Universiteti Europian i Tiranës në bashkëpunim me Center for Democratic Education (CDE) promovuan dje në mjediset e “Hotel Tirana International” librin “Metodat e Hulumtimit”; një udhëzues praktik për shkencat sociale dhe humane



Ka shumë libra që tregojnë sesi duhet bërë një hulumtim në shkencat shoqërore, por libri “Metodat e Hulumtimit”, një udhëzues praktik për shkencat sociale dhe humane, i qëndron tërësisht këtij premtimi; është vërtet një udhëzues praktik për hulumtuesit dhe ndonëse u drejtohet kryesisht atyre që po kryejnë hulumtime për herë të parë, edhe studiuesit me përvojë gjejnë në faqet e këtij libri një udhëzues thelbësor për të kryer studime të përparuara. Të dy autorët e librit, Bob Mathews dhe Liz Ross janë pedagogë të Metodave të Hulumtimit në Kolegjin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Birmingamit, dhe e kanë përdorur përvojën e tyre të gjatë e të pasur për të krijuar një tekst mjaft të lehtë për t’u përdorur, që e drejton lexuesin nga mendimet fillestare deri në përfundim të projektit të hulumtimit, qoftë ky një punim diplome apo botim. Universiteti Europian i Tiranës, në bashkëpunim me Center for Democratic Education (CDE), promovuan dje në mjediset e “Hotel Tirana International” udhëzuesin praktik për shkencat sociale dhe humane titulluar “Metodat e Hulumtimit”. Libri i përkthyer nga gjuha angleze prej Qendrës për Edukim Demokratik mbi kryerjen e hulumtimit në fushat shoqërore, mblodhi në sallën ‘Abret’ të “Hotel Tirana International” studiues, akademikë, si edhe doktorantë të rinj. Me një gjuhë të qartë, konkrete, me shembuj, përkthyer me profesionalizëm nga Majlinda e Ilir Nishku dhe redaktuar nga ana shkencore e letrare nga profesorët Bardhyl Musai e Tomorr Plangarica, ky udhëzues praktik për shkencat sociale e humane i jep një status të ri mjedisit në të cilin vendoset. “Metodat e Hulumtimit” është një libër që përpiqet të unifikojë në një, shkollën e lartë dhe shkencën shqiptare. Prof.Dr. Adrian Civici, Drejtor i Shkollës Doktorale në UET, u shpreh për avantazhet e këtij libri: “Ky libër sjell një avantazh për të njohur rregullat e vërteta të kërkimit, të hulumtimit dhe aftësisë për të pasur një punë kërkimore shkencore. Natyrisht që ndryshimi i traditës është i vështirë. Kjo do t’i hapë rrugën një serie tjetër botimi, nisur nga përmbajtja. Universiteti Europian i Tiranës sapo ka nisur eksperiencën e parë të hapjes së Shkollës Doktorale dhe përtej entuziazmit të parë të atyre që vijnë, pengesa kryesore është faza ku çdo doktorant duhet të përcaktojë hipotezën, metodat e kërkimit, fushën e studimit, mënyrën si do e zhvillojë. Ky libër është jo vetëm një udhëzues praktik për shkencat sociale e humane, por edhe një formues i përgjithshëm dhe fjala udhëzues praktik është më se e vërtetë kur njihesh me librin. Të shumtë kanë qenë ata që kanë kontribuar për të sjellë në shqip këtë libër. Por një peshë në punën e madhe që është bërë për të sjellë në shqip këtë libër ka pasur dhe redaktori shkencor i librit, profesor Bardhyl Musai. Për Prof. Musain, ky libër është si një lloj borxhi ndaj studentëve shqiptarë për të sjellë në shqip një udhëzuesi të tillë. “Më kanë ngacmuar gjithmonë auditorët dhe studentët, të cilët kanë ndjerë nevojën për t’u pajisur me shprehitë për hulumtimin nga niveli Bachelor, master e doktoraturë. Kam parë një lloj ndryshimi mes studentëve që kanë studiuar jashtë dhe tanëve, dhe kam pasur një lloj brenge; pra e quaja një lloj detyrimi dhe borxhi që i kemi kësaj kategorie studentësh që duan të bëhen shkencëtarë të ardhshëm. Ndjehem i kënaqur që kemi bërë me përkthimin e këtij libri, përzgjedhjen e duhur”, - tha ai. Ndërsa për redaktorin letrat prof. Tomorr Plangarica i shërben gjithë stafit akademik. “Ky libër sjell përpara kërkuesve, studiuesve, studentëve të doktoraturës, të masterave dhe ambientit shqiptar një nga punimet më të shkëlqyera të dy penave të spikatura në metodat e hulumtimit. Do t’u shërbejë jo vetëm studentëve, por edhe profesoratit shqiptar, për të përqasur metodat e tyre të kërkimit me metodat e kërkimit që aplikohen në vende të tjera perëndimore”, - tha redaktori letrar i veprës, prof. Tomorr Plangarica. Prof.Dr. Dhori Karaj, dekani i Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, i pranishëm në promovim, u shpreh: “Aspekti kërkimor në universitete është në nivel shumë më të dobët sesa mësimdhënia. Ka shumë arsye dhe një prej këtyre është mungesa e literaturës përkatëse. Kështu që ky libër plotëson një boshllëk të spikatur në këtë fushë dhe përbën një kontribut për pasurimin e literaturës për punën kërkimore shkencore në jetën universitare”. Ai shtoi se CDE ka zgjedhur një libër mjaft të këndshëm për t’u lexuar , me një shqipe mjaft të mirë, me përkthyes të stërvitur e me aparat metodik interesant. Ndërsa profesor Agim Kukeli shtoi se ky libër do të zërë vend në një hapësirë të parapërgatitur në mjedisin shkencor shqiptar, duke i dhënë një status të ri mjedisit në të cilin vendoset. “Është libër që e ka unifikuar në një të tërë shkollën, shkollën e lartë dhe shkencën shqiptare”, – tha ai.