V E N D I M


 


                                                                        PER



FONDIN E VEÇANTË NË INSTITUCIONET BUXHETORE



Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë”, të nenit 18, të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, dhe të ligjit nr. 8487, datë 13.5.1999, “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave



                                                           V E N D O S I :


1. Në institucionet buxhetore, institucionet e pavarura dhe në njësitë e qeverisjes vendore të krijohet një fond i veçantë, në masën 5 për qind të fondit të planifikuar të pagave, i cili të përdoret nga drejtuesit e institucioneve për shpërblimin e punonjësve, për rezultate të mira në punë, për shpërblimin në fund të vitit, për dhënie ndihmash të menjëhershme, në raste fatkeqësish dhe raste të tjera të kësaj natyre, si dhe për veprimtari social-kulturore.


2. Shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit, për çdo punonjës, nuk duhet të jetë më shumë se 1 (një) pagë mujore. Ky shpërblim, në ministritë dhe institucionet qendrore, të cilat janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, jepet në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin e shërbimit civil. Edhe në rastet kur me ligje të veçanta masa e shpërblimit është më e madhe se një pagë mujore, kjo do të përballohet nga ky fond i veçantë.


3. Shpërblimi në fund të vitit i jepet çdo punonjësi buxhetor, në masën 10 000 ( dhjetë mijë) lekë, pavarësisht shpërblimit sipas pikës 2, të këtij vendimi, i cili të përballohet nga fondi i veçantë.


4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti vjetor, i miratuar për çdo institucion.


5. Ngarkohet Ministria e Financave për nxjerrjen e udhëzimit përkatës.


6. Vendimi nr.434, datë 28.6.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për fondin e veçantë në institucionet buxhetore”, shfuqizohet.


Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.



                                                             K R Y E M I N I S T R I
 


                                                                 SALI BERISHA