Gjykata e Tiranës i kërkon informacion palës suedeze për statusin ligjor të 10-vjeçares. Anila Haklaj, e veja e Fatmir Haklajt të vrarë në Tropojë 10 viet më parë, padit vjehrrin dhe kërkon rikthimin e së bijës. 

TIRANE-  Drejtësia shqiptare u kërkon autoriteteve suedeze informacion mbi statusin që gëzon Fatmira Haklaj, vajza e Fatmir Haklajt, një prej njerëzve më të shumëpërfolur në Tropojë, i cili u ekzekutua gjatë një prite të organizuar dhjetë vjet më parë. Vetëm pasi të ketë në dorë të gjithë informacionin e detajuar mbi statusin e fëmijës, atëherë Gjykata e Tiranës do të dalë me një vendim lidhur me padinë që ka bërë nëna e vajzës, Anila Haklaj. E veja e Fatmir Haklajt ka paditur në gjykatë vjehrrin, Muharrem Haklaj dhe kërkon t’i rikthehet vajza, të cilën prej të paktën katër vjetësh nuk e ka parë. “Gjykata ka vendosur të marrë informacion për jetën e vajzës. Kur ka mbërritur në Suedi, mënyrën e aplikimit për azil, statusin që gëzon, jetën që bën në këtë vend, etj”, - tha një burim nga gjykata. Në këtë mënyrë, gjykata do të vendosë nëse është i drejtë rikthimi i vajzës 10-vjeçare pranë së ëmës.
Procesi
Padia e Anila Haklajt ndaj prindërve të ish-bashkëshortit të saj, Fatmir Haklaj, të cilësuarit si “miti” i Tropojës, ka nisur të shqyrtohet prej disa muajsh. Pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve, gjykata ka vendosur t’u drejtohet autoriteteve suedeze për të mësuar për fatin e vajzës. Megjithëse është vënë në dijeni se Fatmira Haklaj, lindur me 9 nëntor 1999, gëzon statusin e azilantes politike, për shkak se nga hasmëritë e shumta të familjes i rrezikohet jeta në Shqipëri, gjykata një informacion të tillë kërkon ta marrë zyrtarisht nga autoritetet përkatëse. Deri atëherë, gjykata nuk mund të dalë me një vendim dhe procesi duket se do të ngecet në vend. E vetmja mënyrë për t’u mbyllur një proces i tillë, është që paditësja, në këtë rast Anila Haklaj, të heqë dorë nga padia e saj, ose ta zgjidhë me pajtim me prindërit e bashkëshortit të saj të ndjerë, Fatmirit.
Historia
Pesë ditë pas vrasjes së bashkëshortit të saj, Fatmirit, Anila Haklaj sjell në jetë vajzën që e pagëzon me emrin Fatmira. Pas fatkeqësisë, Anila detyrohet të shkojë në shtëpinë e saj, ndërsa vajzën e mbajnë prindërit e Fatmirit. Fillimisht, ajo takohej me vajzën, por katër vitet e fundit nuk e kishte parë më, derisa mëson se krijesa e saj ndodhej në Suedi. Duke mos pasur asnjë mundësi tjetër, Anila Haklaj iu drejtua gjykatës që të detyronte prindërit e të shoqit për t’i sjellë vajzën, që sikurse pretendon, ia kanë dërguar në Suedi pa e pyetur më parë atë. Do të jetë gjykata e cila do të vendosë për fatin e padisë së Anila Haklajt, të vetmes nga familja Haklaj që nuk mundi të fitonte statusin e azilantes.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)