Ashtu siç ka qenë dikur dhe siç nuk do të jetë më asnjëherë. Janë 100 foto të realizuara më shumë se 100 vjet më parë, që sjellin për qytetarët vlonjatë, Vlorën e dikurshme, sot të “zaptuar” nga vrulli i kohës. Ekspozita “Vlora, ky qytet…”, e realizuara nga arkitekti Pirro Stefa mblodhi mbrëmjen e së premtes, intelektualë nga Vlora, e qytete të tjera shqiptare, të apasionuar pas fotografisë.


Veç pasionit për foton e vjetër, tre kanë qenë arsyet që kanë nxitur arkitektin Pirro Stefa për të mbledhur fotot e Vlorës së vjetër dhe ekspozuar më pas në “Vlora, ky qytet”. “Unë vij nga një familje vlonjate, gjyshërit, prindërit, vetë unë, madje edhe im bir, kemi lindur këtu. Jam arkitekt, një profesion mjaft i lidhur me fatin e qytetit, i cili të lejon të bëhesh dëshmitar i ndryshimeve, të cilat realizohen pothuaj para syve. Në këto vite të tranzicionit kam jetuar e punuar për disa vite jashtë vendit;kjo s’ka bërë gjë tjetër veçse me ka shtuar mallin dhe dashurinë për këtë qytet, si dhe shtuar energjitë dhe përgjegjësinë për të kontribuar”. Ekspozita përmban rreth 100 foto të vjetra të Vlorës, që pasqyrojnë jetën qytetare, objektet e kultit, objekte arkitektonike, pazarin, rrugën Vlorë-Skelë, Sheshin e Flamurit, bregdetin dhe portin, panoramat e qytetit etj. Fotoja më e vjetër daton nga viti 1905 dhe është pikërisht një pamje nga Skela dhe deti. Më pas fotot vijnë në kohë të ndryshme, në vitet 1920, apo 1939 dhe 1940. Stefa tregon se këto fotografi janë realizuar nga fotografë të talentuar, por që mbetën anonimë, të cilët, pa dyshim, nuk jetojnë më, por që me aparatet e tyre të një teknologjie të thjeshtë të fillimshekullit të shkuar, i kanë bërë një shërbim të madh kujtesës së këtij qyteti. Ata kanë fiksuar Xhaminë e Muradies, Sahatin e Bashkisë, Obeliskun e Flamurit, Shtëpinë e Vlorajve, varrin e Ismail Qemalit, Rrugën tregtare të Hebrenjve, rrugën historike “Justin Godart”, godinën e Bashkisë, ish-Prefekturën, bulevardin Vlorë-Skelë, Muzeun e Pavarësise, klubin “Labëria”, Bankën e vjetër, Shatërvanin e Katër Topave, etj. “Punë disa vjeçare për t’i gjetur”,- pohon arkitekti, i cili për mënyrën si janë gjetur, preferon të përgjigjet shkurt: “Kush kërkon gjen”. Stefa thotë se kjo ekspozitë është një homazh për Vlorën, për fotografët e vjetër, por edhe për ata arkitektë që realizuan projektet e atyre ndërtesave, që sot quhen të vjetra, por që i rezistuan kohës. Qerim Vrioni, njohës i fotografisë, nënvizoi faktin që “fotot e kësaj ekspozite janë një dokument i rëndësishëm për të njohur vlerat e vjetra të qytetit, të cilat fotografia i dëshmon si një dokument për të njohur transformimin e madh që ka pësuar qyteti në rrjedhën e kohës”. Specialistë dhe koleksionistë vlerësuan punën plot pasion të arkitektit koleksionist Pirro Stefa për realizimin e fotoekspozitës.


Të pranishmit gjithashtu kanë mirëpritur edhe një dokumentar të shoqëroi ekspozitën, me të njëjtin emër, me skenar të Dezdemona Stefës, bashkëshortes së arkitektit Stefa. Dokumentari evokon të kaluarën dhe vjen tek e sotmja. Vlerësohet zhvillimi i vrullshëm i qytetit, sidomos vitet e fundit, por gjithnjë me merakun e ruajtes së traditës së atyre pak objekteve të mbetura nga e kaluara. “Bashkëqytetarët e mi dhe unë do të ishim edhe më krenarë për këtë qytet, nëse bashkë me këtë arkitekturë të re që ndërtojmë sot intensivisht, e jo rrallë herë brutale, do të bashkëjetonte edhe kalaja e famshme e Vlorës, pallatet e bejlerëve të saj perëndimorë, objektet e kultit – xhamitë e kishat - kinematë e paraluftës, parqet, pazari i vjetër, sahatet, hanet, hotelet, shatërvanët, rrugët tregtare, varrezat, monumentet, disa nga shtëpitë e vjetra, rrugicat e mëhallat e fqinjësisë së mirë, ashtu siç duken natyrshëm dhe në këto foto. Për të treguar se ky është një qytet me rrënjë, me të shkuar, që ka ditur të tregojë rrugën e krenarisë dhe detyrimeve ndaj atdheut, duke mbajtur lart armët e shenjta në betejën e madhe për një besim të ri, për një atdhe të lirë e të mosvarur. Se ky qytet është i stërgjyshërve tanë, i gjyshërve, i baballarëve, i yni por edhe i atyre që do të vijnë pas nesh, të cilët, me të drejtë, do të pyesin dhe do të duan të dinë më shumë nesër për të parët e tyre dhe qytetin ku kanë lindur”, - thotë Stefa.