Sot shpallen 3045 fituesit e sistemit me kohë të pjeshme. Listat do të afishohen përpara fakulteteve sipas rendit zbritës, duke filluar nga ai me mesatare më të lartë deri tek i fundit. Fluks erdhi pas pezullimit të këtij lloj studimi për 1 vit. 

TIRANE-Të gjithë ata kandidatë që janë regjistruar në sistemin part-time do t’i nënshtrohen konkursit me mesatare. Kjo, pasi ka pasur një fluks të madh regjistrimesh, gjë që ka bërë që kuotat të tejkalohen disa herë, edhe në ato degë të cilat nuk kanë qenë shumë të preferuara nga të rinjtë. Pikërisht ky fluks regjistrimesh do të bëjë që gara midis kandidatëve pretendentë të jetë më e fortë. Në të gjitha ato raste kur kërkesat janë më të mëdha se kuotat, kandidatët do t’i nënshtrohen një konkursi me mesatare, ndërsa atje ku ka më pak kërkesa se sa kuota do të mund të kualifikohen të gjithë. Ndërkohë që në universitetin Bujqësor të Kamzës, regjistrimet janë mbyllur të shtunën pasdite, në atë të Tiranës regjistrimet kanë vazhduar deri dje. Fituesit, në bazë të notës mesatare, do të shpallen gjatë ditës së sotme. Listat do të afishohen përpara fakulteteve sipas rendit zbritës, duke filluar nga ai me mesatare më të lartë deri tek i fundit. Shkak për këtë fluks të madh kërkesash është bërë pezullimi i këtij lloji studimesh për një vit, pasi vitin e kaluar nuk ishte planifikuar sistemi part-time për në shkollat e larta.
(s.g/BalkanWeb)