Jonida Tashi



Universiteti i Sporteve në kryeqytet gjatë vitit të ardhshëm akademik do të ofrojë më shumë mundësi studimi për të rinjtë. Kështu, për herë të parë në këtë universitet, në vitin akademik 2010-2011 do të hapen edhe studimet me kohë të pjesshme. Rektori i Universitetit të Sporteve, Vejsel Rizvanolli, shpjegon për gazetën të rejat që do t’u ofrojë studentëve të rinj, ky institucion i arsimit të lartë, i specializuar në fushën e sporteve. Përveç çeljes rishtazi të studimeve me kohë të pjesshme, një risi tjetër e Universitetit të Sporteve për vitin e ri akademik është edhe hapja e një fakulteti të ri, që është i Sportit dhe Shëndetit.

Kuotat

Hapja e Fakultetit të Sportit dhe Shëndetit dhe e studimeve me kohë të pjesshme ka rritur mundësitë e të rinjve për të vijuar studimet e larta në Universitetin e Sporteve. Rektori i këtij universiteti, Vejsel Rizvanolli, bënë të ditur se vetëm për Fakultetin e Sportit dhe Shëndetit, për vitin e ri akademik janë propozuar 60 kuota pranimi, ndërsa për studimet me kohë të pjesshme 50 të tilla. Sakaq, 110 kuotat e përfshira në propozimet e Universitetit të Sporteve, për vitin 2010-2011, do t’i shtohen kuotës totale të pranimeve që ka pasur ky institucion gjatë vitit të shkuar akademik, duke e çuar në 250 numrin total të studentëve që do të pranohen në tetor në këtë institucion. Rektori i Universitetit të Sporteve shpjegon se megjithëse krahasuar me vitin e kaluar, kuota totale e pranimeve nuk ka pësuar ndryshime, pra sërish janë propozuar 140 kuota për studimet me kohë të plotë, shtimi i kuotave të fakultetit të ri dhe studimeve me kohë të pjesshme janë një mundësi më shumë për maturantët që duan t’i vazhdojnë studimet e larta në këtë institucion të arsimit të lartë. Ndërsa lidhur me konkursin e pranimit, që duhet t’i nënshtrohen kandidatët për të fituar të drejtën e studimit në këtë universitet, Rizvanolli sqaron se për Fakultetin e Sportit dhe Shëndetit do të ketë një test të veçantë pranimit, i cili aktualisht është duke u përgatitur nga specialistë të universitetit. Duke qenë se profili i studimeve në fakultetin e ri do të jetë pak më i veçantë se degët e tjera, pasi në fokus të tij do të jetë shëndeti, konkursi i pranimit në këtë fakultet do të jetë ndryshe nga fakultetet e tjera.

Universiteti

Gjatë vitit të ardhshëm akademik, kryeqytetit do t’i shtohet edhe një universitet më shumë, që është ai Sporteve të Tiranës. Bëhet fjalë për “shkrirjen” e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, e cila duke filluar nga viti i ri akademik 2010-2011, nuk do të jetë më e tillë, por një universitet. Vendimi është marrë para pak kohësh, nga Këshilli i Ministrave, sipas të cilit është vendosur krijimi i Universitetit të Sporteve të Tiranës (UST), mbi bazën e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”. Universiteti i Sporteve të Tiranës do ta ketë selinë në Tiranë, në ndërtesën e ish-Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”. Sipas vendit të qeverisë, UST-ja është institucion publik i arsimit të lartë dhe ka për mision: formimin universitar të studentëve e të specialistëve në të gjitha ciklet e studimeve; kualifikimin e punonjësve akademikë e shkencorë në fushat e edukimit fizik dhe sporteve, veprimtarisë fizike, shëndetit dhe rekreacionit; nxitjen e kërkimeve e të studimeve në fushat e edukimit fizik dhe sporteve, veprimtarisë fizike, shëndetit dhe rekreacionit; ofrimin e shërbimeve për të tretët dhe konsulenca në fushën e sporteve, veprimtarisë fizike, shëndetit dhe rekreacionit.

Struktura

Në strukturën e UST-së do të përfshihen tre njësi kryesore që janë si më poshtë. Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes, me këtë përbërje, si njësi bazë: Departamentin e mjekësisë sportive; Departamentin e shkencave sociale dhe të edukimit; Departamentin e sportit. Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe i Rekreacionit, me këtë përbërje, në njësi bazë: Departamentin e veprimtarisë fizike rekreative dhe të turizmit; Departamentin e organizimit dhe të menaxhimit; Departamentin e lëvizjes dhe shëndetit. Instituti i Kërkimit Shkencor të Sportit, me këtë përbërje, në njësi bazë: Departamentin e kërkimit të lëvizjes së aplikuar; Departamentin e kërkimit në veprimtarinë fizike, shëndetin dhe rekreacionin; Departamentin e kërkimit dhe të studimit të tregut të punës dhe të transferimit të teknologjisë. UST-ja do të ofrojë të gjitha programet e studimit në të tria ciklet e studimit, që ka ofruar deri tani Akademia e Edukimit fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” dhe çdo program tjetër, të miratuar në përputhje me aktet, ligjore dhe nënligjore.



Raporti i pikëve Maturë/konkurs në Universitetin e Sporteve



Në Universitetin e Sporteve në Tiranë dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, raporti mes provimeve të Maturës dhe konkursit të pranimit do të jetë në masën 30 për qind (Matura) me 70 për qind (konkursi). Pas përfundimit të katër provimeve të Maturës, kandidatët që duan të ndjekin studimet në Universitetin e Sporteve, do t’i nënshtrohen edhe një konkursi specifik. Konkursi i pranimit, që përfshin talentin dhe përgatitjen fizike, do të ketë një peshë të madhe për t’u shpallur fitues në Universitetin e Sporteve. Maturantët që do të pranohen në këtë institucion, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore, do t’u duhet të jenë të suksesshëm edhe në konkursin, që organizohet për shkak të profilit të veçantë të programeve. Pranimet e studentëve në Universitetin e Sporteve, ashtu si më parë, do të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve nga konkursi i pranimit, i organizuar nga ky institucion publik i arsimit të lartë. Konkursi special i pranimit do të organizohet në korrik, pas përfundimit të provimeve të Maturës.





Kthimi i Akademisë në Universitet

Organet drejtuese do të qëndrojnë deri në fund të mandatit



Organet dhe autoritetet drejtuese, të zgjedhura për strukturat e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, do të vazhdojnë mandatet e tyre, kur njësitë nuk pësojnë ndryshim. Organet dhe autoritetet drejtuese, për njësitë e reja të krijuara të UST-së, do të emërohen në përputhje me ligjin nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Autoritetet drejtuese të UST-së janë: rektori; dekanët e fakulteteve/drejtori i Institutit të Kërkimit Shkencor të Sportit; përgjegjësit e departamenteve të kërkimit. Rektori i Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, do të jetë rektor i UST-së deri në përfundim të mandatit të fituar në zgjedhjet e fundit për organet drejtuese në universitete. Autoritetet drejtuese të zgjedhura, të strukturave ekzistuese kryejnë funksionet përkatëse në përputhje me ligjin nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe me statutin e UST-së. Në organikën e UST-së përcaktohet numri i punonjësve të njësive, që integrohen në këtë universitet dhe që përfshihen në numrin total të punonjësve, që janë miratuar për vitin 2010, për Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”. Për vitin 2010, financimi i UST-së do të bëhet nga: buxheti i planifikuar për Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”; nga burime të tjera të ligjshme. Universiteti i Sporteve të Tiranës do të ruajë të drejtën mbi të gjitha asetet dhe fondet buxhetore, që zotëron dhe disponon ish-Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”.







Raporti i pikëve Maturë/konkurs në Universitetin e Sporteve



Në Universitetin e Sporteve në Tiranë dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, raporti mes provimeve të Maturës dhe konkursit të pranimit do të jetë në masën 30 për qind (Matura) me 70 për qind (konkursi). Pas përfundimit të katër provimeve të Maturës, kandidatët që duan të ndjekin studimet në Universitetin e Sporteve, do t’i nënshtrohen edhe një konkursi specifik. Konkursi i pranimit, që përfshin talentin dhe përgatitjen fizike, do të ketë një peshë të madhe për t’u shpallur fitues në Universitetin e Sporteve. Maturantët që do të pranohen në këtë institucion, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore, do t’u duhet të jenë të suksesshëm edhe në konkursin, që organizohet për shkak të profilit të veçantë të programeve. Pranimet e studentëve në Universitetin e Sporteve, ashtu si më parë, do të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve nga konkursi i pranimit, i organizuar nga ky institucion publik i arsimit të lartë. Konkursi special i pranimit do të organizohet në korrik, pas përfundimit të provimeve të Maturës.





Kartelë individuale për t’u pranuar në Universitetin e Sporteve

Të gjithë maturantët që duan të zgjedhin të studiojnë në degët e Universitetit të Sporteve duhet të bëjnë kujdes me shëndetin. Ata duhet të ushqehen sa më mirë, të bëjnë analizat për të riparuar problemet shëndetësore që kanë, si dhe në rastin më të mirë të kryejnë ndonjë aktivitet fizik. Kjo, sepse kriteret kryesore të konkursit kanë të bëjnë pikërisht me gjendjen shëndetësore të maturantëve. Kriteret kryesore që rrisin shanset për të vijuar studimet në Universitetin e Sporteve kanë të bëjnë me shëndetin. Sa më të shëndetshëm të jenë kandidatët për këtë institucion arsimor, aq më shumë shanse ata kanë që ta fitojnë të drejtën e studimit në Universitetin e Sporteve. Madje do të ishte mirë që në “historikun” e tyre shëndetësor të mos figurojnë probleme, qofte këto të thjeshta, apo me ndërhyrje kirurgjikale. Kartela individuale për pranimin e studenteve në Universitetin e Sporteve përmban kërkesën, 6 vizita dhe kontrolle mjekësore.







Kuotat e propozuara nga Universiteti i Sporteve

140 kuota propozohen për studimet me kohë të plotë

60 kuota propozohen për Fakultetin e ri Sporti dhe Shëndeti

50 kuota propozohen për studimet me kohë të pjesshme





24 Mars 2010