Drejtuesit e këtij universiteti propozojnë rritje të pagesës së shkollimit. Fakultetet e UT-së që do të kushtojnë më shtrenjtë për vitin e ri akademik


Jonida Tashi



Universiteti i Tiranës propozon rritje të tarifave të studimit, për vitin e ardhshëm akademik 2009-2010. Sipas propozimeve të bëra nga vetë drejtuesit e Universitetit të Tiranës (UT), taksat e shkollimit, që duhet të paguajnë studentët e vitit të parë kanë pësuar rritje, krahasuar me ato të vitit të kaluar. Tarifat e studimit në Universitetin e Tiranës, për vitin akademik 2009-2010, variojnë nga 85 mijë, që është më e larta, deri në 12 mijë më e ulëta. Aktualisht kuotat dhe tarifat e propozuara për pranimet e reja të studentëve janë depozituar për miratim në Ministrinë e Arsimit. Pavarësisht se drejtuesit e UT-së kanë bërë propozimet përkatëse, është Ministria e Arsimit ajo që do të marrë përsipër miratimin e kuotave dhe tarifave, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e shtimit apo pakësimit të tyre.

Më shtrenjtë

Më shtrenjtë se asnjëherë tjetër në Universitetin e Tiranës, studimet e larta do të kushtojnë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ku pagesa e studimit për çdo degë të këtij fakulteti është propozuar të jetë 85 mijë lekë, nga 15 mijë që ka qenë një vit më parë. Po ashtu, rritje ka pësuar edhe tarifa e studimit në Fakultetin e Drejtësisë, e cila për këtë vit, pritet të jetë 40 mijë lekë, nga 30 mijë që ka qenë vitin e kaluar akademik. Të njëjtin fat me studentët, që do të vijojnë studimet në Fakultetin Juridik në Tiranë, do të kenë edhe të rinjtë, që do të fitojnë të drejtën e studimit në Fakultetin e Mjekësisë. Edhe për këtë fakultet, drejtuesit e UT-së, propozojnë rritje të taksës së shkollimit me 10 mijë lekë më shumë, krahasuar me pagesën e vjetshme, duke e çuar në 40 mijë lekë tarifën e studimit për të gjitha degët e Mjekësisë.

Më lirë

I vetmi fakultet i Universitetit të Tiranës, që jo vetëm i ka “shpëtuar” rritjes së tarifës së studimit, por madje ka përfituar ulje të saj, është ai i Histori-Filologjisë. Për vitin e ri akademik 2009-2010, tarifa e propozuar e studimit për të gjitha degët e Filologjikut, është 20 mijë lekë, nga 25 mijë që ka qenë vjet. Si gjithmonë, më lirë studimet në Universitetin e Tiranës, do të kushtojnë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Nisur nga fakti që degët e këtij fakulteti janë të vështira, pasi i përkasin shkencave ekzakte, ky fakultet nuk preferohet shumë nga të rinjtë, madje shihet prej tyre si alternativa e fundit për të ndjekur shkollën e lartë. Për rrjedhojë, tarifat e studimit për degët e Shkencave të Natyrës janë më të ulta se fakultetet e tjera të UT-së, një taktikë kjo e përdorur nga drejtuesit e fakultetit dhe Universitetit të Tiranës edhe për të “thithur” sa më shumë studentë.

Kuotat

Përkrah rritjes së tarifave të studimit, drejtuesit e UT-së kërkojnë edhe shtim të kuotave të pranimit, për vitin e ri akademik. Në total, vetëm për studimet me kohë të plotë, Universiteti i Tiranës, propozon që vitin e ardhshëm të pranohen afro 5200 studentë të rinj. Nga shpërndarja e kuotave sipas fakulteteve të UT-së, një numër i lartë kuotash pranimi, i është dhënë Fakultetit të Ekonomisë, plot 1230 të tilla. Po ashtu, një numër i lartë kuotash pranimi është propozuar edhe për Fakultetin e Histori-Filologjisë, Fakultetin e Drejtësisë dhe atë Shkencave të Natyrës. Përfshirë edhe kuotat për studimet me kohë të pjesshme, numri i studentëve që do të ulen në auditoret e UT-së, gjatë vitit akademik 2009-2010, shkon në 7 mijë. Shifër kjo, tepër e lartë, krahasuar me pranimet që janë bërë në vitet e mëparshme në këtë universitet.

















Politekniku, 10 studentë të Inxhinierisë Mekanike, punojnë diplomën në Universitetin e Siegenit



10 studentë të dalluar, të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, në Universitetin Politeknik, kanë përgatitur diplomat pranë Universitetit të Siegenit në Gjermani. Punimi i diplomës pranë universitetit gjerman është bërë i mundur falë bashkëpunimit që Universiteti Politeknik i Tiranës ka me Universitetin e Siegenit në Gjermani. Viti 2000 shënon fillimin e një bashkëpunimi të suksesshëm ndërmjet Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik dhe Institutit të Fluideve dhe Termodinamikës (IFT) të Universitetit Siegen në Gjermani, kur u organizua seminari dy mujor me temë: “Ditët e dyerve të hapura”. Ndërsa këtë vit, bashkëpunimi midis dy universiteteve është shtrirë edhe më tej në fushën e mësimdhënies. Kështu, në kuadër të realizimit të procesit të Bolonjës, është krijuar mundësia që profesorë të Universitetit të Siegenit dhe të Politeknikut të Barit, të vijnë dhe të zhvillojnë një modul leksionesh për studentët e vitit të parë në Universitetin Politeknik.











21 Prill 2009