhet kaluar në modelet me të suksesshme botërore, në ato modele që vendosin studentin në qendër dhe jo institucionet. Jo thjesht bota anglo-saksone, por dhe vende të tjera po e aplikojnë. Lituania ishte e fundit që e bërë këtë reformën e financimit. Arsimimi i lartë kudo duhet të ketë një çmim real dhe të jetë studenti nesër ai që do të zgjedhë vetë ku do të studiojë me paratë që i ka siguruar vetë apo me ato që shoqëria apo qeveria i ka vënë në dispozicion për të studiuar. Roli i shtetit në financimin e arsimit të lartë duhet të transformohet nga roli i një financimi pasiv drejt rolit të financimit aktiv, ku të mbështeten kategori të caktuara shoqërore, njerëz në nevojë apo ekselentë, degë të caktuara për të cilat ka nevojë shoqëria apo zhvillimi rajonal e kërkimi shkencor. Shkurt një “financim aktiv” do ti jepte frymëmarrje universitetit publik për t’u vetëmenaxhuar me efikasitet, për ta merituar studentin, për ta çuar studentin në auditorët e universitetit publik, jo pse atje shërbimi është falas, por pse është cilësor. Nga ana tjetër për universitetet private do të krijoheshin kushtet për të konkurruar realisht dhe për të parë realisht se cila është zgjedhja e studentëve shqiptarë jashtë faktor “çmim” që sot në mënyrën sesi shtrohet nuk krijon kushte për konkurrencë. Ne besojmë se debati i fundit i krijuar për këtë çështje dhe vullneti i qeverisë Berisha për reformë në këtë sektor ka rastin më të mirë për të provuar shanset për një reformë universitare të plotë dhe me themel. Në këtë mes debati aktual për stafet është pasojë e kësaj reforme ose mos-reforme. Pas një reformë të vërtetë probleme të tilla me stafet nuk do të ekzistojnë pasi, kur konkurrenca të legjitimohet në sektorin e arsimit të lartë, pa harruar dhe prishur objektivat e tjera sociale, strategjike apo rajonale që ka qeveria, universitetet do të krijojnë stafet e tyre të plota dhe të diferencuara në atë masë të përshtatshme. Pa harruar bashkëpunimin institucional me interesa të ndërsjella.