Fakulteti i Mësuesisë në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, do të ofrojë gjatë vitit të ardhshëm akademik edhe Diplomën e Nivelit të Dytë në “Filozofi sociale”. Miratimi i këtij programi studimi është bërë dje nga Këshilli i Ministrave. Kuota e pranimit në këtë program studimesh, për vitin akademik 2010-2011, është 20. Nga kjo kuotë, 10% e saj do të jetë për studentët nga trojet shqiptare, jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe administrohen nga Ministria e Arsimit, sipas kërkesave të institucioneve zyrtare të këtyre trojeve. Tarifa e shkollimit për këtë program studimesh të ciklit të dytë, për vitin akademik 2010-2011, është 60 mijë lekë dhe studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Universiteti “Fan.S. Noli”, Korçë, duhet të përcaktojë kriteret e pranimit të kandidatëve dhe t’i bëjë ato publike paraprakisht. Programi i studimeve të ciklit të dytë realizohet me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është dy vite akademike.

Nëpërmjet një tjetër vendimi po për Universitetin e Korçës, qeveria ka miratuar hapjen e programeve të studimit të ciklit të parë, në “Biologji-Kimi”, “Histori-Gjeografi” dhe “Cikël i ulët dhe Anglisht në ciklin fillor”. Sipas vendimit të qeverisë, programet e studimit të ciklit të parë “Biologji-Kimi” dhe “Histori-Gjeografi” do të ndiqen në Universitetin e Korrcës, kurse programi “Cikël i ulët dhe Anglisht në ciklin fillor” do të ofrohet në filialin e qytetit të Pogradecit, të universitetit “Fan S. Noli”, Korçë.







Universiteti i Vlorës, hapen tri degë të reja studimi



Programet e studimit “Matematikë-Fizikë”, “Shkenca kompjuterike”, dhe “Akuaristikë”, do të jenë tri degë të reja studimi që do të ofrohen nga Universiteti i Vlorës në vitin akademik 2010–2011. Vendimi është marrë dje nga qeveria. Sipas vendimit të qeverisë, në përfundim të këtyre programeve të studimit do të lëshohen, përkatësisht, “Diplomë e Nivelit të Parë, DNP, në Matematikë-Fizikë”, “Diplomë e Nivelit të Parë, DNP, në Shkencat kompjuterike” dhe “Diplomë e Nivelit të Parë, DNP, në Akuaristikë”. Programet e studimit të ciklit të parë realizohen me 180 kredite,(ECTS), dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike.





Universiteti i Elbasanit, do të ofrojë Diplomë të Nivelit të Dytë në Gjuhësi



Fakulteti i Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, do të ofrojë programin e studimeve të ciklit të dytë, në “Gjuhësi”. Në përfundim të këtij programi studimesh, do të lëshohet “Diplomë e Nivelit të Dytë, (DND), në “Gjuhësi”. Ky program studimi e fillon veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2010–2011. Programi i studimeve të ciklit të dytë, realizohet me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 2 vite akademike. Kuota e pranimit në këtë program studimi, për vitin akademik 2010-2011, është 20. Në kuotën e mësipërme të këtij programi studimi, caktohet 10% për studentët nga trojet shqiptare, jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe administrohen nga Ministria e Arsimit, sipas kërkesave të institucioneve zyrtare të këtyre trojeve. Tarifa e shkollimit, për këtë program studimi të ciklit të dytë, për vitin akademik 2010-2011, është 60 mijë lekë dhe studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, duhet të përcaktojë kriteret e pranimit të kandidatëve dhe t’i bëjë publike paraprakisht.





13 Maj 2010