zirina llambro

Studentët e rinj që do të pranohen në Universitetin e Tiranës do të paguajnë më shumë vitin e ardhshëm akademik. Tarifat e reja, vjetore të propozuara nga drejtuesit e tij, janë të kripura për shumë prej degëve. Ato variojnë nga 12-85 mijë lekë. Vetëm pak ditë më parë, bashkë me kuotat janë dërguar për miratim në Ministrinë e Arsimit edhe taksat e reja të shkollimit. Është kjo e fundit që do të vendosë nëse do të pranojë propozimet e bëra apo jo. E ndërsa mendohej se për të ndjekur degët më të kërkuara si drejtësia, ekonomiku apo mjekësia, rritja e pagesës do të ishte shumë më e lartë, ka ndodhur e kundërta. Më e lartë se  asnjëherë tjetër në Universitetin e Tiranës, do të jetë tarifa për ata që do të ndjekin studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Nga sa kanë propozuar drejtuesit e UT,  tarifa vjetore për çdo degë të këtij fakulteti është  85 mijë lekë, nga 15 mijë që ka qenë një vit më parë. Rritje ka pësuar edhe tarifa e studimit në Fakultetin e Drejtësisë, e cila për këtë vit, pritet të jetë 40 mijë lekë, nga 30 mijë që ka qenë vitin e kaluar akademik. I njëjti propozim është bërë për Fakultetin e Mjekësisë. Edhe për këtë fakultet, parashikohet rritje të taksës së shkollimit me 10 mijë lekë, duke e çuar në 40 mijë lekë tarifën e studimit për të gjitha degët e mjekësisë. Ndërkaq i vetmi fakultet i Universitetit të Tiranës që ka përfituar ulje të tarifave të studimit është ai i Histori-Filologjisë. Për vitin e ri akademik 2009-2010, tarifa e propozuar e studimit për të gjitha degët e Filologjikut, është 20 mijë lekë, nga 25 mijë që ka qenë vjet. Më i liri mbetet si gjithnjë Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Për shkallën e vështirësisë që kanë degët e këtij fakulteti, ai nuk preferohet shumë nga të rinjtë. Ulja e tarifës është edhe një lloj stimuli për të rritur numrin e tyre në degë të tilla si biologjia e kimia. Vitin e ardhshëm akademik në Universitetin e Tiranës pritet që të pranohen më shumë studentë. Duke vlerësuar kapacitetet, drejtuesit e tij e kanë parë të udhës që në total numri i kuotave të propozuara të jetë 7700, bashkë me sistemin me kohë të pjesshëm. Fakulteti i ekonomisë do të ketë numrin më të lartë të pranimeve edhe këtë vit. Në të pritet të nisin studimet  plot 1230 ekonomistë të rinj. Po ashtu, një numër i lartë kuotash  është propozuar edhe për Fakultetin e Histori-Filologjisë, Fakultetin e Drejtësisë dhe atë Shkencave të Natyrës. Një tjetër lajm i mirë për Universitetin e Tiranës është edhe nisja e procesit të akreditimit nga një agjenci e huaj brenda këtij muaji.


 Tarifat për Universitetin e Tiranës

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja                 85.000 lekë
Fakulteti i Histori-Filologjisë             20.000 lekë
Fakulteti i Ekonomisë                 25.000  lekë
Fakulteti i Mjekësisë                     40.000 lekë
Fakulteti i Infermierisë                 25 000 lekë
Fakulteti i Drejtësisë                      40.000 lekë
Fakulteti i Shkencave Sociale              30.000 lekë

Fakulteti i Shkencave Natyrore degët:
Informatikë                          30.000 lekë
Biologji                         12.000 lekë
Kimi industriale                     20.000 lekë
Kimi ushqimore                     20.000 lekë
Kimi                             20.000 lekë
Matematikë                         20.000 lekë
Inxhinieri, Matematikë dhe informatikë         15.000 lekë
Fizikë                             13.000 lekë