zirina llambro

Mbyllen degët “civile” në Universitetin Ushtarak “Skënderbej”. Dje në rektorat ka mbërritur urdhri, i cili saktëson që për vitin e ardhshëm akademik degët menaxhim dhe elektronikë do të shkrihen. Kjo pasi universiteti i kthehet tërësisht natyrës ushtarake, duke përgatitur studentët vetëm në këtë drejtim. ”Ky vendim është marrë pasi kostoja është e lartë. Përpos kësaj është parë si mundësi rekrutimi i studentëve që kanë përfunduar një degë të caktuar në universitetet publike, të cilët më tej mund të përgatiten si oficerë”, sqaruan burime nga rektorati. Ata pohuan se deri tani kanë ardhur 400 kërkesa nga maturantët të interesuar, por numri i atyre që do të pranohen do të jetë disa herë më i ulët. Mendohet që të mos i kapërcejë 100 kuotat. Programi mësimor që është ofruar deri tani në Universitetin Ushtarak “Skënderbej” ka pasur dy shtylla të rëndësishme. Baza ka qenë programi akademik në fushën e menaxhimit dhe elektronikës, plotësisht të njëjtë me ato të ofruar nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti Elektrik. Jo më pak i rëndësishëm edhe programi ushtarak që siguron kulturën ushtarake, përgatitjen fizike me elementë të kulturës së përgjithshme qytetare. Vendi që ka zënë  secila prej tyre ka qenë në raportin 80 % me 20%. Universiteti Ushtarak “Skënderbej” është i vetmi që përgatit oficerë kuadro që do të punësohen në strukturat e Forcave të Armatosura. Pjesa më e madhe e studentëve që dalin me një diplomë nga auditorët e tij e kanë të siguruar vendin e punës. Universiteti Ushtarak “Skënderbej” konsiderohet një institucion i mirëfilltë i arsimit të lartë dhe jo një njësi ushtarake. Ligjërisht ai mbështetet në të njëjtin ligj të Arsimit të Lartë. Në të njëjtën kohë studentët e këtij universiteti janë  diplomuar në dy fusha: oficerë me gradën e nëntogerit dhe specialistë të lartë në fushën e menaxhimit dhe elektronikës. Kthimi i Akademisë Ushtarake “Skënderbej” në universitet të mirëfilltë u bë në vitin akademik 2004-2005.