SHKRUAN: Jonida Tashi 20-07-2011 10:49

Para se të përcaktoni preferencat për studimet e larta, përpiquni të masni forcat tuaja dhe të zgjidhni programe studimi ku keni probabilitet më të madh të fitoni. Kjo realizohet duke krahasuar pikët tuaja të grumbulluara me pikët e fituesit të fundit në 3-4 vitet paraardhëse për secilin program studimi të përzgjedhur nga ana juaj. Për këtë arsye, MASH publikon pikët e fituesit të fundit për të gjitha programet e studimit, që nga Maturat e vitit 2007 deri në atë të 2010-s. Këto të dhëna, megjithëse u përkasin viteve të kaluara, shërbejnë për të orientuar maturantët në përzgjedhjen e degëve në Formularin A2. Kuptohet që këto rezultate ndryshojnë nga viti në vit në bazë të nivelit të kandidatëve për në universitete, koeficientëve dhe nivelit të testeve. Pragu i pikëve për të fituar universitetin ka pësuar ndryshime nga viti në vit. Këto lëvizje të pikëve të fituesve të fundit në programe të ndryshme studimi kanë të bëjnë në radhë të parë me fluksin e kërkesave për të vijuar studimet në këto degë, sikurse edhe me nivelin e maturantëve në provime, Kështu, një vit më parë, të dhënat zyrtare të Agjencisë së Pranimit në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë (APRIAL) evidentuan se nga viti në vit ka një diferencë të madhe pikësh, sidomos kur bëhet fjalë për degët më të kërkuara nga të rinjtë, ndërkohë që në vitin 2010 është vënë re një thyerje e këtij “trendi”. Për shembull, në programin e studimit Administrim-Biznes të Fakultetit Ekonomik pranë Universitetit të Tiranës ka një diferencë prej 400 pikësh në rritje nga viti 2007 deri në vitin 2009, ndërkohë që në vitin 2010, në pragun e pikëve për të fituar këtë degë, janë shtuar rreth 100 pikë. I njëjti fenomen ka ndodhur edhe me degët Punë Sociale dhe Psikologji, Drejtësi, Shkenca Politike të Universitetit të Tiranës, ku megjithëse gjatë tre viteve të para pragu i pikëve ka pasur trend rritje, në vitin 2010 ai ka ardhur në ulje. Për këto arsye, specialistët e arsimit shpjegojnë se cilët janë faktorë që ndikojnë në parashikime të gabuara të përzgjedhjes së degëve dhe të llogaritjes së pikëve. Sipas tyre, është vënë re se nga eksperienca e krijuar në këto katër vite të Maturës Shtetërore, vetë maturantët, duke iu referuar rezultateve të viteve të kaluara, si dhe duke shfrytëzuar gjithë informacionin e ofruar nga Ministria e Arsimit dhe APRIAL, kanë bërë një llogaritje paraprake të pikëve. Për të bërë këtë, maturantët janë bazuar në rezultatet individuale të njohura prej tyre, që janë nota mesatare e shkollës së mesme, rezultatet e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje. Por, sipas specialistëve, disa nga informacionet më të rëndësishme që ndihmojnë në procesin e llogaritjeve paraprake, për të bërë një përzgjedhje optimale programesh studimi preferencialë janë tabelat me pikët e fituesit të fundit, rezultatet e maturantëve në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, ndryshimi i koeficienteve të shkollave, si dhe koeficienteve të lëndëve me zgjedhje. Duke marrë si shembull vitin 2009, specialistët shpjegojnë se në procesin e konkurrimit për pranimin në universitetet publike, për vitin akademik 2009-2010, një pjesë e mirë e maturantëve për të plotësuar Formularin A2 morën parasysh edhe pikët e fituesit të fundit në vitet paraardhëse, kryesisht ato të një viti më përpara. Mirëpo ky tregues sipas tyre nuk rezultoi aq efektiv dhe konkretisht në tabelën që vijon jepen pikët e fituesit të fundit në 20 degët më të kërkuara në vitin 2010, të publikuara në vitet 2007-2010. Siç shihet, në programin e studimit Administrim-Biznes të Universitetit të Tiranës, i klasifikuari i fundit në këto vite, ka një diferencë prej 400 pikësh në rritje nga viti në vit, për shkak të disa treguesve. Së pari, specialistët përmendin rritjen e numrit të konkurrentëve nga viti në vit. Ndaj, sipas tyre, ky është një fakt i rëndësishëm që maturantët duhet ta marrin parasysh para se të bëhen llogaritjet paraprake. Ndërkohë që një faktor tjetër i rëndësishëm, që duhet të merret parasysh para se të bëhen përzgjedhjet e degëve dhe llogaritjet paraprake janë edhe rezultatet që kanë arritur maturantët në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje.