Jonida Tashi



Universiteti i Tiranës propozon 6970 kuota pranimi për vitin e ri akademik, nga 7007 të tilla që kanë qenë një vit më parë. Ditën e djeshme ky Universitet ka publikuar zyrtarisht propozimet e reja, për vitin akademik 2010-2011, përsa i përket kuotave dhe tarifave të studimit. Në total, vetëm për studimet me kohë të plotë, Universiteti i Tiranës propozon që vitin e ardhshëm të pranohen 5665 studentë të rinj, gati 200 më shumë se sa vjet. Ndërsa për studimet me kohë të pjesshme, propozohet që pranimet të ulen krahasuar me një vit më parë.

Kuotat

Nga shpërndarja e kuotave të propozuara sipas fakulteteve të UT-së, një numër i lartë kuotash pranimi për vitin e ardhshëm akademik, i është dhënë Fakultetit të Ekonomisë, plot 1166 të tilla. Po ashtu, një numër i lartë kuotash pranimi është propozuar edhe për Fakultetin e Histori-Filologjisë, Fakultetin e Drejtësisë dhe atë Shkencave të Natyrës. Përfshirë edhe kuotat për studimet me kohë të pjesshme, 1305 pranime, numri i studentëve që do të ulen në auditorët e UT-së, gjatë vitit akademik 2010-2011, shkon në 6970, shifër kjo, pothuajse e barabartë, krahasuar me pranimet që janë bërë vitin e mëparshëm akademik në këtë universitet. Por, megjithëse numri total i kuotës së pranimit, për vitin 2010-2011 është i përafërt me të vitit të shkuar, shtimi i kuotave për studimet me kohë të plotë është pasuar me ulje të pranimeve për studimet me kohë të pjesshme (part-time). Kështu, ndërsa një vit më parë, Universiteti i Tiranës pranoi 1590 studentë me sistemin e pjesshëm, për këtë vit propozohet që kuota e pranimit të jetë 1305, rreth 300 studentë me pak. Aktualisht kuotat dhe tarifat e propozuara për pranimet e reja të studentëve janë depozituar për miratim në Ministrinë e Arsimit. Pavarësisht se drejtuesit e UT-së kanë bërë propozimet përkatëse për kuotat dhe tarifat e studimit, janë Ministria e Arsimit dhe Këshilli i Ministrave, dy institucionet që do të marrin përsipër miratimin e kuotave dhe tarifave, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e shtimit apo pakësimit të tyre.

Tarifat

Pothuajse në kah të njëjtë me kuotat e pranimit janë bërë edhe propozimet për tarifat e studimit gjatë vitit të ardhshëm akademik në Universitetin e Tiranës. Ky i fundit ka propozuar rritje të tarifave të studimit vetëm për disa degë studimi, por në vija të përgjithshme taksat e shkollimit do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar. Kështu, sipas propozimeve të bëra nga vetë drejtuesit e Universitetit të Tiranës, për vitin akademik 2010-2011, tarifat e studimit variojnë nga 45 mijë, më e larta, deri në 15 mijë më e ulëta. Sipas këtyre propozimeve, gjatë vitit të ardhshëm akademik më shtrenjtë do të kushtojnë studimet në degën e Informatikës pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, për të cilën është propozuar që tarifa e studimit të jetë 45 mijë lekë. Pas Informatikës, taksë të lartë studimi propozohet të kenë edhe degët e Fakultetit të Mjekësisë si dhe ato të Fakultetit të Drejtësisë. Për këto dy fakultete, tarifa e propozuar e studimit për të gjitha degët e tyre është 40 mijë lekë në vit, shifër kjo e njëjtë me pagesën e vitit të kaluar. Fakulteti i Histori-Filologjisë, për vitin e ri akademik, propozon që pagesa e shkollimit për të gjitha degët e Filologjikut, të jetë e njëjtë me atë të një viti më parë, që është 20 mijë lekë. Megjithëse është propozuar një rritje e vogël e tarifës së shkollimit, si gjithmonë, më lirë studimet në Universitetin e Tiranës, do të kushtojnë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Nisur nga fakti që degët e këtij fakulteti janë të vështira, pasi i përkasin shkencave ekzakte, ky fakultet nuk preferohet shumë nga të rinjtë, madje shihet prej tyre si alternativa e fundit për të ndjekur shkollën e lartë. Për rrjedhojë, tarifat e studimit për degët e Shkencave të Natyrës janë më të ulëta se fakultetet e tjera të UT-së, një taktikë kjo e përdorur nga drejtuesit e fakultetit dhe Universitetit të Tiranës edhe për të “thithur” sa më shumë studentë.









10 Mars 2010