24/04/2009  Marrja e dozave sipas moshës së caktuar në kalendarin e vaksinimit ofrohet falas pranë qendrave shëndetësore


Poliklinikat në të gjithë vendin do të shpërndajnë vaksinën te fëmijët e lindur nga 1 janari i 2009-s


Vaksinimi i fëmijëve sipas kalendarit të përcaktuar nga mosha 0 deri në 14 vjeç do të ndihmojë në mbajtjen larg të sëmundjeve infektive që prekin këtë kategori, të cilat llogariten të jenë dhe shkaktari kryesor i nivelit të lartë të vdekshmërisë foshnjore në vendin tonë. Për këtë specialistët e shëndetit publik pohojnë se prindërit duhet të tregojnë kujdes në respektimin e afateve të paracaktuara, kur fëmijët e tyre duhet të paraqiten për marrjen e dozës së vaksinës për secilën nga sëmundjet përkatëse. Zhvillimi i vaksinave nuk duhet të ndërpritet pas moshës 5 apo 6 vjeç, sikundër ndodh rëndom në vendin tonë, pasi kjo ndikon në mossigurimin e duhur të imunitetit që trupi duhet të ketë ndaj sëmundjeve. Sipas kalendarit kombëtar të vaksinave, marrja e tyre përfundon në moshën 14-vjeçare, me dozën e fundit kundër sëmundjes së tetanosit. Ndërkohë, duke filluar nga janari i këtij viti, në vendin tonë është futur një vaksinë e re, e cila krijon imunitetin e duhur trupor kundrejt pesë sëmundjeve. Vaksina e re është në formë të lëngshme, përmban vetëm një dozë, që do të thotë një flakon për një fëmijë (më parë jepej e ndarë në vaksina të veçanta dhe fëmija shpohej disa herë për të marrë dozat e caktuara). Aktualisht të gjithë fëmijët që kanë lindur nga 1 janari i këtij viti do të marrin pranë poliklinikave vaksinën e re, e cila parandalon njëkohësisht 5 sëmundje të rëndësishme: difterinë, tetanosin, kollën e mirë, hepatitin B si dhe sëmundjen e meningjitit. Kjo lloj vaksine do të shërbehet falas, aplikimi i saj do të zëvendësojë tri vaksina të tjera, që për bebet që nuk kanë mbushur ende vitin bëheshin të ndara. Menaxherja e kalendarit të vaksinimit që aplikohet në vendin tonë, Erida Nelaj, ka pohuar dje se shumë shpejt pritet që të shtohen edhe dy vaksina të reja. Ndoshta do të futet pneumokoku dhe më pas rotavirusi, të cilët shkaktojnë një sërë problemesh te fëmijët e vegjël. Sipas Nelajt, gjatë viteve të fundit është rritur sensibilizimi i prindërve për të vaksinuar fëmijët, teksa garanton sigurinë e injeksioneve.“Mbulesa vaksinale në Shqipëri është shumë e lartë, është mbi 95 për qind dhe në dozat e para arrin mbi 98 për qind. Injeksionet janë shumë të sigurta, përveç sigurisë që ofrojnë vaksinat, sepse vaksinat që ne përdorim janë të prekualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, - pohon Nelaj.


Vaksina e re


Kalendarit kombëtar të vaksinimit në vendin tonë tashmë i është shtuar dhe një vaksinë e re, e cila në një dozë të vetme lufton pesë sëmundje të rënda infektive. Vaksinimi i parë bëhet kur fëmija është dymuajsh dhe është një vaksinë që e mbron nga shumë patologji të sistemit respirator, por dhe nga një patologji mjaft e rëndësishme, si meningjiti, që shkakton vdekshmëri mjaft të lartë, nëse nuk trajtohet që në këtë moshë.


Meningjiti


Efektet e vaksinës së re janë veçanërisht kundrejt sëmundjes së meningjitit. Kjo e fundit shkaktohet nga bakteri Haemophilus Influenzae i tipit B. Ky është një bakter që infekton hundën dhe fytin, duke vazhduar më tej në pjesë të tjera të trupit, si: mushkëritë, cipat e trurit, zemrën, kyçet, kockat dhe lëkurën, por mund të shkaktojë një sëmundje shumë të rëndë të quajtur “meningjit”, nëse infekton cipat e trurit.Vaksinat e detyrueshme


BCG - vaksina që bëhet pas lindjes për parandalimin e tuberkulozit (0 vjeç)


Vaksina pentavalente


Parandalon 5 sëmundje, si: difterinë, tetanosin, kollën e mirë, hepatitin B si dhe sëmundjen e meningjitit. Doza e parë jepet kur fëmija është 2-muajsh e dyta kur është 4-muajsh dhe e treta kur është 6-muajsh.


Vaksinimi bazal (në 6 muaj bëhen 3 doza).


Vaksina e poliomielitit (2 muajsh).


Vaksina e rubeolës dhe parotitit (fruthit).


Vaksina e shytave (12-15 muajsh).


dT - vaksina e fundit (bëhet në moshën 14-vjeçare).