Veriu i Shqipërisë,nje album veshjesh popullore





Suela Furriku


Pas përfundimit të tre albumeve të para të veshjeve popullore, tashmë edhe vëllimi i katërt është në prag të përgatitjes së tij. Në kuadër të përgatitjeve të një korpusi të titulluar “Trashëgimi kulturore të artit shqiptar”, është parë e nevojshme përfundimi i albumit të radhës i cili përfshin veshjet popullore të Shqipërisë së Veriut. Ndërkohë që korpusi është i përqendruar jo vetëm në heshtjet popullore të këtyre krahinave, por edhe në studimin banesave tradicionale, në vallet popullore dhe në gjini të ndryshme folklorike. Prof. dr Afërdita Onuzi ka treguar arsyet, vështirësitë, si dhe ku qëndron synimi i vëllimit ende të panjohur dhe ndryshimet kryesore me botimet e tjera.


Albumi i katërt


Edhe pse ka kaluar rreth një gjysmë shekulli kohë, kërkimet e aktorëve të Institutit të Monumenteve Kulturore kanë ende për të zbuluar. Janë publikuar gjithsej tre vëllime të veshjeve popullore, po ndërkohë është parë i nevojshëm edhe një tjetër i tillë. “Pavarësisht nivelit të zhvillimeve të studimeve është menduar të bëhet edhe përgatitja e vëllimit të katërt të veshjeve popullore, pasi tre të parët kanë përfunduar”, - është shprehur etnologia Afërdita Onuzi.


Ajo ka treguar se ky vëllim do të përfshijë të gjitha zonat që i përkasin Shqipërisë së Veriut ku bëjnë pjesë qytetet si Lezha, Tropoja, Kukësi, Puka, Shkodra dhe Malësia e Madhe. Por problemet e projektimit dhe zbatimit të tij kanë qenë të shumta, mbi të gjitha ai financiare. Profesorja na thotë se në përpilimin e tij u është dashur një shumë monetare prej rreth 60 milionë lekësh të vjetra.


“Për të përgatitur këtë vëllim në kemi kërkuar një shumë monetare në kuadër të projekteve “Kërkim dhe zhvillim kombëtar”. Në nëntor të vitit të kaluar mësuam se është pranuar si projekt dhe është shpallur edhe buxheti. Ne kemi kërkuar 19 milionë lekë të vjetra për kërkime në terren dhe afër 60 milionë me gjithë përgatitjet, me fotografimin dhe përkthimin e veshjeve po në terren, me materialet që do të blihen. Kemi kërkuar vetëm botime analoge pasi cilësia e botimit duhet t’i përkasë një niveli të lartë me qëllim që të ruajmë ngjyrat, pasi këto të fundit janë një tregues i rëndësishëm i etnokulturës shqiptare. Ndonëse shumë veshje popullore në Ballkan apo më gjerë kanë ngjyrë të kuqe, ajo shqiptare është më e veçantë dhe ka një nuancë tjetër”, - shton Onuzi.


Synimi


“Këto vëllime nuk janë thjesht një album i bukur për t’u parë”, - thotë ajo. Sipas etnologes, hartimi i vëllimit të katërt të veshjeve popullore synon shumë aspekte. Së pari, çdo qytetar duhet ta ketë të gatshëm në shtëpi, por më shumë ka si qëllim që të shërbejë për vlera dokumentuese shkencore dhe historike. Ajo shton se është i nevojshëm në shërbim të studiuesve të fushave të ndryshme, piktorëve, kinematografisë, skulpturave, televizionit dhe grupeve të ndryshme artistike. Ka synim të tregojë se çfarë vlere ka folklori shqiptar në vende të ndryshme të saj.


Shqetësimi


Janë parashikuar dhjetë ditë gjurmime në terren dhe 15 ditë fotografimi. Brenda kësaj periudhe janë vënë në dijeni edhe shqetësimet që do të ndeshen dhe mënyrat se si do t’i menaxhojnë ato, me qëllim që të bëhet një realizim sa më i plotë dhe origjinal i vëllimit. “Një nga shqetësimet tona është a do t’i gjejmë veshjet e duhura në terrenin që do të bëjmë kërkimet ose është bërë riprodhimi i tyre, por për fat të keq nuk është bërë në nivelin e duhur, në kushtet që kërkohet si dhe të ruaj të gjitha tiparet që duhen”, - thotë ajo, duke shtuar: “Puna më e vështirë e këtij procesi pune është hartimi i hartës kostumologjike në zonat etimologjike të çdo rrethi. Ne duhet të përcaktojmë se në cilat fshatra apo zona kanë shtirjen e një kostumi të një rrethi të caktuar”. Koha ka ecur dhe në shumë prej zonave ku do të bëhen kërkimet etimologjike nuk ekzistojnë kostumet. Në këtë rast sipas Afërdita Onuzit, do të vijë në ndihmë Muzeu Historik Kombëtar. Aty ekzistojnë një gamë e gjerë e objekteve të ndryshme muzeale, duke përfshirë edhe veshjet origjinale popullore të krahinave të ndryshme.


Ndërkohë që aktorët që do të kontribuojnë në përgatitjen e vëllimit të katërt të veshjeve popullore janë prof. Mark Tirta, prof. Kareman Ulqini, prof. as. Yllka Selimi, prof. as. Agim Bido dhe vetë unë Afërdita Onuzi, drejtuese e projektit, si dhe kolegë të tjerë.


E veçanta e këtij vëllimi bashkë me të tjerët është se fotografimi si pjesë e procesit të punës kërkimore, nuk është thjesht një foto mekanike e veshjeve. Zotëruesit e veshjeve janë fotografuar në terrenin e tyre, pra aty ku ata kanë bërë jetë aktive, si dhe në procese të ndryshme pune. Këtë pjesë etnologia e ka konsideruar si një prej më të vështirëve sepse duke qenë se koha ka avancuar dhe janë bërë shumë ndryshime. Megjithatë, ajo shprehet optimiste në kërkimin e tyre.


Tre të parët


Tre të parët iu përkasin veshjeve popullore, por ndryshojnë në varësi të krahinave përkatëse. I pari është një vëllim me veshje të krahinës së Shqipërisë së Jugut. Procesi i punës ka filluar pikërisht me këtë pozitë gjeografike për shkak të presionit të kohës, nëpërmjet së cilës dita-ditës janë transformuar shumë aspekte të ndryshme jetësore, duke përfshirë këtu edhe mënyrën e të veshurit. “Kemi nisur fillimisht me jugun e vendit duke pasur parasysh se nga kjo zonë veshjet popullore kanë dalë jashtë përdorimit më herët meqenëse siç dihet jugu i vendit ka qenë më në kontakt me emigracionin tradicional. Kontaktet me qytetërimin dhe botën e jashtme më të zhvilluar ishin më të shpeshta dhe në këtë mënyrë veshjet popullore sigurisht që dolën shumë më herët nga përdorimi se në zonat e tjera të Shqipërisë. Veshjet i përkisnin qyteteve si Saranda, Vlora, Gjirokastra, Tepelena, si dhe zonën e Myzeqesë që përfshinte Lushnjën, Berati dhe Fierin”, - shton etnologia Onuzi.


Ndërsa vëllimi i dytë përfshin po ashtu Shqipërinë Juglindore me qytete si Kolonjën, Korçën, Gramshin, Skraparin, Pogradecin dhe Librazhdin.


Vëllimi i tretë ka ardhur duke u ngjitur edhe më lart sa i përket pozicionit gjeografik, pra duke prekur qytetet e Shqipërisë së Mesme. Në këtë vëllim janë të përmbledhura veshjet popullore të qyteteve si Tirana, Elbasani, Durrësi, Dibra, Kruja, Mati, Burreli.


Vëllimi i pestë


Grupi kërkimor nuk ka ndjekur një rend kronologjik të strukturimit të vëllimeve me veshje popullore. Është projektuar vëllimi i pestë para pararendësit të tij, por për mungesë të theksuar fondesh financiare ai ka mbetur i tillë, edhe pse ka dy vjet një strukturë e përfunduar. Vëllimi i pestë përfshin veshjet popullore të krahinave që i përkasin krahinave shqiptare, por që gjendjen jashtë kufijve të Shqipërisë. Është fjala për një përmbledhje veshjesh tradicionale të shqiptarëve të Kosovës, pasi në Maqedoni dhe në Mal të Zi, nuk ekzistonte mbështetja e mjaftueshme financiare. E reja e këtij vëllimi është se janë përfshirë edhe veshjet e Medvegjës (Preshevës), e cila aktualisht është një pjesë territoriale në shtetin e Serbisë, por që i përket tashmë shtetit kosovar. “Kam aplikuar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe ndonëse kanë kaluar disa muaj, jam në pritje të një mbështetjeje financiare. Kërkimet janë bërë me mbështetjen financiare të shtetit shqiptar ku në atë kohë ishim në kuadër të Akademisë së Shkencave, por që e menduam që në kuadrin e bashkëpunimit mes dy akademive të realizonim këtë prodhim, ashtu siç ka filluar edhe dueti për përgatitjen e vëllimit “Banesë popullore”, - shprehet etnologia Onuzi, duke theksuar gjithashtu se “tani janë shkëputur edhe marrëdhëniet me Kosovën sepse tashmë ne nuk jemi në varësi të Akademisë së Shkencave, por të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe deri tani nuk kemi asnjë përgjigje dhe nuk e di se si do të shkojë fati i tyre”, - përfundon ajo.