Rritje deri në 25%


Publikohen katër tabelat për të gjitha funksionet në polici


Rritja më e madhe e pagave për punonjësit e strukturave speciale dhe krimeve të rënda


Bledi Gilaj


tahiri didiRreth 20 për qind është rritur mesatarisht paga e çdo punonjësi policie me vendimin e fundit të qeverisë shqiptare, ku përfitimet më të larta, deri në 25 për qind, shkojnë për forcat speciale dhe ato kundër krimit të organizuar. Gazeta Shqip ka zbardhur katër tabelat e përpiluara nga qeveria shqiptare, të cilat i janë bashkëngjitur vendimit të Këshillit të Ministrave për pagat e punonjësve të policisë. Ky vendim pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që efektet financiare janë të shtrira që nga 1 janari i këtij viti, me një efekt financiar rreth 10 milionë USD në vit.


Vendimi i plotë


Ndryshe nga vendimet e mëparshme për pagat e policisë, këtë herë qeveria i ka ndarë përfitimet për uniformat blu në katër kategori, ku vihet re që përqindja më e lartë e rritjes së rrogave shkon për forcat speciale dhe strukturat kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.


Në tabelën e parë (e ilustruar me lidhjen nr. 1 të botuar në Shqip) janë pasqyruar pagat bazë dhe shtesat për natyrë të veçantë pune për secilin funksion të punonjësve në strukturat për krimin e organizuar dhe krimet e rënda dhe Policinë Shkencore. Në tabelën e dytë (e ilustruar me lidhjen nr. 2 të botuar në Shqip) pasqyrohen pagat për punonjësit në strukturat për sigurinë publike dhe rendin publik. Për punonjësit e policisë në strukturat për kufirin dhe migracionin, pasqyrimi është bërë në tabelën Lidhja nr. 3, kurse për punonjësit në strukturat e tjera policore dhe administrative e mbështetëse, pagat e reja janë pasqyruar në lidhjen nr. 4.


Ndërkohë, qeveria ka ndryshuar vendimin e vitit 2008 edhe për përfitimet e kursantëve që ndjekin studimet në shkollën e policisë. Sipas vendimit, punonjësi i Policisë së Shtetit, që pranohet në shkollën bazë të policisë, gjatë kohës së qëndrimit në shkollë përfiton trajtim me pagë, në masën tetë mijë lekë kur ka përfunduar arsimin e mesëm dhe nëntë mijë lekë kur ka përfunduar arsimin e lartë. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga fondi për politikat e reja të pagave për Policinë e Shtetit, të parashikuara në buxhetin e vitit 2014, të cilat kanë një efekt prej 10 milionë dollarësh. Kjo është shtesa më e madhe e pagave që është vendosur për punonjësit e policisë në 20 vitet e fundit. Rritja e pagave të policisë ka qenë edhe një ndër premtimet elektorale të Kryeministrit Rama gjatë fushatës elektorale. Me këtë ristrukturim pagash është rikthyer edhe një herë raporti i drejtë për rritjen e përqindjes së përfitimeve sipas hierarkisë së gradave.


 


 


Ky shkrim Vendimi i qeverisë, zbardhen pagat për punonjësit e policisë u publikua me pare te Gazeta SHQIP.