“Stop” maskave të forta dhe sapunave me squfur për pastrimin e fytyrës. Vera kërkon kushte të tjera për trajtimin e lëkurës së fytyrës në këtë stinë. Specialistja e mjekësisë bimore, Mimoza Petani, shpjegon se si duhet të kujdesemi për lëkurën gjatë stinës së nxehtë të verës. Sipas saj, gjatë verës duhet të ndërpritet përdorimi i maskave me veti gërryerëse të lëkurës, duhet të mos bëhet peling, madje po kaq të “keqe” për fytyrën janë edhe maskat që përgatiten në shtëpi. “Këto maska, megjithëse e pastrojnë lëkurën për momentin, e bëjnë atë që të rrezikohet edhe më shumë nga rrezet e dëmshme të diellit, të cilat e kanë më të lehtë të depërtojnë në thellësi në një lëkurë të pastër”, - sqaron specialistja. Për rrjedhojë, pas përdorimit të këtyre maskave, lëkura jonë në vend që të jetë me e bukur, do të “shëmtohet” më shumë nga armiku kryesor i saj në këtë stinë, që është dielli. Specialsitja Petani tërheq vëmnendjen se po kaq i rrezikshëm për fytyrën në verë është edhe përdorimi i sapunave që përmbajnë squfur. Për këtë ajo rekomandon që gjatë gjithë verës, për larjen e fytyrës të përdoren vetëm sapuna neutral (sa më të thjeshtë), që nuk përmbajnë yndyrna dhe squfur. Ndërsa përsa i përket kujdesit që duhet të tregojmë për mbrojtjen e lëkurës së fytyrës, Petani sqaron se përveç kremrave mbrojtës, nevojitet përdorimi i majasë së birrës dhe kapsulave bimore që përmbajnë me shumicë betakaroten.

Ndryshimi

Tashmë është koha për ndryshim të kozmetikës. Kremat që i keni përdorur gjatë muajve të dimrit, nuk i’u përgjigjen më nevojës së lëkurës suaj në ditët e ngrohta. Tani kremat duhet të jenë më të buta, por hidratimi i lëkurës duhet të jetë ende detyra kryesore. Tashmë që dielli është i fortë, duhet me patjetër të përdoret kremi që përmban faktorë mbrojtës. Trajtimi më i thjeshtë, më i lirë dhe më i efektshëm për lëkurën tuaj është pirja e ujit. Përpiquni që gjatë tërë ditës të pini mjaft ujë, për të parandaluar dehidrimin e lëkurës dhe të nxisni hidratimin e saj të brendshëm. Vitaminat B, C dhe E si dhe zinku dhe magnezi janë antioksidantët, të cilët do t’i japin lëkurës energji dhe fuqinë e humbur gjatë muajve të ftohtë. Shtoni konsumimin e tyre për të zëvendësuar atë që keni humbur.

Njollat

Si fytyra ashtu edhe trupi nuk duhen lënë pas dore. Duke patur parasysh lëkurën e fshehur pas veshjeve të rënda paraqiten probleme si lajmërim për ne se trupi po mbrohet dhe është nën ndikimin e stresit. Në këtë rast, djersitja si në dimër edhe në verë është rrezik. Lëkura e djersitur sidomos në kohën e dimrit është e parehatshme dhe shpesh mund të ftohesh. Në shpinë paraqiten puçra ose njolla (pavarësisht nga mosha ose gjinia). Kështu që, si femrat ashtu dhe meshkujt, duhet të përdorin produkte për qarkullimin e mirë të gjakut, të cilat çlirojnë poret e trupit dhe psikikën. Këto duhet të jenë preparate të butë që e pastrojnë lëkurën në thellësi. Përbërësit mund të jenë të ndryshme si: për qetësimin e lëkurës, stimulimin dhe rigjenerimin. Këshilla kryesore për të gjithë ata që i mundon lëkura e thatë është të përdorin produkte me aloe vera BIO, e cila duke qenë 100 për qind bimore nuk jep probleme alergjike. Po kështu, mund të përdoren edhe vajra (si ai i xhojobës, avokados, ederës), të cilët e ruajnë dhe higjenën e lëkurës. Kremi i kalendulës që luan një rol kryesor në rigjenerimin e lëkurës është tepër i efektshëm edhe për tu mbrojtur nga dielli. Kalendula ose kumaku është antiseptik dhe e zbut lëkurën. Ky krem është ideal sidomos për lëkurat e thata, të dëmtuara, me plagë.

Kalendula

Kalendula njihet si rigjenerues natyror dhe ushqyes i lëkurës, pasi ajo pengon dehidrimin, stimulon jetën e qelizave të lëkurës dhe e ripërtërin natyrshëm lëkurën e lodhur. Gjithashtu, kalendula forcon mekanizmin natyror dhe mbrojtës të lëkurës, vepron mirë kundër ndezjes së saj, e lag dhe e zbut atë, e pastron thellë, e përtërin, e përthan, dhe në mënyrë stimuluese vepron në qetësimin e qelizave të lëkurës së ndjeshme. Kalendula e mbron lëkurën nga irritimi dhe skuqja, pengon proceset e oksidimit dhe parandalon ose pengon plakjen e parakohshme. Me përdorimin e rregullt të këtij kremi hiqen rrudhat, lëkura bëhet më elastike, e butë dhe me një freski rinore. Kremi kalenduala ose vaji kalendula rekomandohet për të gjitha tipet e lëkurës, por në veçnati efektet e saj ndjehen në lëkurën e vrazhdë të dëmtuar. Ky krem mund të përdoret në të gjitha pjesët e trupit, duar, qafë, kurriz, duke e përhapur ngadalë mbi lëkurë deria të përthithet. Është i rekomandueshëm të përdoret pas dushit, larjes së fytyrës, është shumë i mirë edhe për tualetin. Përsa i përket marrjes së produkteve nga për problemet e lëkurës, Petani rekomandon përdorimin e aloe vera, papaja, shegë, sallatës së ujit), dhe produkte me bazë të vitaminës A (betakaroten), vitaminë E, plus vajin e bajames etj.



Plazhi, si ta përgatisim lëkurën për nxirje

Jemi në fillimet e plazhit, dhe bashkë me të ka nisur të ndizet edhe dëshira për tu nxirë. Lëkura duhet të përgatitet në mënyrë që të marrë një ngjyrë të bukur dhe të shëndetshme, homogjene dhe që të zgjasë. Specialistët japin disa këshilla për të përgatitur lëkurën e fytyrës dhe të trupit nga rrezet e diellit. Së pari, filloni me ushqimin: shtojini dietës tuaj një sasi të vogël me fruta të thata, që përmbajnë acid yndyror dhe që ndalojnë radikale e lira. Konsumoni ushqime të pasura me betakaroten, pini shumë ujë. Evitoni të lani fytyrën me ujë dhe sapun, pasi than lëkurën. Më mirë zgjidhni një pastrues qumësht me vitamina dhe një tonik, për ta përdorur në mëngjes dhe në mbrëmje, më pas aplikoni një krem hidratant. Mund të përdoret një krem, i cili përmban acide të frutave, që kanë aftësi për të arritur në sipërfaqe, dhe kështu fytyra do të jetë e ushqyer dhe e hidratuar. Një herë në javë bëni një pastrim të lehtë në thellësi për të eleminuar qelizat e vdekura. Në mbrëmje para se të shtriheni për të fjetur mund të përdorni edhe një maskë ushqyese. Bëni një dush të përditshëm dhe përdorni një larës delikat i cili bën pak shkumë. Ideale do të ishte një vaj dushi, i cili nuk e than lëkurën e trupit dhe respekton mbrojtjen natyrale. Mbas dushit është e nevojshme të aplikoni një krem hidratant. Edhe trupi ka nevojë për pastrim një herë në javë, për të eleminuar qelizat e vdekura. Nëse keni lëkurë shumë delikate dhe të ndjeshme, përdorni një produkt delikat njëherë çdo 15 ditë.





Fytyra, trajtimi për të përballuar verën

Një muaj para

Parandaloni rrudhat! Tashmë dihet që rrezet ultravjollcë janë armiqtë më të këqijë të lëkurës. Për të shmangur shenjat para kohe, filloni të merrni ushqime ose vitamina me përbërje antioksidantësh, që rrisin mbrojtjen natyrale të lëkurës.

Dy javë para

Filloni nxirjen! Nuk do t’ju pëlqente të shkonit në plazh me fytyrë të bardhë. Atëherë çdo mëngjes lyhuni me një krem vetënxirës, të përshtatshëm për tipin tuaj të lëkurës. Kremin aplikojeni në fytyrë dhe qafë me lëvizje të shpejta duke shmangur në këtë mënyrë krijimin e njollave pak a shumë të errëta.

Një javë para

Gjallëroni ngjyrën! Për të përgatitur lëkurën për nxirje e për të siguruar një ngjyrë homogjene e të ndritshme, bëjini fytyrës një pastrim të kujdesshëm në një institut bukurie. Kështu, elimiononi qelizat e vdekura dhe pastroni poret, duke rritur padyshim cilësinë e lëkurës.

Tre ditë para

Rregulloni vetullat! Është një rit bukurie i domosdoshëm, pasi parregullsia e tyre zbeh shkëlqimin e vështrimit dhe të fytyrës. Nëse nuk jeni eksperte lëreni një estetiste t’ju ndihmojë.

Një ditë para

Bëni një maskë hidratante! Kjo maskë penetron më në thellësi sesa kremi dhe siguron një lëkurë vitale dhe elastike, që është gati për të pritur “sulme” të ndryshme.



Flokët, përgatitini për pushime

Kujdes i vazhdueshëm, permanent, prerje, lyerje, tridhjetë ditë programi intensiv për të shkuar në plazh me flokë të fortë, të shëndetshëm dhe plot shkëlqim.

Një muaj para

Filloni një kurë forcimi! Floku duhet të jetë i fortë dhe i ushqyer para se të goditet nga dielli, era dhe klori. Blini në farmaci një flakon një përdorimsh, që ka si bazë proteina të vezës, substanca me aftësi rigjallëruese dhe riforcuese. Aplikoni çdo mëngjes mbi flokë të larë një flakon, duke masazhuar mirë me gishta rrënjën dhe gjithë gjatësinë e flokut.

Dy javë para

Mund të bëni permanent! Përshpejtimi i trajtimit prej disa ditësh është idealja për të arritur në plazh me flokë me efekt natyral. Në fakt shenjat e bikutinave, të dukshme në fillim, por jo aq të bukura për tu parë në flokë të lagur, mbajnë vetëm dy javë. Sa mbajnë kaçurrelat mund të vlerësohet vetëm pas dy, tre larjeve të para të kokës. Për çdo të papritur ka kohë për rregullime. Nuk asnjë rrezik që permanenti të zhduket para përfundimit të pushimeve. Në fakt permanenti mban më shumë në det, ku flokët rrinë gjithmonë të lagur.

Një javë para

Mund t’i prisni! Është mënyra më e mirë për të pasur një kokë gjithmonë të rregullt duke harruar, të paktën për pushime furçën dhe krehjen. Kjo këshillë vlen edhe për ato që duhet të presin vetëm majat. Në këtë mënyrë eliminohet problemi i flokëve me maja të djegura e të ndara më dysh. Ndryshe rrezikohet që larjet e shpeshta në det të bëjnë të humbasë shkëlqimi dhe shëndeti i flokëve.

Tre ditë para

Po lyerjes: lyerjet me bojë, këna apo fije është mirë të bëhen vetëm pak ditë para pushimeve, në mënyrë që të shmanget problemi i rritjes së flokëve gjatë pushimeve. Idealja është të zgjidhni një ton më të errët sesa ai i zakonshmmi, pasi uji i detit dhe klori i pishinave tentojnë ta çelin flokun.

Një ditë para

Përgatitni çantën e kozmetikës me produktet e duhura për mbrojtjen e flokëve: një specialitet me filtra UV për ta përdorur në plazh, shampon, balsamin dhe një maskë që ta përdorni çdo tre ditë për të shmangur tharjen e flokëve dhe prishjen e fibrës kapilare.











30 Maj 2009