Bumçi publikon dokumentin e Ministrisë së Brendshme dhe emrat e firmëtarëve të vdekjes së poetit Havzi Nela








Përmes vargjeve foli për të drejtat e njeriut, por kuçedra e kuqe e vari në litar. Mes firmëtarëve të vdekjes së poetit disident Havzi Nela, figuron edhe emri i të atit të kreut të PS-së, Edi Rama, ish-anëtarit të Presidiumit Popullor, Kristaq Rama. Para katër ditësh Kryeministri Sali Berisha akuzoi publikisht se i ati i Ramës, ka firmosur varjen e poetit Nela, ndërkohë që dje përmes deputetit Aldo Bumçi, PD-ja zbardhi vendimin e plotë dhe firmën vrasëse të Kristaq Ramës. Një kopje të saj PD-ja ka vendosur t’ia çojë edhe djalit të tij, Edi Ramës, nga i cili kërkon falje publike në emër të familjes së poetit dhe gjithë shqiptarëve për krimin monstruoz të të atit. Dokumenti i Ministrisë së Brendshme, që mban firmën e ish-ministrit komunist, Hekuran Isai, mban datën 9 gusht 1988 dhe i drejtohet degës së brendshme të Kukësit, së cilës i kërkohet dënimi me vdekje i poetit. Ministria njofton degën e zonës se Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk i fali jetën të dënuarit. Vendimi ka dhe emrat e firmëtarëve të Presidiumit, mes tyre edhe Kristaq Rama, i ati i kryesocialistit Edi Rama. Emrat e aparatit të Presidiumit Popullor nisin me ish-presidentin Ramiz Alia, Rita Markon, Xhafer Spahiun, Emine Hurin, Sihat Tozajn, Eleni Selenicën, Faik Cinajn dhe vijon më tej me emrat e Kristaq Ramës, Lumturi Rexhës, Petrit Gaçes, Rrahman Hankun, Simon Ballabanin, Sotir Koçollarin, Stefan Qirjakon dhe Terezina Marumbin. Të gjitha këta persona kërkuan ekzekutimin me varje të poetit Havzi Nela dhe vetëm disa muaj para rënies së perdes së komunizmit, në një kohë kur familjarët e tij kishin kërkuar faljen e jetës, gjakatarët vendosën ta dënojnë Nelën me varje në mes të qytetit të Kukësit. Mbi të rëndonte akuza e krimeve kundër shtetit për dy herë radhazi, ndërkohë që vendimi përfundimtar ishte varja në litar. Për këtë deputeti Aldo Bumçi kërkoi dje në emër të PD-së që Edi Rama të kërkojë falje për ekzekutimin e poetit Havzi Nela, pasi i ati i tij ka firmosur vendimin. “Është një vendim xhelatësh që mban firmën e Ramiz Alisë, Kristaq Ramës, ku dënohet me ekzekutim me varje më datë 10 gusht 1988, ditë e mërkurë, në mes të Kukësit, disidenti dhe poeti Havzi Nela, për fajin e vetëm se në vargjet e tij kërkonte të drejtat e njeriut. Këtë vendim do ia dërgojmë kryetarit të PS-së, zotit Edi Rama. Është një nga vendimet kriminale të babait të tij biologjik dhe do ia dërgojmë me shpresën që të nxisë tek ai ndjenjën e dënimit të këtij akti; t’i kërkojë falje publikisht familjes së Havzi Nelës, t’i kërkojë falje qytetarëve të Kukësit, t’i kërkojë falje qytetarëve të gjithë Shqipërisë për këtë akt kriminal të babait të tij”, - theksoi z. Aldo Bumçi.














PD, Strazimiri: Ilir Gjoni, më kriminel se i ati





Demokratët përmes deputetit Gent Strazimiri iu përgjigjën dje akuzave të PS-së për nivelin e krimit në Shqipëri. Ai akuzoi Xhelil Gjoni xhunior, i cili në zbatim të porosive dhe direktivave të shokut Edvin Kristaq Rama artikuloi publikisht mashtrimet e rëndomta që publikisht i përdorin pa sukses me zyrtarët e huaj për të penguar proceset integruese të vendit, si ai i heqjes së vizave apo anëtarësimit në BE. “Me sa duket, në cilësinë e ish- drejtuesit të Ministrisë së Brendshme të një vendi që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë e sotme, shoku Xhelil ofroi panoramën e vitit 2001 kur ai vetë drejtonte në fakt simbiozën e krimit të organizuar me shtetin. Na rikujtoi se është ish-ministër i Brendshëm i një vendi nga brigjet e të cilit nisej çdo natë një flotë skafesh që transportonte nga mbretëria e kanabisit dhe e marijuanës me mijëra ton drogë, disa mijëra prostituta, kryesisht nga vendet e Lindjes dhe që pajiseshin brenda natës me pasaporta shqiptare në komisariate të caktuara nga lart”, - tha z. Strazimiri. “Na kujtoi, - shtoi Starzimiri, - ku rendi e qetësia publike ruhej sipas lokalitetit nga Aldo Bare, Lul Berisha apo Nehat Kulla, pasi policia kishte pune të tjera; ku polici e blinte tek ministri vendin e punës dhe pas 6 muajsh blinte një restorant 450 mijë euro në mes të Tiranës, bëhej deputet a ndërtonte pallate sipas rastit, ose të trija bashkë; ku policia funksiononte si një bandë e organizuar që vriste deputetët e opozitës e masakronte komisionerët e saj në zgjedhje, madje në fund nxirrte dhe ndërronte rezultatin sipas porosive”.








PD, Mëhilli: Për 9 vjet, Rama mohoi atësinë e djalit


Një tjetër faksimile e procesverbalit origjinal të gjyqit në qershor 2000, në të cilin znj. Matilda Makoçi padit përsëri Edvin Kristaq Ramën, pasi “ai jo për 9 ditë, as për 9 javë, as për 9 muaj, por për 9 vjet rresht i kishte mohuar djalit të tij si atësinë, ashtu edhe kafshatën e gojës”. Zbardhjen e saj e bëri dje në emër të PD-së Erla Mëhilli, zëdhënëse e Partisë Demokratike, e cila theksoi se “këto dokumente për t’ia rikujtuar Edi Ramës i ka botuar për herë të parë në fletushkën e tij ndihmësi i tij aktual kryesor sot, Ymer Baze”. Duke komentuar dosjen e divorcit “Rama” dhe lidhur atë me karrierën politike të kryetarit të PS, Mëhilli vlerësoi se “është shumë i hidhur fakti se tortura, poshtërimi, dhuna ndaj viktimave të këtij procesi, ka marrë fund vetëm në vigjilje të fushatës elektorale të viti 2000, kur Edvin Kristaq Rama vendosi të kandidonte për kryeplak të Bashkisë së Tiranës”. Vetëm atëherë, aspak i penduar, por thjesht i kalkuluar, vetëm për shkaqe elektorale, Edvin Kristaq Rama detyrohet të pranojë atësinë dhe së bashku me të edhe kafshatën e gojës, fëmijës së tij që për 9 vite rresht e përbuzi në dyert e gjykatave së bashku të ëmën, madje duke refuzuar edhe analizën e AND-së të kërkuar nga gjykata për të faktuar pretendimin e tij se fëmijën e kishte me të atin (pra me të atin e vetë Ramës), - ka vazhduar Mëhilli, duke mos kursyer gjuhën e ashpër për jetën private të Ramës, e nisur dhjetë ditë më parë nga Kryeministri i vendit. Në avancim të deklaratës, Mëhilli shtroi pyetje për nënat, gratë dhe baballarët shqiptarë, duke kërkuar mendimin e tyre për “faktin” se “cili është ai njeri që për 9 vjet rresht i mohon djalit të tij atësinë dhe kafshatën e gojës, duke e pranuar vetëm pas 9 vjetësh, për shkak të fushatës elektorale dhe vetëm për leverdi politike?”. Ndërsa në përfundim, deklarata e Mëhillit u përmbyll me fjalët: “A mundeni ju të besoni se ky zotëri që mohon pa asnjë bazë, mbasi refuzoi edhe analizën e vërtetësisë, atësinë dhe kafshatën e gojës djalit të tij do të mund të ketë dashuri, dhembshuri dhe kujdes për fëmijët tuaj dhe fëmijët e shqiptarëve?”.