Një det i pastër. Një vend ku Joni dhe Adriatiku përqafohen e ku zgjedhjet janë të pafundme.





Çmime të përshtatshme për të gjitha familjet, një natyrë që të ofron detin, rërën, malin, pyjet, mundësitë për piknik apo një jetë nate të paharrueshme.





Vlora, edhe këtë vit pretendon të jetë "mbretëresha"





Vlora tashmë është "zgjuar". Ka dalë nga "dremitja" dimërore dhe ka shpalosur të gjitha ngjyrat dhe energjinë që e kthejnë atë në simbolin e vërtetë të turizmit shqiptar të viteve të fundit e që për rrjedhojë, tashmë është bërë zakon të quhet "Mbretëresha e Turizmit Shqiptar".





Aty mund të gjesh gjithçka, thonë banorët e saj, të cilët krenarë për qytetin të cilit i përkasin, edhe këtë vit do të presin turistët e shumtë. E në fakt, detrat i japin vçantinë Vlorës, sepse është pikërisht vendi ku Adriatiku ranor dhe Joni shkëmbor "përqafohen".





Plazhet dhe uji i kristaltë joshin pushuesit që çdo vit "zaptojnë" hapësirat e tij, qoftë në rërë, në zhavorr apo në shkëmb. Nëse thua Vlorë, patjetër që nuk ndalesh vetëm në zonën e Ujit të Ftohtë, që është edhe një nga pjesët më të frekuentuara të saj. Për këdo që kërkon të shijojë diellin dhe detin, e t'i japë lëkurës një ngjyrë të vçantë, i duhet të vijojë edhe më poshtë, pasi kënaqësia vijon në Jonufër, Llogora, Dhërmi, Jal, Llaman e më tej.





Por çfarë ofron Vlora këtë vit?





Sipas statistikave zyrtare, vetëm në qytetin e Vlorës numërohen rreth 38 njësi hoteliere me rreth 1600 shtretër. Akomodimi me njësi hotelerike vijon edhe përgjatë Jonufrës, Radhimës, Orikumit, ku ndodhen edhe vileta karakteristike prej druri të komplekseve turistike. Por një rol të rëndësishëm në pritjen e fluksit të madh të turistëve që "pushtojnë" Vlorën gjatë sezonit veror luajnë njësitë familjare të akomodimit.





Këto të fundit shtrihen në pjesën më të madhe gjatë bregdetit, por edhe në qendër të qytetit. Kushtet e akomodimit në përgjithësi janë të mira. Statistikat tregojnë se për qytetin e Vlorës çmimet e hoteleve variojnë nga 800 - 3 000 lekë për person.





Këto çmime luhaten edhe në varësi të kushteve të hotelit, si dhe të numrit të krevateve në një dhomë. Gjithashtu një rëndësi të madhe ka afërsia e hotelit me bregun e detit.





Çmimet më të ulëta në përgjithësi i kanë hotelet që ndodhen më në qendër të qytetit, teksa hotelet që vijojnë nga bregu i detit pranë zonës së Skelës e më poshtë janë me çmime më të larta, por gjithsesi të përballueshme.





Rezervimet e mëparshme të pushuesve të cilët i rikthehen qytetit të Vlorës edhe në vitin pasardhës janë me çmime më të leverdisshme sesa ato të kryera në pikun e sezonit veror, kur çmimet edhe rriten. Përvç hoteleve, janë edhe apartamentet e dhëna me qira.





Mësohet se në një mesatare të tyre, një apartament në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë për dy javë kushton rreth 40 000 lekë të reja (gjithsesi këmbëngulësit mund të gjejnë edhe më lirë se kaq). Në të përfshihen dy dhoma të mobiluara dhe një ambient gatimi, i cili do të ishte i leverdisshëm për familjet apo për një grup shoqëror.





Por ndërkohë, çmimet e hoteleve vijojnë në rritje në zonat e Dhërmiut dhe Himarës, zona ku plazhet janë tepër të preferuar dhe ku mësohet se çdo personi i duhet të paguajë një shumë prej 2500 - 3000 lekë të reja për kalimin e një nate.





Çmimet janë të tilla kryesisht në periudhën e gushtit, ku këto zona janë të mbipopulluara. Vështirësi hasen në gjetjen e çmimeve të ulëta sidomos në periudhën 15 korrik - 15 gusht, teksa vijon të këshillohet rezervimi i mëparshëm i vendeve për të fjetur.





Masa nga Bashkia





Me një koordinim të Bashkisë Vlorë dhe njësive pritëse këtë sezon mësohet se çmimet e akomodimit janë ulur deri në 20%, duke synuar që kjo të jetë një "armë" më shumë në favor të faktit që edhe këtë sezon Vlora të mbetet qyteti më i preferuar shqiptar.





Lidhur me "abuzimet e mundshme" në çmime, kushtet higjieno-sanitare, standardet e shërbimit, por edhe ndërtimet pa leje mësohet se nga Bashkia e Vlorës është ngritur një Task Forcë në të cilën përfshihen punonjës të Degës së Tatimeve, Drejtorisë së Shëndetit, Drejtorisë së Turizmit, Drejtorisë së Veterinarisë, Policisë Bashkiake, Inspektoratit Ndërtimor në koordinim edhe me Policinë e Rendit.





Kjo Taskë Forcë ka për detyrë të identifikojë dhe më pas të zgjidhë çdo problem të mundshëm gjatë gjithë sezonit turistik, sidomos në kohën e fluksit të madh korrik-gusht.





Jeta e natës





Një nga tiparet kryesore që vitet e fundit është bërë e rëndësisë së vçantë për tërheqjen e turistëve në qytetin bregdetar është pikërisht ajo që quhet "jeta e natës". Vlora tashmë ofron mundësi mjaft të mira për të apasionuarit e shumtë të saj.





Disko-klube tipike bregdetare (shpesh në tipin Ibiza - Spanjë apo Myconos-Greqi) ngjyrosin netët vlonjate me ritmet e tendencave më të fundit muzikore. Nëpër qytet sheh kudo reklamat me të cilat këto lokale lajmërojnë eventet e radhës e ku shpesh ke mundësinë të shohësh drejtpërdrejt dixhej (DJ) të famshëm që më parë janë dëgjuar në radio apo admiruar në televizion.





Shumica e këtyre disko-klubeve ndodhen përgjatë vijës bregdetare, teksa me fillimin e sezonit veror, nuk është e rrallë që jashtë tyre të shikosh edhe radhën e të rinjve që presin të jenë pjesë e festës.





Hyrja në to, ashtu si dhe në kryeqytet, mund të jetë me rezervime apo me bileta, por edhe falas. Gjatë vitit të kaluar qyteti i Vlorës pati kufizime në këtë pjesë të argëtimit, ndërkohë që një gjë e tillë nuk ndodhi në zonën e Dhërmiut, Himarës apo Sarandës, ku diskot vijuan me muzikën e tyre përgjatë gjithë sezonit veror deri në orët e para të mëngjesit.





Argëtimet





Lidhur me argëtimet, pavarësisht se nuk ka një kinema, qyteti i Vlorës ofron teatrin e estradën, por edhe aktivitetet e shumta artistiko-kulturore e sportive të organizuara nga Bashkia e Vlorës. Zakonisht këto aktivitete organizohen në ambiente të hapura dhe pa pagesë, ndërsa pagesa për teatrin është rreth 200 lekë për person.





Ushqimi





Por Vlora është gjithashtu një nga qytetet ku ofrohet ushqim i cilësisë së lartë dhe shumëllojshmëri zgjedhjeje. Kuzhina vlonjate ofron jo vetëm gatimet tradicionale të mishit të "qengjit të pjekur në hell", të "zogjve në saç", "bretkosave të skarës" dhe, mbi të gjitha, ushqimin e freskët të detit.





Lokalet dhe restorantet buzë detit, hotelet me një pamje të mrekullueshme janë vetëm një nga ofertat e shumta të Vlorës. Çmimet në lokale e restorante mund të krahasohen me ato të kryeqytetit për nga shtrenjtësia, gjithsesi ato luhaten, ashtu si edhe hotelet, në varësi të afërsisë dhe largësisë nga qyteti dhe nga deti.





Restorantet e shumta në qytet dhe bregdet lënë mundësi zgjedhjeje, si për kuzhinën, ashtu edhe çmimet. Në zonën e Skelës ka të tillë që kuzhina tradicionale shqiptare ofrohet me çmime të arsyeshme.





Disa nga alternativat janë shijimi i ngjalave dhe peshkut në Nartë, gatimi i zogjve në Panaja, mishi i pjekur në hell në Radhimë, prodhimet e detit përgjatë gjithë lokaleve të bregdetit në zonën e Ujit të Ftohtë dhe Triport.





Kuriozitete





- Vlora e hap sezonin veror të shtunën e dytë të muajit maj. Kjo është një nga festat më të rëndësishme dhe që qyteti e përjeton më intensivisht (së bashku me atë të Pavarësisë). Këtë vit hapja e sezonit veror, e organizuar nga Drejtoria e Turizmit në Bashkinë e Vlorës, u bë me një program aktivitetesh 5-ditore.





Gjatë kësaj periudhe nuk munguan ekspozitat e arteve figurative, koncertet muzikore për fëmijë, konkurrime të parashutistëve, aktivitetet fitness, spektakli i cirkut, koncertet rock, parada motoristësh, festival folku, koncert i muzikës qytetare vlonjate etj.





- Më 30 tetor të vitit të kaluar, Vlora u nderua me çmimin ndërkombëtar për turizmin "Vlora, a jewel overlooking the Albanian Riviera" (Vlora, perla e rivierës shqiptare). Ky çmim iu dha kryebashkiakut Shpëtim Gjika në Lugano të Zvicrës nga "SWISS TOURISM AWARDS 2009", duke e bërë Bashkinë e Vlorës të vetmen bashki shqiptare që nderohet me një çmim të tillë prestigjioz në fushën e turizmit.





Promovimi turistik pritet të vijojë intensivisht gjatë gjithë sezonit me logo të reklamuara, materiale promovuese, shpërndarje fletë-volantesh promovues jo vetëm në bregdetin shqiptar, por edhe Kosovë e Maqedoni.





-Një ndër ndërtesat më të vjetra në Vlorë është xhamia e qytetit, pranë qendrës. Xhamia e Plumbit vlerësohet si një nga veprat më të rëndësishme të arkitekturës islame në Shqipëri. Ajo i përket viteve '40 të shekullit XVI. Objekti i kultit është i vizitueshëm si nga turistë të huaj, por edhe pushues shqiptarë.





Paratë





Që të kalosh pushimet në Vlorë të duhet të bësh disa llogari lidhur me sasinë e parave që duhet të marrësh me vete.





Kështu, sipas disa përllogaritjeve të bëra, një turist në qytetin bregdetar harxhon një mesatare ditore prej 1600 - 3 000 lekësh të reja, ku përfshihet fjetja dhe ushqimi. Patjetër që një shifër e tillë pëson luhatje në kohën kur gatuhet në shtëpi apo kur shkohet në restorante.





Për shpenzimet e rrugës, në rastet e mospasjes së një makine personale duhet marrë parasysh që për të shkuar në vijën bregdetare e përkatësisht Dhërmi, Himarë dhe Sarandë janë në dispozicion vetëm autobusët. Kështu Vlorë-Dhërmi kushton 300 lekë të reja, Vlorë-Himarë kushton 400 lekë dhe Vlorë - Sarandë përgjatë bregdetit kushton 800 lekë.





Brenda qytetit të Vlorës mund të lëvizet me linja urbane, bileta për të cilat kushton 30 lekë. Me to mund të shkohet nga hyrja e qytetit deri në Ujin e Ftohtë, por me fillimin e sezonit kjo linjë shkon deri në zonën e Jonufrit, i cili është i këshillueshëm për ujin e pastër.





Nuk këshillohet lëvizja në orët e pikut. Pavarësisht se këtë vit është investuar në shtrimin e disa rrugëve kryesore për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve, sërish aksi nga Skela për në Ujin e Ftohtë vijon të mbetet një problem. Vitin e kaluar në orët e pikut e pikërisht 10:00 - 12:00 paradite dhe 17:00 - 20:00 pasdite në këtë aks rrugor prej vetëm pak kilometrash, mund të bllokoheshe deri në dy orë.





Plazhi publik, i cili ndodhet në Ujin e Ftohtë është zakonisht i mbipopulluar. Të qëndrosh në çadrat e vendosura në të është falas, ndërkohë që për çdo krevat duhet të paguash 100 lekë të reja. I njëjti çmim është edhe tek privatët. Nëse zgjedh të bësh një xhiro me motor uji, atëherë të duhet të bësh ca llogari, pasi një orë kushton afërsisht 100 euro.





Plazhet ranore





Shtrirja bregdetare në Vlorë lë mundësi zgjedhjeje për frekuentimin e plazheve. Ndërsa një ditë vere mund të kalohet fare bukur nën kaltërsinë e ujërave të Ujit të Ftohtë, plazhet tek Kalaja, Jonufër apo Radhimë, për të tjerë "fanatikë" të bregut ranor, propozimi mund të jetë jo vetëm Plazhi Publik në Ujë të Ftohtë, por edhe Plazhi i Vjetër apo pranë Triportit.





Rëra në këto plazhe tërheq kryesisht kategori familjarësh. Rëra dhe freskia e pemëve prekin vijën bregdetare deri në Zvërnec. Janë plazhe thuajse pa ndërhyrje në infrastrukturë, ndërkohë që lokalet e ngritur në këtë zonë shërbejnë kryesisht ushqime me bazë peshku.





Panoramë Vlore nga lartësia





Janë disa pika nga të cilat mund të shohësh fare mirë gjithë qytetin. Shumë nga ata që vijnë për pushime në qytetin bregdetar, nuk do të donin të humbnin një vizitë në një nga vendet më të njohura, kodrën e Kuzum Babait.





Aroma e Vlorës duket se vjen e plotë në shtrirjen e saj nga qendra dhe periferia, përfshi këtu edhe peisazhin ujor.





Për në Kuzum Baba mund të ngjitesh nëpërmjet shkallëve, nga pjesa e përparme e kodrës (janë rreth 120 shkallë për t'u ngjitur), si edhe nga pjesa e pasme e kodrës, ku mund të përdoret edhe automjeti. Fare pranë zonës së gjelbëruar, mbi Kodër, gjendet edhe Teqeja e Kuzum Babait.





Panoramë e plotë e Vlorës mund të shijohet edhe nga lokalet në Kaninë, sidomos kur pragmbrëmja vesh qytetin me ngjyra të vçanta. Në këtë zonë nuk mungojnë as gjurmët e lashtësisë. Kalaja e Kaninës daton nga shekulli III para Krishtit, interesante për t'u vizituar.





E një tjetër pamje më të plotë do të ofronte Shashica, e cila ndodhet vetëm tre kilometra nga Kanina. Në këtë pikë nuk ka lokale, por prej saj do të mund të shijohet panorama më e bukur e Vlorës, pasi është edhe pika më e lartë e saj. Një piknik në mbrëmje për të parë edhe perëndimin e diellit, do të ishte zgjedhja më e përkryer në ditët në Vlorë.





Si të kalosh një ditë në Vlorë





Vlora nuk ka pse të jetë vetëm zgjedhja për pushimet dyjavore. Edhe vetëm një fundjavë mund të jetë një ide e mirë për ta kaluar në qytetin bregdetar dhe për ta shijuar atë në maksimum.





Në një udhëtim me makinë personale, gjithçka do të ishte më e lehtë, por nëse zgjedh transportin publik rruga nga Tirana në Vlorë me furgon do të kushtonte 600 lekë, ndërsa me autobus sa gjysma e kësaj shume.





Një vend i këshilluar për ta filluar vizitën në këtë qytet do të ishte Manastiri i Zvërnecit. Largësia e tij nga qyteti është 15 minuta dhe më orientues se tabelat (të cilat edhe mund të mungojnë) janë vetë banorët, të cilët në rast se i pyet, tregohen shumë bashkëpunues. Manastiri i Zvërnecit ndodhet mbi një ishull në mes të Lagunës së Nartës.





Pasi përfundon rruga automobilistike, automjetin me të cilin udhëton, të duhet ta lësh pranë fillimit të urës së drunjtë, e cila është për këmbësorët e më pas t'i drejtohesh manastirit "Fjetja e Hyjlindëses", siç është edhe e shkruar në tabelën ku të këshillohet, ndër të tjera, të kesh një veshje të hijshme.





Era e detit është shoqëruese në kalimin e urës së gjatë, ndërsa bukuria e manastirit është thjesht magjepsëse. Vizita në të zakonisht është e shkurtër e më pas mund t'i drejtohesh sërish qytetit.





Një kafe në lokalet e shumta në bregun e detit do të ishte ideale, por mund të zgjedhësh edhe të marrësh me vete rrobat e banjës e të kridhesh në det. Mundësitë për këtë janë të pafundme pasi bregdeti vijon për kilometra me radhë e mund të zgjedhësh qoftë një plazh me rërë, por edhe atë shkëmbor.





Nëse makina personale mungon, është mirë të mos ekzistojë asnjë drojë për të marrë autobusin urban që të çon në Plazhin e Ri apo, e thënë ndryshe, në zonën e Ujit të Ftohtë (për urbanin është mirë të pyetet paraprakisht i cilës linjë është, në mënyrë që të mos përfundohet në ndonjë vend tjetër). Këtë verë shërbimi urban është deri në Jonufër, më tej tunelit të mirënjohur të këtij qyteti, gjithsesi nëse do të merrej një furgon nga Vlora, do të kushtonte 100 lekë. E pas plazhit, një drekë do të ishte e këndshme.





Mund të zgjedhësh gjithnjë që të marrësh ushqim me vete, të hash ushqime të gatshme ose të ulesh në një restorant. Një shumë prej 2 500 lekësh për dy persona do të ishte një mesatare e kënaqshme në këto restorante.





Pasditja nuk shkon kot në Vlorë. Mund të zgjedhësh të vizitosh muzetë. Ai i Pavarësisë, i cili ndodhet edhe në zonën e Skelës, pranë Universitetit të Vlorës është i hapur paradite dhe pasdite nga e hëna në të diel.





Hyrja kushton vetëm 100 lekë dhe një ciceron është gjithnjë i gatshëm për të treguar hapat që çuan në shpalljen e pavarësisë, luftën e bërë para dhe pas vitit 1912 jo vetëm në qytetin bregdetar, por edhe në gjithë vendin. E nëse dëshiron, një këshillë më e mirë do të ishte të shihje perëndimin e diellit nga Kanina, një nga pikat më të larta të Vlorës.





"Dielli zhduket me sekonda" do të thoshte një banor i zonës për ta përshkruar më mirë ndjesinë, teksa që nga maja e Kaninës mund të shijosh jo vetëm "zhytjen" e diellit në Sazan, por edhe muzgun që përzien ngjyrën gri dhe rozë duke i dhënë natyrës një bukuri të rrallë. I gjithë qyteti i Vlorës ndodhet përballë teje.





Një hotel në zonën e Ujit të Ftohtë, pranë argëtimit, mund të ishte një ide e mirë (udhëtimi do të ishte akoma më mirë të mos zhvillohej i vetëm në mënyrë që edhe shpenzimet të ishin më të vogla). Por mund të zgjidhet edhe jeta e natës.





Diskot janë plot. Ndodhen buzë detit ose edhe brenda në det. Mund të kërcesh deri në orët e para të mëngjesit. Dhe nëse mendon se diskot nuk janë ajo çka duhet, nuk janë të paktë restorantet që ofrojnë muzikë popullore dhe një ambient më familjar.





Zgjimi është më i bukur me një kafe buzë detit. Edhe një kredhje e fundit në ujë para largimit, do të ishte një ide shumë e mirë. E në një rikthim në një ditë tjetër në Vlorë, por këtë radhë me disa shokë më shumë, nuk do të ishte një zgjedhje për t'u qortuar...