Libri: Miqësia


Nis me një nga tregimet e njohura të shkrimtarit gjerman, ndërkohë që në kopertinë paralajmërohet se në këtë botim do të gjenden edhe tregime të tjera të pabotuara më parë


Autori: Herman Hesse


Shkrimtari, poeti dhe piktori gjerman, fitues i çmimit “Nobel” për letërsinë në vitin 1946.



Përktheu: Zana Vokopola



Shtëpia Botuese: Besa


"As të gjithë librat e botës nuk të japin dot lumturinë, por në fshehtësi të kthejnë në vetvete. Atje gjen gjithçka për të cilën ke nevojë: dielli, yjet dhe hënën. Sepse, drita që po kërkoje jeton brenda teje. Urtësia që ke kërkuar për një kohë të gjatë nëpër biblioteka, tani shkëlqen në çdo fletë, sepse tashmë është e jotja”. Kështu shkruante Herman Hesse, shkrimtari, poeti dhe piktori gjerman, fitues i çmimit “Nobel” për letërsinë në vitin 1946. Për lexuesin shqiptar, shtëpia botuese “Besa”, me seli në Itali, por e njohur për botimin e letërsisë shqiptare, sjell shqip disa tregime të pabotuara nga Hesse, përkthyer nga Zana Vokopola. Libri i titulluar “Miqësia” nis me një nga tregimet e njohura të shkrimtarit gjerman, ndërkohë që në kopertinë paralajmërohet se në këtë botim do të gjenden edhe tregime të tjera të pabotuara më parë. Në fakt, Hesse jetoi një jetë të larmishme. Momente të veçanta lindën veprat e tij, vëllime të tëra në poezi, tregime dhe romane. Pjesa më e madhe e tyre përshkohen nga interesat e tij për ekzistencializmin, spiritualizmin, misticizmin, e jo më pak nga filozofia hindu dhe budiste. Herman Hesse u lind në Calë, më 1877, në një familje me bindje të forta fetare, të cilët e nxitën drejt studimeve teologjike. Por ai, me një natyrë rebele që e karakterizonte, arriti të çlirohej nga këto angazhime dhe t’u kushtohej prirjeve të tij artistike. Jeta dhe vepra e Herman Hesse-s që në fillim u karakterizua nga kontrastet mes traditës familjare dhe ndikimit të ambientit të jashtëm.


"Më 2 korrik 1877, një të hënë, në fund të një dite të lodhshme, Zoti na dha fëmijën kaq shumë të dëshiruar. Hermani ynë, i bukur dhe i shëndetshëm sapo kishte lindur dhe ishte i uritur. I kthente sytë blu të kthjellët drejt dritës; shembull i një fëmije të shëndetshëm dhe të fuqishëm”, - shkruan në ditarin e saj, e ëma e tij, Maria Gundert Hesse, e cila kishte sjellë në jete Hesse nga martesa e dytë. Më 1904 u martua me Maria Bernoulli, një fotografe profesioniste me të cilën pati edhe tre fëmijë: Bruno, Heiner dhe Martin. Bashkë me Marian u shpërngulën në një fshat me synimin që pranë natyrës do të ishin më pranë pikturës, fotografisë dhe arteve, por në fakt nuk ndodhi ashtu. Martesa e tyre nuk shkonte mirë. Ajo ishte nëntë vjet më e madhe dhe shumë natyrë e lirë. Të kësaj kohe janë disa romane si: “Të afërmit” (1908), “Gertrude” (1910), dhe vëllimi me poema “Nën tokë”(1911). Përjeton suksesin. Vlerësohet me çmime dhe bëhet pjesë e rretheve të njohura letrare. Por, sërish ndjehej i vetmuar. Provoi pikturën, teosofinë dhe besimet indiane.


Përjeton Luftën e Parë Botërore, ndërsa vitet ’20 shënuan një tjetër krizë emocionale për të. I kësaj kohe është romani “Ujku i stepës”(1927). Martohet për të dytën herë me këngëtaren Ruth Ëenger, 20 vjet më të vogël se ai, por martesa nuk zgjati. Për të tretën herë u martua me Ninon Dolbin Auslander, e cila i qëndroi pranë deri në vdekje. Regjimi nazist i solli probleme për veprat e tij letrare, ndërkohë që ai mendonte se artisti nuk duhet të ndikohej nga klima politike. Pas Luftës së Dytë Botërore, më 1945, Hesse zbulohet papritur nga kritikët dhe lakohet shumë në media. Por, nuk i munguan edhe telashet, për qëndrimin që kishte mbajtur regjimi nazist ndaj veprave të tij. Edhe pse mori shumë çmime, përfshirë këtu edhe ‘Nobel’, Hesse u zhgënjye nga zhvillimet e reja të shoqërisë. Vdes më 1962, në moshën 85-vjeçare.