Vend-grumbullimi i plehrave i qytetit të Sarandës, ndodhet vetëm 3 km larg qytetit, në periferi të bashkisë, ngjitur me varrezat  e fshatit Metoq e Gjashtë. Shtrihet në një nga kodrat periferike të Volloderit. Reja e dendur e tymit  të bardhë dhe e erës së rëndë , për vetë përmbajtjen organiko-kimike dhe lëndëve që digjen në sipërfaqe dhe në brendi të këtyre plehrave e  bëjnë të dëmshme për shëndetin, sidomos ndikojnë në shëndetin e të sëmurëve me vështirësi në aparatin e frymëmarrjes dhe atë kardiak.

Reja e tymit të ardhur si shkak i zjarrit të shpërthyer në Volloder në orët e para të mëngjesit u përhap në gjithë Pellgun e Vurgut, që nga Muzina e deri në Shën Vasil, duke mbuluar dhe ndotur mjedisin dhe ajrin në fshatrat Vromero, Shelegar, Metoq, Gjashtë, Shijan e deri në fshatrat Pllakë e Qenurjo. Ndotja prej tymrave të çliruar nga vend-grumbullimi i plehrave u ndje edhe në qytetet e Sarandës dhe Delvinës. Ende nuk dihet zjarrvënësi, por siç thuhet në mjediset e banorëve, sivjet zjarret  kanë shpërthyer më herët se çdo vit tjetër dhe po sipas tyre, me sa duket vera që sa ka nisur do të jetë një stinë me shumë zjarre. Shqetësim për banorët mbetet prania e mbeturinave dhe e fushës së plehrave pranë qendrave të banuara  që ndikojnë në shëndetin e mjedisit dhe shëndetin e tyre. Të hënën, tymi ndotës dhe asfiksues i djegies së plehrave, dhe era e favorshme që frynte, e çuan erën e keqe në formën e ndotësit kimikë në çdo shtëpi në këtë rajon, por ky nuk ishte i vetmi ndotës, që e bën pothuajse të pamundur jetën e këtyre banorëve. Edhe dy guroret që thyejnë gurë dhe përgatisin inertet e grimcuara për firmat e ndërtimit në Sarandë, rëndojnë edhe më tej shëndetin mjedisor, në afërsi të qytetit turistik të Sarandës. Puna për shuarjen e zjarrit ka vazhduar gjatë gjithë ditës së hënë dhe gjer në orët e vona të një dite më parë nuk ka arritur ta ndalë zjarrin, i cili  ka hyrë në brendësi të kodrës së plehrave dhe sipas zjarrfikësve digjet mbyturazi, duke mos u fikur. Deri tani ai është venë nën kontroll  vetëm në sipërfaqe si dhe mbahet nën kontroll përmes derdhjes së vazhdueshme të ujit me presion nga makinat zjarrfikëse të Sarandës. Për tju ndërprerë kontakti me atmosferën dhe për ta shuar plotësisht atë. Janë mobilizuar mjete dhe buldozerë nga firma private , të cilat po hedhin me dhjetëra e qindra metra kub dhera në vatrën e zjarrit me qëllim shuarjen në një kohe  sa më të shkurtër. Në vend ngjarje për një kohë të gjatë ka vëzhguar situatën edhe kryetari i bashkisë Edmond Gjoka. Presideti i firmës së pastrimit, Skënder Këndezi, tha: Ky zjarr  është vendosur nga njerëz të papërgjegjshëm, duke mos llogaritur dëmet e shkaktuara si për mjedisin, për jetën e banorëve dhe gjësë së gjallë, por edhe dëmet financiare. Organet kompetente duhet ta ndjekin këtë veprim dhe personat të vihen para përgjegjësisë penale. Tymi i shkaktuar nga zjarri në vendin e grumbullimit të plehrave dhe mbetjeve urbane në Volloder, por edhe retë e tymit të pluhurit nga dy guroret ngjitur me plehrat po në këtë vend po e kthejnë këtë territor në një vend të pabanueshëm apo thënë ndryshe në një shkretëtirë mjedisore, që vjen e bëhet më problematike, pas çdo dite që kalon, pasi organet e qeverisjes vendore nuk e venë ujin në zjarr për të ndërhyrë në dobi të jetës së banorëve.