21/07/2010 Publikohet formulari A-2, propozohen rreth 264 programe të ndryshme studimore


Maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm, fillimisht të sigurohen për degët, pastaj ti renditin


Kandidatët për në universitetet, duke filluar nga dita e nesërme, duhet ti drejtohen shkollave ku kanë mbaruar arsimin e mesëm për të tërhequr formularin A-2, në të cilin do të listojnë dhjetë preferencat se ku duan të vijojnë studimet e larta pranë universiteteve publike. Burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit bëjnë të ditur se tashmë po shkon drejt fundit procesi i shpërndarjes së këtyre formularëve pranë drejtorive arsimore të çdo rrethi si dhe shkollave përkatëse. Sipas përcaktimeve të bëra gjithsej janë 264 programe studimore, të cilat janë shpërndarë sipas llojit dhe vendndodhjes konkrete të universitetit. Me anën e formularit A-2 merren të dhënat për notën mesatare të shkollës së mesme të maturantit dhe 10 preferencat e tij për programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë. Në renditjen e dhjetë preferencave nga më e pëlqyera deri te më pak e pëlqyera, duhet treguar kujdes me vendosjen e kodeve identifikuese, në të kundërt mund të ngatërrohet dega e studimit ku maturanti do të shpallet fitues. Në kuadratin pranë programit të studimit duhet të vendosni numrin e preferencës. Kodi i programit të studimit i shënuar tek tabela e preferencave duhet të jetë e njëjtë me atë ku është shënuar numri i preferencës në formular. Edhe këtë vit maturantët do të zgjedhin 10 programet e studimit, të renditura sipas preferencave. Ashtu si dhe një vit më parë, Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) do të realizojë përcaktimin e fituesve sipas parimit meritë–preferencë, sipas të cilit “parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme dhe të provimeve të Maturës Shtetërore, ndërsa parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre”. Megjithatë, kandidatët duhet të tregojnë kujdes veçanërisht në renditjen e preferencave dhe degëve, përbri të cilave duhet të vendosen kodet e duhura identifikuese, siç janë përcaktuar në renditjen përkatëse të formularit. Për të shmangur plotësimin e formularit me gabime është e këshillueshme që kopja origjinale që maturanti do të tërheqë të fotokopjohet dhe aty të ushtrohet dora disa herë. Specialistët kanë zgjedhur këtë periudhë për shpërndarjen e formularit A-2, pasi sipas tyre maturantët, duke ditur notat e katër provimeve të maturës dhe notën mesatare të shkollës së mesme, mund të bëjnë një përllogaritje se me sa pikë do të hyjnë në garë për në shkollat e larta. Gjithashtu duke iu referuar edhe pikëve minimale me të cilat është ulur në auditor fituesi i fundit gjatë vitit akademik 2009-2010 për të gjitha degët e universiteteve publike, ata do të mund të bëjnë një përzgjedhje më të saktë të 10 preferencave në formularin A-2.


Si plotësohet formulari A-2


Me anën e formularit A-2 merren të dhënat për notën mesatare të shkollës së mesme të maturantit dhe 10 preferencat e tij për programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë. Për të marrë formularin A-2 nxënësi duhet të ketë bërë pagesën prej 2000 lekësh në një bankë ose në Postën Shqiptare dhe të paraqesë faturën e pagesës.


Hapi 1


Maturantët mund ta fotokopjojnë këtë formular për tu praktikuar, por duhet të dorëzojnë formularin origjinal të plotësuar. Ata duhet të lexojnë me kujdes udhëzimin për plotësimin e formularit A-2.


hapi 2


Në fillim mësuesi kujdestar bashkë me maturantin plotësojnë mesataren e shkollës së mesme me numra dhe me fjalë.


Hapi 3


Pasi është vendosur për programet e studimit të preferuara dhe renditjen e tyre, vihet kodi i programit të studimit për secilën preferencë, nga preferenca 1 deri në preferencën e 10.


Hapi 4


Pas kësaj në kuadratin pranë programit të studimit do të vendoset numri i preferencës. Kodi i programit të studimit, i shënuar tek tabela e preferencave, duhet të jetë i njëjtë me atë ku është shënuar numri i preferencës përkatëse. Për shembull, nëse në preferencën 1 është shënuar programi i studimit 015, atëherë në kuadratin pranë programit të studimit 015 duhet të shënohet numri 1.


Hapi 5


Maturanti, mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës duhet të plotësojnë emrin, mbiemrin dhe të firmosin formularin A-2.


Si ti rendis preferencat?


• Para se të renditni preferencat, duhet të bëni një llogaritje të përafërt të pikëve që keni grumbulluar nga rezultatet e mesatares së shkollës së mesme dhe provimeve të detyruara: gjuhë-letërsi dhe matematikë.


• Pas kësaj konsultoni te guida e Maturës Shtetërore 2009 pikët minimale për çdo progrm studimi që kanë bërë fitues kandidatët e një viti më parë.


• Ju tashmë keni një ide se çfarë programe studimi duhet të zgjidhni brenda 10 të mundshmeve.


• Pas kësaj formoni një listë, ku programet e studimit i renditni jo vetëm sipas preferencave, por dhe sipas mundësisë që keni për të fituar në këto preferenca. Pra, e para (programi i parë) do të jetë dega që preferoni më shumë dhe e dyta ajo që preferoni, nëse nuk do të fitoni në preferencën e parë, e kështu me radhë deri te preferenca 10.