Universiteti "Aleksandër Xhuvani" i ka propozuar për miratim ministrisë së Arsimit, 1300 kuota për studimin part-time për 12 degë, kundrejt pagesës nga 60 mijë deri në 75 mijë lekë,  tha sot rektori i tij, Liman Varoshi. Tarifat më të ulta do të jenë për ciklin e ulët dhe atë parashkollor, ndërsa degët administrim-biznes dhe financë -kontabël mbajnë shifrën më të lartë të pagesës, bashkë me numrin e pranimeve. "Degët më të preferuara mbeten ato në Fakultetin Ekonomik dhe Mësuesisë, sidomos për kandidatët që për arsye të ndryshme, nuk mund të ndjekin studimet në sistemin më kohë të plotë", tha Varoshi. Kuotat part-time për këtë vit shkollor janë në lëndët histori-gjeografi, gjuhë - letërsi, edukatë qytetare, punë sociale, filozofi-sociologji, administrim-biznes, financë-kontabilitet, biologji-kimi, cikli i ulët, parashkollor, matematikë-fizikë, infermieri e përgjithshme. "Edhe në sistemin part -time kemi kërkuar rritje kuotash për këtë vit, pasi universiteti i plotëson të gjitha kushtet si nga ana infrastrukturore ashtu edhe pedagogjike", shtoi Varoshi. Në universitetin "Aleksandër Xhuvani" në qytetin e Elbasanit për herë të parë këtë vit do të ketë prioritet proçesi kërkimor-shkencor dhe në çdo fakultet do të ketë miniqendra kërkimore shkencore, ku do të angazhohen pedagogë dhe studentë.


...