Një nga udhëtimet që nuk duhet humbur si dhe një nga vendet që duhet vizituar patjetër është Valbona. Lumë dhe fshat. Një mrekulli e natyrës, përjetimi i së cilës të thërret që të rikthehesh.





Nuk ka nevojë për shumë kohë. Një udhëtim përmes Drinit deri në Tropojë e më pas Valbona është vetëm 45 minuta larg. Lumi do të jetë shoqërues rruge deri në burimin e vet





Pasi të shohësh kaltërsinë e Valbonës, asnjë lumë nuk do të të pëlqejë më. Kjo është në fakt ndjesia që të krijon momenti i parë që përballesh me lumin Valbonë pak pasi del nga qyteti i Bajram Currit.





Rruga po u nënshtrohet punimeve, duke u zgjeruar dhe shtruar me çakëll, ndërkohë që përgjatë gjithë gjatësisë së saj Valbona nuk të "ndahet" duke qenë një shoqëruese e mirë.





Teksa udhëton (me makinë ose në këmbë, ky i fundit i preferuar më shumë nga të huajt) kaltërsia e lumit të magjeps, teksa në të dy krahët ngrihen malet e larta që edhe në fillim të verës vazhdojnë t'i kenë majat e mbuluara me dëborë.





Fshati Dragobi shfaqet me mbi 20 kulla karakteristike prej guri deri 200-vjeçare, me ujëvarën që rrjedh pingul nga shpati i malit. Shtëpitë karakteristike prej guri, me çati të pjerrëta, e ruajnë akoma konstruktin tradicional të krahinës.





Ndonëse në stinën e verës dhe dielli lëshon rrezet e mesditës, një erë e freskët luhat degët e pemëve. Një peisazh nga më të rrallët e Shqipërisë Veriore, ku malet janë thikë drejt qiellit, thua se bien mbi kokat e kalimtarëve. E këto janë vargmalet e Bjeshkëve të Nemuna.





Udhëtimi i fundmë është Valbona, Fusha e Gjësë. Fshati mahnitës turistik shtrihet 25 km larg nga Bajram Curri, i ndodhur 900 metra mbi nivelin e detit me 300 banorë, kurse gjatë verës dyfishohet e trefishohet pasi banorët kthehen në kullat e tyre.





Karakteristikë e lumit Valbona është se fill pas burimit fluturon në një ujëvarë mbi 50 m lartësi, humbet në zallishten e Rrogamit 5 kilometra dhe riburon në fshatin Valbonë, herë e qetë, herë e zhurmshme, e zbret përgjatë luginës, për t'u shtruar përfundimisht pas kanionit të Shtrenjtit. Gjatësia e saj është 51 km deri në lumin Drin.





Në Kika, në të djathtë ndahet rruga automobilistike e Çeremit, fshat që shtrihet në 1800 m lartësi, e në të majtë, në mes pyllit me ah e pisha, ndodhet shpella e Dragobisë, ku njihet në histori si shpella e Bacë Bajramit. E prej këtu fillon fshati Valbonë.





Valbona ka 40 shtëpi tip alpin dhe shtrihet nga Kikat deri afër Fushës së Gjësë. Ajo ciklohet nga maja që bien pingul mbi luginë e në qendër të fshatit lugina merr hark në drejtim të jugperëndimit. Kjo paraqet pamjen e një zallishteje të pyllëzuar. Djathtas shtrihen 30 shtëpitë e fshatit Rrogam, nga Fusha e Gjësë deri te ujëvara e Valbonës me ambiente për pushim e argëtim dhe pamje mahnitëse.





Banorët tashmë e kanë kuptuar se turizmi malor me krijimin e mundësive në infrastrukturë, është një mrekulli që u ka dhuruar natyra e që duhet shfrytëzuar për të siguruar të ardhura.





Çdo vit numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka pësuar rritje. Shtëpitë e banorëve janë të hapura për "mysafirët", siç dëshirojnë t'i quajnë turistë dhe vizitorët, banorët vendas. Tashmë kullat janë restauruar dhe akomodohen vizitorët e shumtë që shkelin Valbonën në këto ditë të nxehta qershori.





Në shpatet e thepisura të maleve të Kollatës, majës së Bardhë, bora qëndron përjetësisht si një qeleshe e bardhë mbi kokën e malësorit, ndërsa ujëvara e Rrogamit pranë fshatit Valbonë, ku buron lumi me të njëjtin emër, ku prindërit nxitojnë t'i pagëzojnë vajzat kur lindin, është një sfidë për çdo alpinist profesionist.





Gastronomia





Ushqimi në Valbonë është tradicional: mish keci, qingji në hell (fërlig), troftë Valbone, çorbë, gjizë me speca djegës, qumësht, mjaltë dhe djathë deleje, maze, bukë misri (leqenik), kos të kulluar dhe fli, pra janë të gjitha produkte biologjike të zonës.





Çmimet e ushqimeve kryesisht për vendasit janë të larta, sidomos sallatërat, ferligu, flija - byrek specialitet i zonës (e cila shitet 3000 lekë të reja), turshitë e deri te kafeja turke dhe pijet. Gjithsesi, krahasuar me çmimet në pikat turistike bregdetare, Valbona është një kuzhinë që nuk duhet humbur pa u provuar, pasi është më lirë.





Akomodimi





Ndërkohë, akomodimi ka ndryshuar dhe banesat janë përshtatur kushteve bashkëkohore. Banorët që sapo kanë marrë nismën e mundësimit të turizmit familjar, kërkojnë t'u jepet kredi nga shteti për restaurimin e banesave kundrejt projekteve që kanë paraqitur pranë organeve vendore.





Krahas infrastrukturës, edhe energjia elektrike është e pamjaftueshme dhe me ndërprerje. Për arsye të mungesës së antenave të telefonisë celulare, nuk vijnë valet e asnjë telefoni celular, pa përmendur internetin që nuk funksionon.





Organet e qeverisjes vendore, thonë banorët, duhet të marrin masa për përforcuesin televiziv dhe telefonik, pasi edhe sinjali televiziv është i dobët. Në shtëpitë e drunjta të ngritura në këtë zonë mund të shkosh në dimër dhe në verë. Çmimi për person është 10 euro/nata.





Ndërkohë rruga nga qyteti i Bajram Currit deri në Valbonë me furgonët e linjës kushtojnë 250 lekë. E megjithatë, edhe një udhëtim disa orësh në këmbë, nuk do të ishte një ide e keqe.





Udhëtimi





Për të vajtur në Valbonë, udhëtimi më i preferuar është ai me traget. Pikënisja nga Tirana, ndërkohë që deri në Koman udhëtohet me furgon. E më pas një udhëtim 2-orësh, por çlodhës mbi lumin Drin. Ndalesa e tragetit është vetëm 10 minuta nga qyteti i Bajram Currit.





Atje janë edhe furgonët pritës për në Valbonë. Udhëtimi nga Tirana për në Tropojë kushton 1000-1200 lekë të reja, çka varion edhe nga çmimi i naftës. Një tjetër mundësi kalimi është nga Puka, ose nga Fushë-Arrëzi e më tej në Mirditë. Hapja e tunelit të Kalimashit ka shtuar një tjetër mundësi kalimi nga Kukësi, duke ulur edhe orët e udhëtimit.