Procesi i pajisjes me karta identiteti në Vlorë ka ecur normalisht. Këtë e ka pohuar Prefekti i Qarkut të Vlorës, Hasan Halili, sipas të cilit në përgjithësi puna me pajisjen e shtetasve me karta identiteti ka ecur mirë, ndonëse ka edhe probleme që nuk varen prej institucioneve vendore. Halili ka preferuar të flasë përmes shifrave që dalin në fund të çdo dite nga punonjësit e zyrës së aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Ai ka theksuar se deri tani në bashkinë e qytetit të Vlorës kanë aplikuar për karta identiteti plot 28.674 persona, ndërkohë që pa pasaporta janë evidentuar 17.780 persona.

Në rang rrethi kanë aplikuar deri tani 37.531 persona, ndërkohë që janë pa pasaporta 45.000 persona. Sipas prefektit Halili, një punë e mirë në këtë prefekturë po bëhet për pajisjen me pasaporta të studentëve dhe nxënësve që kanë mbushur moshën për ta marrë një dokument të tillë. Kjo është arritur përmes një bashkëpunimi me universitetin Ismail Qemali dhe shkollat e mesme të qytetit. Ndërkohë që problem mbetet verifikimi i votuesve nëpër listat e afishuara deri tani nëpër qendrat e votimit dhe veçanërisht evidentimi i personave që janë larguar nga kjo jetë, por që nga të afërmit nuk është bërë heqja e emrit të tyre nga regjistri familjar. Po ashtu, në këtë prefekturë ka probleme me ngatërrimin e emrave të personave që duhet të votojnë. Për njërën arsye apo tjetrën ka ndodhur në shumë raste në këtë prefekturë që emrat e shtetasve që janë në moshë votimi nuk janë të saktë në një apo dy shkronja dhe kjo ka sjellë probleme me pajisjen e tyre me dokumentin përkatës. Megjithatë, nëse punohet me këto ritme, sipas prefektit Halili do të bëhet plotësisht e mundur pajisja e të gjithë shtetasve që do votojnë me dokumentet përkatëse. Prefekti i Vlorës, Hasan Halili u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike të bëjnë thirrje tek militantët e tyre që të pajisen sa më shpejt me këto dokumente.