Pilula blu mbush dhjetë vjet. Ishte ajo që revolucionarizoi botën e terapive seksuale. Por shumë specialistë sot i kundërshtojnë mrekullitë e saj, sepse shpesh shqetësimi organik fsheh një problem psikologjik

Më përpara impotenca ishte një shqetësim i turpshëm dhe i vështirë për t’u kuruar që duhej mbajtur sekret në dhomën e gjumit. Sot disfunksioni eretil, i quajtur DE, është bërë objekt i fushatave publicitare. Mund të luftohet fare lehtë me ilaçe ku ndër më të njohurat mund të përmendim “viagrën” dhe “cialis”. Në më pak se një dekadë këto lloj ilaçesh kanë bërë revolucion në botën e terapive seksuale, por pikërisht disponibiliteti i ilaçeve kaq efikase ka treguar se impotenca është një pazëll shqetësimesh të lidhura me faktorë të ndryshëm dhe se të “pish një pilulë viagra” shpesh nuk shërben për asgjë, madje mund të jetë edhe shumë e dëmshme. Shumë dyshojnë se përbërja kimike e tyre në vend që ta zgjidhë problemin e rëndon më shumë. “Ilaçet kanë ndryshuar krejtësisht vlerësimin e impotencës, duke e shndërruar në një shqetësim organik atë që shihej si problem psikologjik”, tregon Dirk Rosing i Universitetit të Greifswald që i ka dedikuar këtij argumenti një studim të zgjeruar në një revistë gjermane. Rezultati, shpjegon specialisti, është se “shpesh kalohet nga terapia farmakologjike pa thelluar diagnozën në rrezikun e injorimit të elementeve thelbësore duke e bërë shqetësimin kronik. Në shumë raste pas impotencës shihen probleme të tjera fizike dhe psikologjike”. Me pak fjalë të gabosh duke vlerësuar suksesin e përkohshëm të terapisë ka lidhje me “rregullimin e një mekanizmi të prishur pa ditur shkaqet”, tregon Rosing. Përplasja më e madhe është mes specialistëve që përpiqen ta ndajnë problemin sipas kompetencave të tyre: urologë dhe andrologë përqendrohen në fiziologjinë vaskulare, endokrinologët në mekanizmat biokimikë, ndërsa seksologët tek ata psikologjikë. “Kemi nevojë për një perspektivë më të gjerë. Trajtimet farmakologjike për impotencën mund ta bëjnë mashkullin në gjendje të kryejë një raport seksual, por nuk bëjnë asgjë për ta shëruar”, tregon presidenti i “Sexual Medicine Society” i Amerikës së Veriut, Ronald Lewis. Specialistët vënë theksin te shpeshtësia dhe rëndësia e problemit. “Në Europë rreth 10 për qind e popullsisë vuan nga ky shqetësim. Rreth 50 për qind e këtyre rasteve ka origjinë organike për të tjerat bëhet fjalë për probleme psikologjike. Megjithatë, shpesh shkaqet e ndryshme nënvlerësohen”, shpjegon drejtori i qendrës mjekësore për andrologjinë në Universitetin e Firences. Që këtu lind rëndësia e një diagnoze të studiuar mirë. “është thelbësore që ilaçet të shoqërohen gjithmonë me këshillim”, shpjegon seksologia Chira Simonelli. Sipas tyre, që ilaçe të tilla të japin efektin e duhur duhet edhe ndihma e pacientëve. “Këto substanca nuk stimulojnë dëshirën, të paktën kur ai që e pengon është ankthi. Në këtë rast siguria në vetvete mund ta ndihmojë”, thotë Simonelli. Me pak fjalë, edhe pse ka dhjetë vjet që ka hyrë në treg dyshimet nuk janë shuar, por janë shtuar akoma më shumë. Nga njëra anë terapitë farmakologjike kaq të fuqishme, të bashkuara me marketingun për një përdorim më të gjerë, kanë nxjerrë në dritë shumë të fshehta në pritje që të ishte koha ajo që do t’i zgjidhte. Ndërkaq, ndër faktorët që ndikojnë shumë në disfunksionin eretil janë edhe obeziteti dhe mungesa e aktivitetit fizik. “Mungesa e masës muskulore dhe sindromi metabolik janë disa nga shkaqet e DE. Ndërhyrja në stilin e jetës është thelbësore për të ndihmuar pacientët”. Palestra dhe biçikleta i bëjnë mirë zemrës, rrisin vetëvlerësimin te vetja”. Më të rralla janë rastet kur shqetësimi derivon nga shkaqe neurologjike.


Lindja e pilulës blu

Dikush e përdor nga nevoja dhe dikush tjetër nga kurioziteti, por askush nuk mund t‘i rezistojë efektit të viagrës. 1.8 miliardë pilula blu, kjo është shifra e saktë e viagrës së shitur nëpër botë. Duket qartë se viagra nuk është pilula që preferohet nga të moshuarit, të cilët dëshirojnë të zgjasin jetën seksuale, por nga të rinjtë. Të dhënat e shitjeve tregojnë se gjashtë në dhjetë tableta viagrash konsumohen nga meshkujt nën moshën 60 vjeç. "Brezi i vërtetë viagra", që ia vlen të quhet kështu, duket se është pikërisht ai nga mosha 25-34 vjeç, madje 55% e tyre janë të bindur se pilula "përmirëson adetet seksuale". Historia e viagrës, pilula e dytë e revolucionit seksual dhe ilaçi më i njohur pas aspirinës, është e pavullnetshme, pa ndonjë qëllim të keq. "Pfizer Incorporated", kompania farmaceutike më e rëndësishme në botë, kërkonte një parim aktiv kundër angjinës. Kështu, kjo pilulë e kaltër që "Food and drug Administrion" ia autorizoi daljen në treg më 27 mars të 1998-s, u prezantua në botë si zgjidhja finale kundër impotencës. Vendin e parë në Europë për konsumimin e viagrës e mban Anglia, më pas renditet Gjermania dhe Italia. Që nga 1998-a e deri më sot, në botë janë shitur plot 1.8 miliardë pilula blu, të konsumuara nga 35 milionë meshkuj. Viagra ka revolucionuar jetën seksuale të miliona njerëzve; është bërë një ndër ilaçet më të njohura të botës. viagra (dhe "kushërinjtë" e saj agresivë si cialis, tadalafil, që gjejnë një shtrirje gjithmonë e më të madhe në treg) nuk është më një ilaç, por një fenomen social, madje edhe më shumë: është një metaforë, një mitologji mashkullore. Viagra e "mban" premtimin edhe për atë që është e pamundur. është më tepër ilaçi i dëshirës së dobët, sesa i trupit të lodhur. "Shumë individë kërkojnë nga ajo jo vetëm t‘u japë forcë, por edhe dëshirën për të bërë dashuri", thotë specialisti. Nga një studim i bërë në "Google", fjala më e klikuar nga 2004-2008-n në Angli, Gjermani dhe Itali është viagra. Emri i saj është aq i përhapur në fjalorin e përditshëm, saqë nuk përbën më ndonjë problem. Këtë vit, për pilulën në fjalë janë publikuar nëpër gazeta e revista rreth 1000 artikuj. Viagra është më tepër ilaçi i dëshirës së dobët, sesa i trupit të lodhur. Për viagrën janë kryer plot 1300 studime shkencore, ku janë përfshirë për studim 13 pacientë. Pas disa ekzaminimeve, pilula blu është shfaqur efikase për mbrojtjen e zemrës dhe kundër impotencës. Por kjo nuk mjaftoi. Në dhjetë vite viagra ka qenë objekt eksperimenti për të përcaktuar fuqinë e saj në kurimin e patologjive të tjera.








#