Tetë të dhënat e maturantëve që bëjnë pjesë në formulë. Zgjedhja e degëve në Formularin A2 pas provimeve me detyrim


Jonida Tashi



Zbardhet formula e llogaritjes së pikëve për të fituar të drejtën e studimit. Specialistët e Ministrisë së Arsimit shpjegojnë tetë të dhënat e maturantëve që bëjnë pjesë në formulën e llogaritjes së pikëve. Formula llogaritëse e pikëve, është: [(D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2], ku: NM - nota mesatare e shkollës së mesme, D1 - nota e marrë në provimin e parë të detyruar, D2 - nota e marrë në provimin e dytë të detyruar, Ksh – është koeficienti i shkollës, K1 – koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 – koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje. Për të qenë sa më të saktë në zgjedhjen e preferencave në Formularin A2, që është vendimtar për të ndjekur studimet e larta, specialistët e arsimit këshillojnë që maturantët të presin rezultatet e dy provimeve me detyrim dhe notën mesatare, më pas të bëjnë plotësimin e formularit. Ndërkohë, e njëjta procedurë për llogaritjen e pikëve do të ndiqet edhe për studentët e shkëlqyer (ekselentët), por do të ofrohen lehtësira të tjera pasi të jenë shpallur fitues. Specialistët e arsimit, bazuar në të dhënat e maturave të mëparshme, pohojnë se nuk ka rezultuar që një maturant të ketë marrë në të gjitha provimet pikët maksimale, po ashtu dhe mesataren e katër viteve ta ketë patur dhjetë. Për këtë arsye, kandidati shpallet fitues në preferencën më të lartë të zgjedhur prej tij, kur plotëson kriterin e pikëve, pra të jetë në renditje në grupin e fituesve të atij programi studimi në kuotat e përcaktuara.

Llogaritja

Pas përfundimit të katër provimeve të Maturës, secili maturant mund të llogarisë afërsisht sa pikë mund të fitojë, duke njohur vlerësimet e veta. Sipas rregullores së shpallur nga Ministria e Arsimit, secili kandidat ka të drejtë të zgjedhë në Formularin A2 deri në 10 programe studimi, të renditur në preferenca nga 1 deri në 10, ku ai dëshiron të studiojë. Kandidati shpallet fitues në preferencën më të lartë të zgjedhur prej tij kur plotëson kriterin e pikëve. Kjo do të thotë që kandidati jo vetëm duhet të llogarisë paraprakisht pikët që mund të fitojë (afërsisht), por dhe të synojë për konkurrim në ato programe studimi ku mund të fitojë. Shembujt e mëposhtëm tregojnë se si mund të llogarisë pikët fituesi i fundit për disa degë në universitet. Këto të dhëna janë të vitit të kaluar dhe shërbejnë për të orientuar maturantët të zgjedhin në Formularin A2 10 degët e universiteteve që ata do të preferojnë në qershor. Këto rezultate ndryshojnë nga viti në vit në bazë të nivelit të kandidatëve për në universitete, koeficientëve dhe nivelit të testeve.

Shembuj

Fituesi i fundit në programin e studimit Histori (001), me 100 vende, ka mbaruar shkollën e mesme të gjuhëve të huaja për Anglisht (shkolla 10). Koeficienti i shkollës për këtë program studimi është 1.3. Ka dhënë si provim të parë me zgjedhje (6) Njohuri për Shoqërinë, Filozofinë, Ekonominë, që ka koeficientin 1.3 për këtë program studimi. Provim të dytë me zgjedhje ka dhënë (5) Histori-Gjeografi, që ka koeficientin 1.3. Llogaritja e pikëve për këtë maturant bëhet sipas formulës: [(D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2]. Zëvendësojmë kufizat e kësaj formule me notat dhe koeficientet përkatës të këtij nxënësi dhe kemi: [(6.60 + 7.64 + 9.06) x 1.3 + 7.73 x 1.3 + 6.70 x 1.3] = (23.3 x 1.3 + 14.43 x 1.3) = 30.29 + 18.759 = 49.049. Duke shumëzuar me 100 marrim rezultatin 4904.9 pikë. Ky fitues, sipas pikëve, është renditur i 687-ti në listën e kërkuesve të programit të studimit Histori. Është fituesi i 100 (i fundit), pasi të gjithë maturantët me pikë më shumë se ky (gjithsej 587 maturantë) kanë fituar në preferenca më të larta të tyre, që kanë qenë para preferencës 001. Llogarisim dhe pikët e fituesit të fundit në programin e studimit Farmaci (030). Ky fitues ka mbaruar shkollën e mesme të profilizuar në profilin natyror (01). Koeficienti i shkollës për programin e studimit Farmaci është 1.4. Ka dhënë provimet me zgjedhje (2) Fizikë dhe (4) Anglisht, që për programin e studimit Farmaci kanë koeficientin 1.3. Duke zëvendësuar notat e këtij fituesi dhe koeficientet, në formulën e mësipërme kemi: [(D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2] = [(8.56 + 8.07 + 9.50) x 1.4 + 8.52 x 1.3 + 7.95 x 1.3] = (26.13 x 1.4 + 16.47 x 1.3) = 36.582 + 21.411 = 57.993, që duke e shumëzuar me 100 kemi vlerësimin 5799.3 pikë. Me këto pikë, ky nxënës është renditur në vendin e 371-të dhe është fituesi i 80-të, pasi nxënësit me më shumë pikë se ky dhe të renditur para tij kanë fituar në preferencat e tyre më të larta.



Të dhëna për formulën

Formula llogaritëse e pikëve është: [(D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2], ku:

NM - nota mesatare e shkollës së mesme

D1 - nota e marrë në provimin e parë të detyruar

D2 - nota e marrë në provimin e dytë të detyruar

Ksh – është koeficienti i shkollës

K1 – koeficienti për provimin e parë me zgjedhje

K2 – koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje

Z1 – provimi i parë me zgjedhje

Z2 - provimi i dytë me zgjedhje









20 Mars 2009