Zirina Llambro

Kandidatët për në universitete, mund të llogarisin lehtësisht pikët që u duhen për të fituar. Për t'u ardhur në ndihmë maturantëve, të bëjnë zgjedhjen e duhur gjatë plotësimit të formularit A2, Ministria e Arsimit publikon tabelën e pikëve minimale të fituesve, shembujt për llogaritjen e tyre dhe shpjegimet përkatëse. "Këto të dhëna shërbejnë për të orientuar  maturantët të zgjedhin si duhet 10 degët e universiteteve që ata preferojnë. Kuptohet që këto rezultate ndryshojnë nga viti në vit (tabela është e vitit të kaluar) në bazë të nivelit të kandidatëve për në universitete, koeficienteve dhe nivelit të testeve", sqaron zyra e shtypit të MASH. Por mbi bazën e këtyre të dhënave, sipas këtij dikasteri, maturantët mund të krijojnë një ide më të qartë për kriteret e shkollave të larta dhe shanset që kanë për të fituar.
Tabela e pikëve
MASH publikon gjithashtu, edhe sqarimet me detaje për tabelën. Sipas saj, në kolonën e parë janë renditur sipas universiteteve, programet e studimit me numrin që ishin koduar vitin e kaluar. Në kolonën e dytë, janë kuotat e përcaktuara në këtë fazë. Në kolonën e tretë p.sh., dega 018 Greqisht, Kuota 50, Nr.105: 3712.8p. Çka do të thotë se Nr. 105 përfaqëson renditjen e kandidatit në të gjithë kërkuesit e kësaj dege. Ky kandidat është fituesi i fundit, i 50-ti, në atë program studimi që ka 50 vende, pavarësisht se renditet i 105. Kjo tregon se kandidatët me pikë më shumë se ky fitues i fundit (i renditur 105), kanë fituar në programe të tjera, që i kanë kërkuar në preferencë më të lartë. Nr3712.8p tregon pikët e këtij kandidati të fundit fitues. Asnjë kandidat, me pikë më pak se ky, nuk është fitues në këtë degë. Ndërkaq, në kolonat 4, 5, 6 jepen notat e shkallëzuara të këtij fituesi të fundit dhe konkretisht: NM-nota mesatare e shkollës së mesme, D1-nota e marrë në provimin e parë të detyruar, D2-nota e marrë në provimin e dytë të detyruar. Në kolonat 7, 8 jepen notat që ka marrë fituesi i fundit në provimet me zgjedhje, ku numri në kllapa përfaqëson provimin me zgjedhje, që ka dhënë ky nxënës. Vitin e kaluar, provimet me zgjedhje kanë qenë: (1) Fizikë, (2) Kimi, (3) Biologji, (4) Anglisht, (5) Histori-Gjeografi, (6) Njohuri për Shoqërinë, Filozofinë, Ekonominë, (7) Letërsi, (8) Matematikë. Pra, (6) 6.70, tregon se nxënësi ka dhënë provimin Njohuri për Shoqërinë, Filozofinë, Ekonominë dhe ka marrë notën e shkallëzuar 6.70. Duke pasur parasysh se, formula llogaritëse e pikëve, vitin e kaluar ka qenë:[(D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2], ku: Ksh -është koeficienti i shkollës, K1 -koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 -koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje, secili nxënës, mund të llogarisë afërsisht sa pikë mund të fitojë, duke vetëvlerësuar veten. Në këtë mënyrë, do të orientohet më mirë për të kërkuar programin e studimit që dëshiron të vazhdojë në institucionet e Arsimit të Lartë Publik. Renditja dhe shpallja e fituesve për programet e studimit, të cilat kishin si kusht edhe konkursin e veçantë si Arkitektura, Edukimi Fizik, degët e Akademisë së Arteve etj., do të bëhet me formulë tjetër matematike. Në këto raste, merret parasysh pikëzimi në konkurse, përveç pikëve të marra në provimet e Maturës Shtetërore.

Shembuj : Çfarë dege do të zgjedh?

SHEMBULL 1
Drita dëshiron të konkurrojë për programin e studimit Farmaci në Universitetin e Tiranës. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme të profilizuar, në profilin natyror dhe ka notën mesatare të katër viteve M = 8.
Në dy provimet e detyruara ka këto rezultate:
1. Në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe D1 = 8.52
2. Në Matematikë D2 = 8.5
Ajo ka zgjedhur të japë si provime me zgjedhje lëndët Fizikë dhe Biologji, ku pretendon të marrë këto rezultate:
1. Në Fizikë Z1 = 9
2. Në Biologji Z2 = 8.7
Në Tabelën e koeficienteve, Drita gjen se për programin e studimit Farmaci, profili natyror i shkollës së mesme e ka koeficientin Ksh = 1.4.
Në këtë rast, Drita do të bëjë këto llogaritje:
[D1 (nota në Gjuhë Letërsi) + D2 (nota në Matematikë) + M (Nota mesatare e shkollës së mesme)] x Ksh (koeficienti i shkollës) = (8.52 + 8.5 + 8) x 1.4 = 25.02 x 1.4 = 32.20
Në tabelën e koeficienteve, Drita gjen se për provimet me zgjedhje koeficientet janë:
Për lëndën Fizikë K1 = 1.3. Për lëndën Biologji K2 = 1.3.
Në këtë rast, Drita do të bëjë këto llogaritje:
Z1 (nota në Fizikë) x K1 (koeficienti për Fizikën) + Z2 (nota në Biologji) x K2 (koeficienti për Biologjinë) = 9 x 1.3 + 8.7 x 1.3 = 11.7 + 11.31 = 23.01
Drita mbledh dy rezultatet e gjetura: 32.20 + 23.01 = 55.21. Këtë rezultat e shumëzon me 100 dhe merr 5521.0 pikë.
Pra, Drita është në kuotën e 5500 pikëve.
Dëshira e Dritës është të ndjekë programin e studimit Farmaci.
Nga tabela e fituesve të fundit, të vitit të kaluar, Drita shikon se fituesi i fundit në Farmaci është me 5799.3 pikë. Në këtë rast, vendosja e programit të studimit Farmaci si preferencë e parë, do të thotë që mundësitë e shpalljes fituese janë të pakta.
Si duhet të veprojë Drita për të vendosur preferencat?
Mendojmë se Drita e vendos programin e studimit Farmaci si preferencë të parë dhe me këto rezultate nuk fiton. Ka dhe 9 preferenca të tjera për të zgjedhur, që është mirë t'i plotësojë, pasi janë 9 mundësi që nuk duhet t'i humbë.
Cilat të zgjedhë?
Nga rezultatet e vitit të kaluar (tabela e fituesve të fundit), ajo shikon se me 5500 pikë janë në grupin e fituesve (i fundit ka më pak se 5500 pikë) kandidatët që kanë kërkuar të gjitha programet e studimit të Universitetit të Tiranës, përveç programeve të studimit Mjekësi (i fundit me 5721.4 pikë), Stomatologji (i fundit me 5857.5 pikë), Farmaci (i fundit me 57993 pikë).
Atëherë, Drita mund të rendisë në 9 preferencat e tjera cilëndo nga programet e studimit të Universitetit të Tiranës, përveç tre të mësipërmeve. Por, edhe këtu duhet pak kujdes. Në të nëntë preferencat Drita renditet si fituese, por përcaktohet fituese në preferencën më të lartë, pra në preferencën e dytë. Nëse në këtë preferencë ka shënuar një program studimi që nuk e ka për zemër, këtë duhet ta mendojë mirë.

SHEMBULL 2
Agimi ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme (03), me një notë mesatare të shkollës së mesme M = 6. Në të gjitha provimet e detyruara dhe me zgjedhje, rezultatet e tij janë rreth notës 6. Pasi bën llogaritjet, si në rastin e Dritës, me koeficientet përkatës të tij, mendojmë se arrin në rreth 3200 pikë.
Si do ta këshillonim Agimin të plotësonte preferencat e programeve të studimit?
Duke u orientuar nga tabela e pikëve të fituesit të fundit për çdo program studimi, Agimi nuk duhet të vendosë në preferenca, programe studimi, ku fituesi i fundit ka më shumë pikë se 3200.
Nëse ai plotëson të dhjetë preferencat me programet e studimit si: Juridik, Mjekësi, Stomatologji, Farmaci, Histori, Anglisht, Psikologji, Shkenca Sociale, Inxh. Informatike, Inxh. Elektronike, është e sigurt se Agimi nuk fiton në asnjë nga këto preferenca, pra, nuk fiton të drejtën për të studiuar në universitetet publike.
Po çfarë duhet të zgjedhë Agimi?
Ai duhet të zgjedhë ato programe studimi, ku fituesi i fundit ka më pak se 3200 pikë. Duke zgjedhur në të dhjetë preferencat këto lloj programesh studimi, ai ka mundësi që të shpallet fitues në njërën prej tyre. Pra, Agimi jo vetëm duhet të marrë në konsideratë dëshirën e tij, por dhe arritjet që ka.