Ai udhëtoi nga Leningradi drejt Shkodrës, duke besuar se dikur Tatjana Mihajllovën do ta takonte sërish. Asnjëherë nuk i kishte pëlqyer ndarjet përjetë. Gjithnjë është një shteg, kur fati na takon me njerëzit që i kemi dashur dikur. Nuk ka rëndësi sa ka ndryshuar fytyra e dashurisë së dikurshme, ne mund të dallojmë të shkuarën dhe ditët e bukura në të, edhe kur ajo është një fytyrë e trishtë plot rrudha.



Por Jakup Keraj nuk e takoi më Tamarën. Ajo do të ishte gjithnjë "diku" pranë tij, e veshur ashtu me pallton me pellush, fustanin e kuq poshtë gjurit, e formëzuar në mijëra telajo që ai i ngjizi me ngjyrat e së shkuarës…



Historia e Tamarës, vajzës ruse me të cilën Jakup Keraj u njoh gjatë studimeve në Leningrad, nis librin rrëfim, mbi jetën e një prej artistëve më të mirë të traditës sonë. Është vëllai i tij, kompozitori dhe piktori Rruzhdi Keraj, që ka hedhur në një libër gjithë jetën e të vëllait. Keraj i përket brezit të atyre artistëve, që pavarësisht përmasave reale që kishin, pak mundën të evidentoheshin, apo të merrnin vlerësimet e duhura gjatë kohës që ishte gjallë. Si për të kompensuar këtë mungesë kritike ndaj veprave të të vëllait, Rruzhdiu ka shkruar këtë libër, i ngjashëm me një rrëfim poetik për jetën e një artisti si Jakup Keraj.



Ndodhemi në apartamentin e Rruzhdi Kerajt. Bri tavolinës së drunjtë ai të tregon të vetmen punë të Jakupit, e shoqëruar nga dhjetëra piktura të tij (Ruzhdiut).



Pas vdekjes së Jakupit, piktura duket se u ngjiz brenda trupit të tij. Bashkë me muzikën dhe poezinë, pasione që kanë qenë gjithnjë me të, tashmë piktura sa vinte e bëhej një ndjenjë më e fortë. "Pas vitit 1985, kur im vëlla u nda nga jeta, fillova të merresha më tepër me pikturën. Në fillim ishte më shumë një kujtesë ndaj vëllait dhe më vonë u bë një proces i pandalshëm", tregon ai.



Ky apartament, që ngjason me një studio, e tregon më së miri këtë.



"Më shumë se vëllezër me Jakupin kemi qenë miq të mirë. Unë dija çdo gjë të tijën dhe e shihja plot adhurim. Ai nuk ishte vetëm një piktor, por dhe një njeri që dashuronte muzikën, letërsinë. Libri i tij i preferuar ishte "Gjeniu" i Drajzerit, ndërsa piktorët që donte më shumë ishin rusët", thotë Ruzhdiu.



Pranë pianos ndodhet një telajo, që ende s‘ka përfunduar. "Tashmë pikturën e kam nevojë", artikulon ai.



Por, më shumë se për veten, për ndjesitë e reja që piktura ka sjellë në jetën e tij, Ruzhdiu kërkon të tregojë më shumë për të vëllanë.



Libri që ai ka botuar për të është i vetmi kontribut real që është bërë për Jakup Kerajn. Pavarësisht se shumë artistë e kanë evidentuar vlerën që ky artist pati për artin tonë të traditës, Jakupi kujtohet aq rrallë. Nëse do të flasim për një përfaqësues të denjë të portretit shqiptar, sigurisht që emri i Jakup Kerajt është i padiskutueshëm. Ish-nxënësi i tij, piktori Edi Hila, e veçon pikturën e Kerajt, veçanërisht në gjininë e portretit. Duke u ndalur te portreti që ai i ka bërë artistit Danish Jukniu, Hila thotë se "një nga portretet e njohur, madje esencial në fondin e krijimtarisë shqiptare të pasluftës, pra i pikturuar në periudhën e artit të realizmit socialist, është portreti i Danishit, ose "Portreti i piktorit", që më ka bërë gjithnjë përshtypje. Më është dukur kjo pikturë gjithmonë ndryshe nga punët e tjera të asaj kohe, sepse u largohej skemave të njohura mbi bazën e të cilave operonin artistët shqiptarë të realizmit socialist në atë kohë. Portreti i Danish Jukniut është pikturuar e konceptuar me përmasa njerëzore, të vërteta, pa ekzagjerime dhe zhvendosje artificiale, që në rastin e artit të programuar duhet të tregonin gjeniun artist, i cili ia kushton veprën e tij "ideve të mëdha të revolucionit", përmes "optimizmit revolucionar". Për kohën kjo ishte kërkesë esenciale".



Ka shumë arsye përse nëpërmjet portretit Keraj ka mundur të jetë më i thellë, më i lirë. Duke pasur parasysh sistemin kur ky artist jetoi, portreti ishte e vetmja gjini për t‘iu larguar kornizave të kohës. Ndaj dhe portreti i Danish Jukniut, apo autoportreti që ai ka bërë për veten, portreti që i ka bërë të vëllait Ruzhdiut, apo dhjetëra portrete të tjera, janë sot veprat ku Jakupi ka derdhur gjithë fuqitë e tij.



Por kush është Jakup Keraj?



Burri elegant brun që shfaqet sot në fotot që na tregon i vëllai, lindi në Shkodër më 15 shtator 1933. Babai i tij, Ahmeti, njihej në të gjithë Shkodrën si mjeshtër i kuzhinës dhe kishte mundur të hapte dy restorante, një në qytetin e tij dhe një në Tiranë, aty nga fillimi i viteve ‘40 të quajtur "Bela Venecia". Që i vogël Jakupi shfaqi prirje për vizatim. Kjo gjë ra në sy të prindërve, të cilët e dërguan për të marrë mësime private te një grua ruse, Puzanova, e cila në atë kohë jetonte në Shkodër. Në librin e Ruzhdiut ai tregon dhe për lidhjen e të vëllait me rusen Puzanova. Kur ai realizoi portretin e parë, ajo nuk e thirri Jakup, por Jakopo, duke i thënë se ai i ngjasonte me piktorin Jakopo Tintoretto me portretet që ai realizonte. Më pas, Jakupi u bë nxënës i Simon Rrotës, i cili e vlerësonte shumë Kerajn për talentin e tij. Më vonë Keraj ndjek Liceun Artistik "Jordan Misja", të cilin e përfundon me rezultate të shkëlqyera. Një nga mësuesit e tij të kësaj periudhe ishte Nexhmedin Zajmi. Në vitin 1952 shkon për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Leningradit. Bashkëstudent me emra mjeshtërish të pikturës dhe skulpturës shqiptare, si Vilson Kilica, Guri Madhi, Shaban Hadëri, Kristaq Rama etj., edhe këtu ai u shqua për talentin dhe përkushtimin e tij.



Pasi mbaroi studimet në Bashkimin Sovjetik, kthehet në Shqipëri më 1954-ën. Punon si mësues i vizatimit teknik në gjimnazin "29 Nëntori" në Shkodër. Ndër punët e tij mund të përmendim: "Heronjtë e Mashkullores", "Kuvendi i Lezhës", "Shkodra", "Kalaja e Rozafatit", "Buna" etj. Në vitin ‘64 hapi ekspozitën e parë vetjake në Shkodër. Në ‘84-ën hapi ekspozitën e tij të dytë po në Shkodër, për të çelur ekspozitën tjetër një vit më pas në Tiranë. Në vitin 1970 i është dhënë Urdhri "Naim Frashëri i Klasit të Tretë". Në vitin 1986 i jepet titulli "Artist i Merituar". Pjesëmarrës në Bienalen e Aleksandrisë, është fitues i medaljes së bronzit në dhjetor 1987. "Retrospektivë" ishte ekspozita e çelur në vitin 2002 me punë të Kerajt nga fondi i familjes, Galerisë së Shkodrës dhe GKA-së. Po në 2002-shin i është dhënë titulli Mjeshtër i Madh i Punës.



Është familja Keraj, bashkëshortja dhe fëmijët ata që kujdesen tani për punët e Jakupit. Ruzhdiu beson se libri që ai ka bërë për të është thjeshtë një rrëfim. Pavarësisht historive që mban jeta e secilit prej nesh, ajo çfarë ka rëndësi në rastin e Jakupit është piktura e tij. Vetë ajo e rrëfen më mirë mendjen e mjeshtrit që derdhi tek ajo gjithë perceptimet e tij, për natyrën, dashurinë dhe jetën…







Me Danishin



Pas Leningradit ishte Shkodra qyteti ku piktori i dha jetë artit të tij. Ai qytet, ku përtej rrugicave dhe kafeneve të vogla fshiheshin aq shumë biseda për artin. Pikërisht aty Jakupi ndërtoi atë galeri të pafund pikturash, pranë bashkëshortes dhe fëmijëve. Në atë qytet, ku bashkë me Danish Jukniun kërkonin të zbulonin domethënien e ngjyrave. Danishi ishte një djalë i gjatë, i hollë, simpatik, me flokë gështenjë, të hedhura sipër, ku zbulonin një ballë të madh e të zgjuar. Liceun e bënë bashkë. U ndanë kur filluan studimet e larta, Jakupi në Bashkimin Sovjetik, Danishi në Poloni. Por gjatë viteve të studimeve ata i shkruanin njëri-tjetrit. Në një letër Jakupi i shkroi për pedagogët rusë, shkollën e pikturës dhe vëllazërisht i foli edhe për të metat e pedagogëve dhe shkollës që kishin kryer, pa menduar se ajo letër do t‘i sillte telashe të mëdha dhe për pak desh ia ndërprenë studimet. Ndoshta letra ishte edhe arsyeja që pas studimeve në Leningrad emërohet të punojë si pedagog në Liceun Artistik të Shkodrës… Portreti që ai i ka bërë Danishit e tregon më së miri këtë miqësi… Gjithë brengat dhe pasionet e dy artistëve që jetuan në një sistem që nuk ishte për artin e tyre.



Takimi i fundit





Tamara Mihajllovna priste e shqetësuar pranë semaforit. E mbështjellë deri te hunda me jakën prej pelushi të palltos, herë pas here hukaste duart e ngrira nga të ftohtit dhe përplaste këmbët për t‘u ngrohur. Ai erdhi pesë minuta me vonesë. Tamara sa e pa i thirri - Ju shqiptarët asnjëherë në orar fiks!



Ai i kërkoi ndjesë, duke e puthur në buzët e ngrira nga të ftohtët,



- Ke dëshirë të qëndrojmë?, e pyeti ai



Tamara i futi krahun, mbështeti kokën në supin e tij dhe filluan të ecnin. Ai kishte vënë në kokë republikën e dhuruar nga Tamara dhe me shallin e leshtë të kuq kishte mbështjellë qafën. Fytyrën e kishte të zbehtë dhe herë-herë një dridhërimë si një pickim korrenti ia përshkonte trupin. Ky ishte dimri i pestë në Leningrad dhe i fundit. U futën në restorant. Tamara me duart që i dridheshin, hoqi pallton me pelush. Ai e vendosi në portmonto. Mbasi hoqi dhe pallton e vet, republikën dhe shallin, u ulën në një tavolinë pranë dritares. Tamara dukej një mrekulli me fustanin e kuq. Ai s‘ia ndante sytë dhe herë pas here thyente gishtat me një nervozizëm qe se kuptonte nga i vinte.



- Pse je kaq nervoz?, - pyeti e shqetësuar Tamara. Ai s‘ia ndante sytë. Kur erdhi kamerieri ai e la Tamarën të bënte porosinë.



- Të pyeta edhe një herë përse je kaq i shqetësuar?



- Ti, do të vish me mua në Shqipëri, - foli ai, dhe vështrimi i tij i butë u ngul në buzët e saj të mbushura dhe priti të dilnin prej aty brilante apo helmi i mospranimit. Ajo heshti gjatë. Kishte kohë që pyetjes së tij nuk po i gjente përgjigje. Kur u njohën një mbrëmje në Akademinë e Arteve, ajo kurrë nuk e mendonte se do të vinte një ditë si kjo…



- Po ti, pse nuk rri këtu?, - e pyeti ndoshta për të njëmijtën herë gjatë këtyre ditëve. Ai ndjeu thellë në vete përgjigjen e fundit që priste dhe ndoshta për të parën herë parandjeu sa e largët do të bëhej së shpejti Tamara e tij, brunia e mrekullueshme me sy bajame me atë trup si kalem hardhie.



- Mos mendon se ky është takimi i fundit?, -pyeti ai.



- Kjo varet nga ti. Këtu jam unë dhe perspektiva jote.



- Ti duhet të vish me mua Tamara.



Përse mos të rrish ti me mua? Foli e egërsuar ajo.



Këto kujtime po i rëndonin piktorit të ulur para pasqyrës me republikën në kokë dhe shallin e kuq hedhur rreth qafës. Më në fund iu mbush mendja të bënte portretin e vet.



Tamara nuk doli ta përcillte. U bë keq. U mat disa herë të dilte ta kërkonte, por…



Edhe fjalët e Rektorit të Akademisë e pickonin si gjarpri.



- Ti duhet të rrish këtu, këtu është perspektiva jote.



Në studio bënte ftohtë.



Shkodra ishte plot lagështi. Soba bënte tym dhe s‘e ndezi. Vajza e vogël priste e ulur në karrigen prej kashte, e mbështjellë me pallto, të fillonte punën i ati.



Kur erdhi në shtëpi në Shkodër, ndjeu t‘i shpërthejë malli dhe nga dytë e bukur iu rrodhën lotët. Nëna s‘ngopej së përqafuari. Babai, pasi i uroi mirëseardhjen, u ul në një cep minderit dhe ndezi një cigare. Vëllezërit iu mblodhën rreth dhe s‘ngopeshin duke e parë dhe përqafuar. Shtëpia përdhese u ngroh. Atë natë prindërit i liruan krevatin dopio dhe vetë fjetën në kuzhinë, në dyshekët e shtruar në tokë. Nënën e merakosur se zinte gjumi dhe i pëshpëriste herë pa here babait: - Është shumë i dobët, e shkreta unë! - Babai e qetësonte: - Fli tani, e ka nga rruga. As vëllezërit s‘i zinte gjumi. Atë natë se zuri gjumi.



Sa e vogël iu duk shtëpia.



Nëna e dobësuar, babai i plakur dhe tepër i lodhur. Vëllezërit ishin rritur. Filloi të qeshë me vete, sepse të gjithëve në letrat që u dërgonte u kishte vënë nga një nofkë. Të nesërmen shtëpia u mbush nga shokët dhe piktorët e qytetit. Nëna i përzuri shpejt të gjithë, se djali ishte i lodhur.



E mrekullueshmja nënë!