09/01/2009  Dëmshpërblimi i të përndjekurve, shoqatat takojnë ministrin e Drejtësisë


Listat e dëmshpërblimit të të persekutuarve nga regjimi i mëparshëm do të jenë sërish në verifikim. Kjo do të thotë se lista e miratuar nga qeveria nuk është përfundimtare dhe se do të ketë të tjerë emra që do të përfitojnë pas mbylljes së verifikimit të statusit.


Kreu i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, ka pohuar se listat e miratuara nga qeveria nuk janë përfundimtare, pasi do të bëhen verifikime të tjera. Këta të fundit kanë edhe një takim me kreun e dikasterit të Drejtësisë Enkeled Alibeajn, ku ka rezultuar se verifikimet për këtë kategori do të vijojnë ende. Shpërndarja konkrete e kompensimit sipas ligjit përkatës përcakton që të nisë në muajin mars shpërndarja e kësteve të kompensimit për kategoritë që kalojnë sitën e verifikimit dhe zyrtarizojnë periudhën e dënimit të vuajtur. Përkundrejt këtij fakti pak ditë më parë zëvendësministri i financave Sherefedin Shehu ka pohuar se me buxhetin e përcaktuar si dhe me listën e parë përfituese të miratuar nga qeveria në mbyllje të vitit 2008 dëmshpërblimi mund të nisë brenda këtyre ditëve. Konkretisht është përcaktuar data 15 janar si afati në të cilin mund të nisë shpërndarja e fondit të dëmshpërblimit për të 1100 emrat e miratuar edhe nga qeveria. Megjithatë, shuma që do të përfitojnë, përveçse do të shpërndahet me këste, do të jetë dhe e kufizuar në masë. "Shuma e këtyre përfituesve do të jetë e limituar. Ligji thotë se do të paguhet me tetë këste, çka do të thotë se secili nuk mund të marrë më shumë se 1/8, për të ruajtur kriterin e barazisë dhe të drejtësisë. Njëkohësisht nuk mund të marrë më pak se 100 mijë lekë dhe më shume sesa 1 milion. Pra, ka dhe një limit të sipërm", - ka pohuar Shehu.