Përgatitja e dosjes për ta dërguar në Gjykatë. Dokumentet dhe ligjet Mënyra e rillogaritje së pensioneve sipas shembujve konkret


Dr. Kujtim Cako*



Një nga të drejtat dhe liritë themelore të ushtarakëve në pension të parakohshëm apo të plotë pleqërie është e drejta për të jetuar, për të përfituar një pension të llogaritur drejt, jo sipas standardeve të NATO-s apo vendeve të zhvilluara perëndimore. Ushtarakët kërkojnë zbatimin e kuadrit ligjor të vendit tonë; kërkojnë zbatimin e skemës llogaritëse ligjore të pensionit që qëndron në fuqi prej 20 vitesh, qysh nga statusi i parë i ushtarakut që daton më 3 korrik 1991 dhe deri në ditët e sotme.

Duke iu referuar praktikës së deritanishme, rezulton një qëndrim stoik, kundërshtues nga organet e Sigurimeve Shoqërore ndaj kërkesave të ushtarakëve në pension, lirim apo rezervë, për të përfituar këtë të drejtë, për të rillogaritur pensionin, ashtu siç bën dhe vendos gjykata dhe kryen pagesat Zyra Përmbarimore. Në shumicën dërmuese të rasteve, gjykatat, me vendimet e tyre, i kanë dhënë të drejtë ushtarakëve deri në kohët e fundit, kur Gjykata Kushtetuese, me vendimin Nr. 33, datë 24.06.2010, hoqi kufizimet e paligjshme në llogaritjen e pensionit. Në këtë kuptim, kërkesa ligjore e çdo ushtaraku që ka fituar këtë të drejtë, ka qenë e detyruar nga përgjigja e prerë e organeve të Sigurimeve Shoqërore, me përmbajtje: “Drejtojuni gjykatës!”. Mbështetur në veprimet e kundërligjshme, të bëra nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, lidhur me masën e trajtimit me pension të parakohshëm, në nenin 11 të ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar, që përcakton: - “Ankimimet kundër vendimeve për përfitime nga ky ligj bëhen nga gjykata, e cila zgjidh çështjen përfundimisht”, - ushtaraket i janë drejtuar Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore dhe drejtorisë së Përgjithshme të ISSH-së, të cilat, në përgjigjet e tyre, pretendojnë se kanë zbatuar ligjin, ndërkohë që e kanë shkelur atë dhe kanë mohuar të drejtat që i takon ushtarakut me ligj.

Është paradoks mungesa e transparencës nga organet e Sigurimeve Shoqërore, që, edhe në rastet kur një ushtaraku i duhen dokumentet për ta ndjekur të drejtën e tij në rrugë gjyqësore, të mos i jepet dokumenti i llogaritjes së pensionit të tij, metodika e llogaritjes së pensionit, por, apriori, i regjistrohet vetëm masa e pensionit të cunguar në librezën e pensionit dhe, në mjaft raste, nuk i jepet as paga referuese mbi të cilën është llogaritur ose duhet të llogaritet pensioni.

Argumenti ligjor për çdo ushtarak është dhënë në mënyrë koncize në çdo objekt padie, i cili është pothuaj i njëjtë për të gjithë ushtarakët. Natyrisht, masa e së drejtës së fituar, shuma e papaguar e pensionit nuk është e njëllojtë sepse rillogaritja e pensionit është individuale dhe diferencuar. Ajo bëhet në përputhje me pagën referuese, pra, pagën bazë për funksion dhe shtesat, si për gradë ushtarake, e të tjera, dhe me vjetërsinë në shërbim ushtarak që ndryshon për çdo ushtarak. Ndërsa metodika e llogaritjes është e njëjtë. Vlen të theksohet se vendimet e gjykatës kanë një përmbajtje afërsisht: “Të rillogaritet pensioni sipas dispozitës ligjore në fuqi dhe të paguhen nga drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore pagesat e pensionit të papaguara në afat, qysh nga momenti i lindjes së përfitimit të kësaj të drejte”. Duke iu referuar procedurave ligjore, mundet në mënyrë analitike të bëhet më e qartë dhe më e kuptueshme praktika ligjore e së drejtës për çdo ushtarak, si një e drejtë juridike që shtrihet në fushën morale, sociale, ekonomike dhe financiare, me efektet përkatëse pozitive në nivelin jetësor të këtij grupi social.



Objekti i padisë dhe baza juridike



Në dhjetëra gjyqe, objekti i padisë i ushtarakëve është pothuajse i njëjtë dhe modeli i formulimit është në dy aspekte; rillogaritje pensioni dhe indeksimi i tij sipas koeficienteve të miratuar për çdo vit. Një objekt i tille ka përfshirë detyrimin e drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për sa vijon:



1 – Rillogaritjen e masës së pensionit për vjetërsi shërbimi, sipas nenit 11, germa “a” e “b” të ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar, duke njohur atë si masë përfundimtare dhe pagimin e diferencës; për shembull, që nga data 01 01 1999.

Datimi i saktë për çdo ushtarak para kësaj date të llogaritjes për herë të parë të pensionit, ose pas saj, është data individuale e ushtarakut, e daljes në lirim apo rezervë.

Mbi këtë bazë do të llogaritet diferenca e pensionit të papaguar për tërë periudhën e përfitimit, që i takon çdo ushtaraku, si një drejtë e pa parashkrueshme; që nuk humbet. Kjo shumë përfaqëson një borxh të ligjshëm në likuiditete ( CASH) të organeve të Sigurimeve Shoqërore ndaj çdo ushtaraku.



2- Indeksimin e masës së pensionit për vjetërsi shërbimi, llogaritjen e shtesës së pensionit që duhet t`i shtohet shumës, sipas rillogaritjes që rezulton, sipas pikës së parë për t`u paguar nga data që ka lindur e drejta e përfitimit; si për shembull, nga data 01. 01. 1999. Kjo datë saktësohet për çdo ushtarak, si datë individuale e ushtarakut e daljes në lirim, në rezervë, pension të parakohshëm apo pension të plotë pleqërie.



Baza ligjore për këtë është mjaft bindëse, solide, pa ekuivoke, pa interpretime dhe skemë mjaft e qëndrueshme në gati dy dekada si:

- Kodi i Procedurës Civile në fuqi: - Nenet: 31, 32/a, 153, 154.

- Ligji Nr. 8087, datë 13 03 1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosua të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit”, i ndryshuar: - Neni 11.

- Ligji Nr. 9210, datë 23 03 2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, - Neni 49, dhe për periudhën e mëparshme, statusi i 3 korrikut të vitit 1991.

- Ligji Nr. 9481, datë 16 02 2006 “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosua të Republikës së Shqipërisë”: - neni 4, pika 2.

- Ligji Nr. 9377, datë 21 04.2005 “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimin shoqëror në Republikën e Shqipërisë”: - Neni 20.

- Vendimi Nr. 60, datë 18 01 2005; Nr. 19, datë 28 01 2005 i Gjykatës së Lartë.



Natyrisht, gjykata kërkon nga çdo ushtarak të jepen gjeneralitete si; arsimi ushtarak e civil, zotësia e plotë juridike ose jo, i padënuar ose i dënuar, i vetë-përfaqësuar në gjyq, me detyrë si ushtarak i shërbimit aktiv, me status ushtarak në lirim, në pension të parakohshëm ose pleqërie për vjetërsi shërbimi.

Në datën e caktuar me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, Nr… datë…,çdo ushtarak është titulluar, oficer aktiv. Që prej kësaj date e deri më datën e lirimit ka shërbyer dhe ka kryer detyra të ndryshme në reparte të ndryshme të FA të Republikës së Shqipërisë. Më datën e caktuar, me urdhër ministri; Nr.. datë …për shkak të reformës në FA të RSH, është nxjerrë në rezervë. Prej datës 01 01 1999, mbi bazën e nenit 11 të ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për Sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, fillon trajtimi me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë. Midis trajtimit faktik që është bërë e bëhet dhe formulës së përcaktuar për fitimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, nga neni 11 i ligjit Nr. 8087, datë 13 03 1996 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakut të Forcave të Armatosua të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, konstatohet se nuk është vlerësuar dhe llogaritur drejtë pensioni nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore.

Ne nenin 11 të këtij ligji shprehet: “Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, që kanë dalë në rezervë…përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit: 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat dhe të kenë mbushur moshën: gratë 42 vjeçe dhe burrat 47 vjeç.

Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të jetë;

a. 50% të pagës referuese mbi të cilin është derdhur kontributi.

b. për çdo vit të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese, por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi”. Ky përcaktim nuk lë vend për keqinterpretim. Ai njeh si kohë minimale shërbimi për të përfituar pensionin e parakohshëm 12 vite për femrat dhe 15 vite për meshkujt. Për këtë kohë minimale garanton një masë pensioni 50% të pagës referuese të çastit të lindjes së të drejtës së trajtimit me këtë pension. Mbi këtë vjetërsi të masës minimale të pensionit, shton 2% të pagës referuese për çdo vit tjetër. Germa “b” shpreh qartë se: Masa e pensionit, e caktuar sipas saj, i shtohet masës së pensionit të caktuar në germën “a”. Vet shprehja “i shtohet”, bën fjalë për diçka tej asaj ekzistuese, pra, tej 50 përqindëshit për 12 vitet e vjetërsisë për femrat dhe 15 vitet për meshkujt.



Kështu, për argument, po japim disa vendime të Gjykatës së Apelit Tiranë: Vendimi Nr. 179, datë 29 01 2008 dhe 899, datë 08 05 2008, i Gjykatës së Apelit Tiranë ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pranimin e kërkesëpadisë dhe detyrimin e palës së paditur, DRSSH Tiranë që të paguajë pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas nenit 6 të ligjit Nr. 8521, datë 30 07 1999.

Vendimi Nr. 905, datë 08 05 2008; Nr. 1932, datë 03 12 2008, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë që detyron DRSSH Tiranë të rillogarisë dhe paguajë pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, në zbatim të nenit 6 të ligjit Nr. 8521, datë 30 07 1999. Këtyre u shtohen edhe vendimet: Nr. 783 datë 27 04 2010; Nr. 961, datë 26 05 2010 si dhe një sërë vendimesh të tjera, që detyrojnë rillogaritjen sipas nenit 11 të Ligjit Nr. 8087, datë 13 03 1996, i ndryshuar; pagimin e diferencave dhe indeksimin e masës së pensionit.

Disa Vendime të Gjykatës së Lartë që mund të japim si argumente janë: Vendimi Nr. 60, datë 18 01 2005 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, vendos mospranimin e rekursit të paraqitur nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Kukës, që kërkon prishjen e vendimit Nr. 55, datë 30 03 2004 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës dhe vendimit Nr. 173, datë 16 07 2004 të Gjykatës Apelit Shkodër;

Vendimi Nr. 14, datë 28.01.2005 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, vendos refuzimin e kërkesës së paraqitur nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Kukës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë Nr. 55, datë 30 03 2004 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës dhe vendimit Nr. 173, datë 16 07 2004.

Të gjitha këto detyrojnë çdo ushtarak të kërkojë: rillogaritjen dhe pagimin e masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, në përputhje të plotë me nenin 11 të ligjit Nr. 8087, datë 1303 1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosua të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit”.

2. Çdo ushtarak, në mënyrë mjaft transparente, mundet të njohë metodikën dhe të bëjë rillogaritjen e pensionit dhe indeksimin e tij, sipas të drejtës ligjore të fituar.



Sipas skemës ligjore të llogaritjes që është në fuqi gjatë një kohe shumë të gjatë, qysh nga 3 07 1991 mund të japim një shembull shumë kuptimplotë dhe të qartë llogaritjeje për një ushtarak që paga referuese e tij ka qenë 30.650 lekë në muaj dhe ka pasur një vjetërsi shërbimi 21 vite punë.

Në kundërshtim me ç’ka jep e garanton neni Nr. 6 i këtij ligji, 50% e pagës referuese 30.650 lekë është e barabartë me 15 325 lekë, për 15 vjet, plus 12% për 6 vjet mbi 15 vjet të pagës referuese 30 650 del 3 678 lekë; Gjithsej, sipas germës “a” dhe “b” gjithsej 19 003 lekë në muaj. Sipas kësaj, Drejtoria Rajonale e Sigurimit Shoqëror duhet të paguajë si pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi më datën 01 01 1999, masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi; 8 000 lekë: Me këtë, pensioni i lidhur nuk zbaton asnjë nga elementët e skemës së trajtimit me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Ai rrëzon dhe mohon plotësisht kriteret bazë të llogaritjes; si vlerën e vjetërisë së shërbimit dhe pagën referuese.

Nga kufizimi i gjithë masës së pensionit në masën 8 000 lekë, sa pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi, është mohuar e drejta për të marrë pension që ushtarakut i takon:

- sipas germës “a”, 50% të pagës referuese 30 650 lekë në muaj, për 15 vjet vjetërsi shërbimi, baraz me 15 325 lekë, pra (30650 lekë X 50 % ).

- sipas germës “b”, për çdo vit shërbimi, mbi 15 vjet, 2% të pagës referuese 30 650 lekë, pra, për 6 vjet, e cila arrin në 12%, ( 6 vjet x 2 %), e barabartë me 3 678 lekë pra (30 650 lekë x 12 %).

Atëherë, në total, pensioni, sipas skemës së përfitimit, do të ishte 15. 325 + 3.678; gjithsej 19 003 lekë në muaj, në mbështetje dhe për zbatim të nenit 6 të ligjit Nr. 8521, datë 30 07 1999 “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 8087, datë 13 03 1996 ...”. Si rrjedhim, diferencës 11.003 lekë (19.003 - 8.000) të papaguar, duhet shtuar edhe rritja mujore e pensioneve në shumë absolute, që është bërë çdo vit, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave.

Argumenti juridik vazhdon si nga data14 maj 2004, kur ka hyrë në fuqi ligji Nr. 9210, datë 23 03 2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, i cili, me nenin 49 të tij ka ndërhyrë drejtë për së drejti në nenin 11 të ligjit Nr. 8087, datë 13 03 1996 i ndryshuar, shprehja "por, jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi" nuk ekziston. Kjo vërtetohet nga përcaktimi i këtij neni se: “…shprehja "por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi" në shkronjën "b" të nenit 11 të ligjit Nr. 8087, datë 13 3 1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror", i ndryshuar, si dhe të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore, që janë në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji, shfuqizohen.”. Me këtë, ajo që ka mbetur në fuqi për zbatim nga neni 11 është: “Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm që kanë dalë në rezervë apo lirim pas datës 03 07 1991 deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie, sipas ligjit Nr. 7703, datë 11 05 1993 ”Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarak në masën 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat dhe të kenë mbushur moshën: gratë 42 vjeçe dhe burrat 47 vjeç.

























Pensioni i ushtarakëve si bëhet indeksimi sipas viteve



Shuma e parave që iu detyrohet ISSH-ja ushtarakëve në pension

AKUSH kërkon unifikimin e vendimeve nga Gjykata e Lartë





Masa e pensionit të parakohshëm



Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të jetë:

a. 50% të pagës referuese mbi të cilën është derdhur kontributi;

b. për çdo vit të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese”. Por, edhe pas këtij realiteti të ri, pala e paditur nuk ndryshoi qëndrim. Për rrjedhojë, masa e pensionit që më jepet nuk ka ndryshuar.

Bazuar në këto, çdo ushtarak mund të kërkojë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor përkatës, qoftë në Tiranë apo rrethet e tjera, vendimin për trajtimin me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë e gjetkë; në zbatim të germave, “a” dhe “b”, së bashku dhe nenit 11 të ligjit Nr. 8087, datë 13 03 1996, i ndryshuar dhe detyrimin e saj për të rillogaritur dhe pagimin e diferencave të pensionit sipas shembullit të marrë nga data 01 01 1999. Rillogaritja e pensionit sipas ligjit mund të paraqitet sipas pasqyrës që vijon:



XXXXXXXXXXXX



Në kolonën e parë jepet periudha e përfitimit, në kolonën e dytë, pensioni që ka dhënë Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore, në vijim, rritja në përqindje, por që nuk aplikohet mbi shifrën e pensionit të dhënë, sepse veprohet me shifrën pasardhëse në shumë absolute të përcaktuar, sipas vendimeve të Këshillimi të Ministrave: kolona ”Pensioni që i takon” ushtarakut “XY” është rezultat i rillogaritjes së mësipërme sipas ligjit në fuqi. “Masa për kthim” është diferenca e pensionit të papaguar që shumëzuar me muajt që e përfiton, jep shumën 33.009 lekë, pra ( 11. 003 x 3 muaj). Në rreshtin e dytë dhe deri në fund llogaritet “Masa e pensionit për kthim”, si rezultat i shumës së “pensionit që i takon” plus “rritjen e pensionit” që është bërë në 1 maj të vitit pasardhës (2000). Kjo do të thotë: 19. 003 + 1.900, e barabartë me 20.903 lekë pensionin që ushtarakut i takon dhe kështu, me radhë, veprohet për çdo vit. Në këtë mënyrë mund të llogaritet efekti financiar nga rillogaritja për çdo vit dhe shuma për tërë periudhën deri në datën e vendimit të gjykatës, që në këtë rast, kjo do të ishte rreth 2. 457 mijë lekë (shih shumën totale të pasqyrës së mësipërme).

Faktori i indeksimit, llogaritja e tij, sjell një rritje tjetër të pensionit të ushtarakut.

Kjo do të thotë që kësaj shifre e cila rezulton nga faktori i parë, rillogaritja e pensionit që ushtarakut i takon sipas ligjit (shifra e pasqyrës së parë) duhet t`i shtohet edhe efekti financiar i faktorit të dytë që vjen si rezultat i indeksimit.

Neni 18 i ligjit Nr. 8087, datë 13 03 1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH”, i ndryshuar, me përcaktimin: “Përfitimet suplementare të pensioneve indeksohen sa herë indeksohen pensionet e pleqërisë”, detyron indeksimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Kjo kërkesë e ligjit nuk është zbatuar nga sigurimet shoqërore, duke e konsideruar indeksimin si të realizuar me rritjen e masës së pensionit, sipas përqindjeve të përcaktuara me vendimet e Këshillit të Ministrave. Siç dihet, indeksimi bëhet çdo 1 maj të çdo viti, në bazë të koeficienteve që përcaktohen me vendim qeverie. Mosindeksimi është në kundërshtim me nenin 20 të ligjit Nr. 9377, datë 21 04 2005, pasi pensionet indeksohen për të përballuar pasojat e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës. Nisur nga këto tregues, duhet kërkohet, që nga data 01.01.2006 të bëhet indeksimi i masës së pensionit dhe të paguhet shuma që rezulton për gjithë periudhën.



- Neni 27 i ligjit Nr. 9418, datë 20 05 2005, përcakton: “Përfitimet suplementare të pensioneve dhe pagesa kalimtare indeksohen sipas indeksimit të pensioneve, të përcaktuara në ligjin Nr. 7703, datë 11 05 1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Indeksimi sipas nenit 20 të ligjit Nr. 9377, datë 21 04 2005 që ndryshon nenin 61 të ligjit Nr. 7703, datë 11 05 1993 “Për sigurimin shoqëror në RSH”, nuk ka të bëjë me rritjen në masën së pensionit në përqindje të përcaktuar me vendimin e Këshillit të Ministrave, por, me përballimin e rritjes së çmimeve për mallrat e shërbimet jetike. “Pensionet e pleqërisë, invaliditetit, dhe ato familjare indeksohen çdo vit, për të përballuar pasojat e çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve, të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës…”, - thuhet në një nga nenet e ligjit.

Për të bërë këtë indeksim është përcaktuar që koeficienti, sipas pasqyrës që vijon:



Pasqyra e Koeficienteve të Indeksimit, sipas viteve 1999 deri 2010

- për vitin 1999 koeficienti është 1.09

- për vitin 2000 koeficienti është 1.07

- për vitin 2001 koeficienti është 1.14

- për vitin 2002 koeficienti është 1.09

- për vitin 2003 koeficienti është 1.10

- për vitin 2004 koeficienti është 1.12

- për vitin 2005 koeficienti është 1.02

- për vitin 2006 koeficienti është 1.04

- për vitin 2007 koeficienti është 1.00

- për vitin 2008 koeficienti është 1.00

- për vitin 2009 koeficienti është 1.00,

- për vitin 2010 koeficienti është ende i panjohur



Zbatimi i këtyre koeficienteve të indeksimit që në shumicën e rasteve të përllogaritjes së masës së pensionit nuk figuron nga organet përkatëse, por duhet pasur parasysh deri në zyrat e Përmbarimit, do të sjellë një shtesë pensioni të caktuar, që, për shembullin e pasqyrës Nr. 1 është afërsisht me një efekt financiar mbi 200 mijë lekë të reja.



Si konkluzion, çdo ushtarak kërkon të drejtën ligjore të fituar, pra, pagimin e diferencave të pa paguara në afat, dhe në këtë rast, nga data 01 01 1999 ose edhe më përpara për këto arsye:

- Sipas nenit 11 të ligjit Nr. 8087, datë 13 03 1996, të ndryshuar, masa e pensionit është 50% e pagës referuese për 12 vjet femrat e 15 vjet meshkujt, duke i shtuar kësaj mase për çdo vit tjetër vjetërsie 2% të pagës referuese, (po me kusht që kjo shtesë të mos kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi).

- Nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, është dhënë një pension i barabartë, sa pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi, që në fillim ka qenë 8000 lekë.

- Për shkak të diferencës që ekziston midis masës së pensionit, sipas ligjit dhe masës së pensionit të dhënë, bazuar në pikë 3 të nenit 31 të ligjit Nr. 9418, datë 20 05 2005 “Për sigurimin shoqëror të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar që përcakton: “3. Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë.”

Nisur nga kjo bazë ligjore, kërkohet që t`i paguhet çdo ushtaraku në pension për shkak të reformës në Forcat e Armatosura apo të pleqërisë, diferenca që rezulton nga rillogaritja plus indeksimin për të gjithë periudhën, nga data e fillimit të trajtimit me pension e deri më sot

Këtë kërkesë e bazojmë edhe në vendimin Nr. 783, datë 27 04 2010 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili shprehet se: “...askujt nuk mund t’i mohohet njohja e të drejtave të sanksionuara nga Kushtetuta dhe ligji specifik, për shkak të mosveprimit të organeve shtetërore kompetente në marrjen e masave me karakter financiar për realizimin e këtyre të drejtave”.



Kjo rrugë gjyqësore, relativisht e gjatë, që zgjat mesatarisht mbi 1 vit për çdo ushtarak, do të zëvendësohej shumë mirë me një vendim unifikues nga Gjykata e Lartë, të cilin shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë” e ka kërkuar zyrtarisht dhe siç e kemi theksuar edhe një herë do të kursehen miliona lekë buxhetit të shtetit, duke pasur parasysh, minimalisht rreth 10.000 gjyqe të kësaj natyre që mund të zhvillohen për të njëjtin objekt padie, siç theksohet më lart. Pse duhet të merren akoma më tej zyrat përmbarimore për pagesën dhe pse organet e Sigurimeve Shoqërore nuk mbajnë parasysh dhe të bëjnë freskimin e kartelave të pensioneve, aktualizimin, sipas vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe titujve ekzekutiv?!



*President i shoqatës “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”



Marrja e pensionit sipas ligjeve, një udhëzim për ushtarakët



Në numrin e sotëm gazeta “Albania” sjell një udhëzim të plotë dhe të detajuar për të gjithë komunitetin e ushtarakëve në pension të parakohshëm dhe të plotë në mënyrë që të marrin shumën e parave që iu takon sipas ligjit. Doktori i Shkencave Ekonomike, Kujtim Çako ka përgatitur materialin që sqaron skemën e përllogaritjes së masës së pensionit sipas vjetërsisë së punës, duke u ndalur në shembuj konkret dhe bazën ligjore ( Statusi, ligjet, udhëzimet dhe vendimet e gjykatave të shkallëve të ndryshme). Çdo ushtarak që konstaton se i është bërë përllogaritja e gabuar e masës së pensionit nga ISSH-ja, këtu gjen udhëzimin e duhur për tu përgatitur në rrugën gjyqësore në mënyrë që të përfitojë ajo që ka derdhur kontributet gjatë viteve të punës. Po ashtu, në këtë material jepen të dhëna për mënyrën e gabuar të përllogaritjes së pensioneve të ushtarakëve që nga viti 1999 dhe shumat e parave që iu detyrohet shteti. Prej disa kohësh Aleanca e Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë ka kërkuar nga Gjykata e Lartë që të bëjë unifikimin e vendimeve për pensionet e ushtarakëve, pasi një gjë e tillë do të kishte përfitime, qoftë për ushtarakët, qoftë për shtetin dhe do të zgjidhte keqkuptimet dhe zvarritjet burokratike në të gjitha institucionet e shtetit. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Aleanca kërkoi rivendosjen në afat nga qeveria, Kuvendi, por edhe Gjykata Kushtetuese të të drejtave të mohuara, para se ushtarakët ti drejtohen Gjykatës së Strasburgut.





20 Korrik 2010