Të tjera rreth shkrimit Fituesit, dy raude regjistrimesh Kuotat e pranimeve në Shqiptarja.com




TIRANE - Këtë shtator, 5 mijë të rinj më shumë se sa një vit më parë, kanë mundësi të klasifikohen fitues për në universitetet publike. Kjo pasi qeveria, ka vendosur dje, të miratojë një total prej 31 mijë kuotash të reja, nga 26 mijë që ka qenë një vit më parë.

VENDIMI

Sipas vendimit të djeshëm të këshillit të ministrave kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2013-2014, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, janë 31.030.

Nga të cilat 30.130 janë kuota të pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë, si dhe për programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë; 300 janë kuota për program të dytë studimi; 500 janë kuota për transferim studimesh si dhe 100 kuota janë lënë në dispozicion të shtetasve të huaj.

Vendimi i këshillit të ministrave përcakton se kuotat e pranimeve të reja, përbëhet nga: Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit që janë plot 29.390 vende; kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit që janë 700 vende; kuotat për të verbrit (të veçanta) që u janë dhënë 20 vende dhe po aq pra 20 kuota janë lënë për romët dhe ballkano–egjiptianët.

TARIFA

Në vendimin e djeshëm të qeverisë janë miratuar edhe tarifat e shkollimit që do të paguajnë të rinjtë për çdo vit akademik. Ata nuk kanë pësuar rritje krahasuar me një vit më parë, por do t’u shtohet vlera e infalacionit prej 1.7 për qind.

Vendimi i qeverisë saktëson se kandidatët, që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë në institucionet publike të arsimit të lartë në vitin e ri akademik 2013 - 2014, si dhe studentët, që ndjekin ciklin e parë të studimeve dhe që vijnë nga këto shtresa sociale, si: personat që nuk shikojnë, personat që nuk dëgjojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre, jetimët, studentët, të cilëve njëri nga prindërit i është ndarë nga jeta dhe familjet e tyre përfitojnë ndihmë ekonomike nga njësitë e qeverisjes vendore dhe ata që vijnë nga “familje në nevojë”, fëmijët romë, ballkano - egjiptianë, fëmijët nga prindër të dënuar politikë me heqje lirie, fëmijë të policëve dhe të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, të prekurit nga sëmundja HIV-AIDS përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit.

Gjithashtu sipas vendimit të qeverisë në çdo program studimi në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në vitin akademik 2013-2014, tre studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë-preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit.

Përjashtim bëjnë Universiteti i Arteve të Tiranës dhe Akademia e Arteve Shkodër, në të cilat tre studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit në nivel fakulteti, nuk paguajnë tarifën vjetore të shkollimit.

Kuotat e pranimeve në Shqiptarja.com

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)