V E N D I M

PëR

KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QENDRëS Së TRAJNIMIT Të ADMINISTRATëS TATIMORE DHE DOGANORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës  dhe të nenit 10, të ligjit nr.9000,     datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”,  me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Qendrës së Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore (më poshtë Akademia), si person juridik, publik, në varësi të ministrit të Financave, me seli në Tiranë.
 2. Akademia siguron formimin profesional të administratës tatimore dhe doganore, i  cili përfshin trajnimin:  a)  në periudhën e provës;
 b)  për zhvillimin e karrierës
; c)  për përshtatje profesionale, në rastet e ndryshimit të kërkesave të vendit të punës, sipas ligjeve të fushës;
 ç)  me karakter të posaçëm për kryerjen e detyrave të veçanta;
 d) për zhvillimin e njohurive profesionale.
3. Organet drejtuese të kësaj akademie janë :
a) Drejtori;
b) Bordi .
4. Bordi ka këto detyra:
 a) Përcakton çdo vit programet e trajnimit të detyrueshëm dhe atij fakultativ të akademisë;
b) Merr vendime për veprimtarinë e akademisë;
c) Një herë në vit, miraton tarifat:
-  për kurset e trajnimit bazë në administratën tatimore ose doganore, për personat që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtyre administrative;
-    për trajnimin e personave, që janë në periudhë prove;
-  e tjera për kurset fakultative;
ç) Miraton kriteret shtesë, që duhet të plotësojnë trajnuesit;
d) Miraton statutin dhe rregulloren e brendshme të Akademisë.
5. Bordi, i cili ngrihet me urdhër të ministrit të Financave, kryesohet zëvendësministri i  Financave dhe ka në përbërje:
- Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve;
- Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave;
- Drejtorin e Drejtorisë së Politikave Fiskale e Makroekonomike, në Ministrinë e Financave;
- Drejtorin e Akademisë.
6. Shpërblimi i anëtarëve të bordit, me përjashtim të drejtorit të Akademisë, do të jetë 30% e pagës së sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, për kryetarin, dhe 20%, për anëtarët e tjerë.
Paga e drejtorit të Akademisë është e njëjtë me atë të drejtuesve të institucioneve qendrore, në varësi të Ministrisë së Financave.Pagesat për nëpunësit e punonjësit e tjerë me kohë të plotë do të bëhen në përputhje me strukturën e miratuar nga Kryeministri.
8. Drejtori emërohet nga ministri i Financave.  Drejtori, përveç kërkesave të tjera në përputhje me dispozitat, që rregullojnë emërimin e drejtuesve të institucioneve qendrore, duhet të plotësojë edhe këto kërkesa:
a) Të jetë mbi 30 vjeç;
b) Të ketë diplomë të arsimit të lartë në degët ekonomi apo drejtësi;
c) është e preferueshme të ketë gradë shkencore në administrimin apo menaxhimin publik; ç) Të mos ketë masa disiplinore të largimit nga administrata publike për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore dhe të mos jetë larguar nga shërbimi civil për paaftësi në kryerjen e detyrave.
9. Drejtori ka këto detyra:
a) Përfaqëson akademinë në marrëdhëniet me të tretët;
b) Harton rregulloren e brendshme të akademisë, të cilën ia paraqet për miratim bordit;
c) Zbaton vendimet e bordit;
ç)Lidh marrëveshje me qendra homologe dhe donatorë të ndryshëm, me miratimin e bordit;
d) I Raporton  bordit, një herë në gjashtë muaj, për veprimtarinë e qendrës, si dhe ministrit të Financave, një herë në vit; dh) Me miratimin e bordit, lidh kontratat e punës me trajnuesit e përhershëm të sistemit full-time; e) Lidh kontratat me trajnuesit e sitemit part-time, si dhe me trajnues të huaj, sipas kritereve dhe shpërblimeve, të miratuara nga bordi;
ë) Lidh kontrata pune me punonjësit e administratës së akademisë, sipas kritereve të miratuara nga bordi dhe në përputhje me organikën e miratuar;
f)Drejton stafin e akademisë si dhe të trajnuesve të përhershëm të sistemit full-time dhe bashkërendon punën ndërmjet tyre;
g) Përgatit dhe  ndjek zbatimin e programit të trajnimit në çdo fushë, pas miratimit nga bordi;
 gj) Përgatit  projektbuxhetin e akademisë;
 h) Lëshon certifikatat, të cilat vërtetojnë kryerjen me sukses të trajnimit për çdo nëpunës, në mbështetje të vlerësimit të bërë nga trajnuesit e përhershëm.
10. Stafi i trajnuesve të përhershëm përbëhet nga gjashtë persona, të cilët kanë këto detyra: a) Të sigurojnë mbështetjen administrative për organizimin e trajnimeve;
b) Të monitorojnë plotësimin e programeve nga trajnuesit e sistemit part-time;
c) Të sigurojnë respektimin e programit të trajnimit të institutit;
ç) Të bëjnë vlerësimin e rezultateve të trajnimit, për çdo nëpunës dhe në rastet e vlerësimit pozitiv, t'i propozojnë drejtorit, lëshimin e certifikatës përkatëse;
d) Të paraqesin propozimet e tyre për programin e trajnimit te drejtori i akademisë.
11. Trajnuesit e kontraktuar me kontarta part-time, përveç kritereve shtesë, që mund të miratohen nga bordi për programe të veçanta, duhet të jenë:
a) pedagogë universitarë në fushën e legjislacionit, ekonomisë/financës, administratës publike  apo menaxhimit publik; b)  të punësuar në poste drejtuese në administratën publike, me përvojë pune, të paktën 5- vjeçare;c) profesionistë të liçencuar  që ushtrojnë profesionin në sektorin privat; ose
ç) specialistë të huaj.
12.  Të ardhurat dhe pasuria e akademisë përbëhen nga:
a) Financimi nga buxheti i shtetit
 ;b) Pagesat për trajnimin bazë në administratën tatimore dhe doganore;
c) Pagesat për trajnimin në kurse me karakter fakultativ;
c) Dhurimet dhe të ardhurat e siguruara nga dhurues të ndryshëm, vendas dhe të huaj, të interesuar për zhvillimin e administratës publike dhe, që nuk cenojne qëllimin dhe funksionimin e akademisë.
Buxheti i akademisë është pjesë e buxhetit të Ministrisë së Financave.
13. Trajnimi  pranë Akademisë është i detyrueshëm për të gjithë punonjësit e këtyre administratave. Kurset organizohen për punonjësit në periudhë prove si dhe në vazhdimësi për punonjës të tjerë, sipas një grafiku të hartuar në përputhje me listat emërore të paraqitura nga drejtoritë përkatëse. Gjatë kohës së trajnimit nëpunësi merr pagën e plotë. Në përfundim të çdo kursi, organizohet provimi i vlerësimit të dijeve të marra. Vlerësimi i dhënë në perfundim të provimit bëhet pjesë e vlerësimit vjetor të të punësuarit në administratën tatimore apo doganore. Punonjësit në periudhe prove, të cilët nuk kalojnë provimin e vlerësimit të organizuar pranë Akademisë, nuk konfirmohen për përfundimin me sukses të periudhës së provës. 
14. Bordi, në përputhje me natyrën e akademisë dhe për çështje të lidhura me objektin e punës së Ministrisë së Financave dhe të organeve, në varësi të saj, mund të vendosë edhe organizimin e programeve të tjera me karakter fakultativ. Këto programe nuk janë të detyrueshme dhe mund të ndiqen nga persona, që dëshirojnë të bëhen pjesë e administratës tatimore apo nga nëpunës të administratës shtetërore, të cilët dëshirojnë të thellojnë njohuritë në fusha specifike tatimore apo doganore.
15. Trajnimi mund të organizohet pranë Akademisë apo në mjedise të tjera të organizuara në bazë qarku, në të gjithë Shqipërinë.
16. Struktura dhe organika e Akademisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Financave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
 
 16/12/2009