Vjen në Shqipëri dosja e ekzekutimit të bujshëm në një sallë lojërash fati

Interpoli sjell në Shqipëri dosjen e një sërë shqiptarësh që kanë aktivitet kriminal në Spanjë, mes të cilëve edhe persona që dyshohen për vrasjen e Franc Konomit. Bëhet fjalë për një grup, i cili merret me trafikun e drogës dhe jo më larg se një vit më parë kanë kryer një vrasje në një lokal lojërash fati në Spanjë. Për këtë ngjarje, Policia e Spanjës ka pasur të dyshuar disa shqiptarë, ku edhe viktima ka qenë bashkëkombës.


Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se informacionet sekrete kanë ardhur me kërkesën e palës shqiptare, pasi edhe dyshimet për vrasjen e Franc Konomit, ekzekutimi i të cilit u bë më 8 korrik të këtij viti, lidhen me shtetin e Spanjës, pavarësisht se familja ka mohuar disa herë se 42-vjeçari nuk ka qenë asnjëherë në këtë vend. Në lidhje me vrasjen e Tiranës, policia shpjegon se ngjarja mund të ketë zanafillën me krimin e ndodhur në Spanjë. Sipas dosjes hetimore, ku nuk janë bërë publike shumë të dhëna, për shkak të ruajtjes së sekretit, mësohet se bëhet fjalë për një ngjarje, ku janë përfshirë dy grupe shqiptarësh. Hetimet tregojnë që ngjarja ka ndodhur në një lokal lojërash fati, ku kanë qenë dy grupet shqiptare, të cilët mendohet se po bënin pazare për trafik droge. Në negociata e sipër, gjakrat janë nxehur, ku nuk dihen arsyet reale, dhe një person ka nxjerrë një pistoletë 15-she, duke vrarë një anëtar të grupit tjetër dhe duke plagosur të dytin. Më pas, autori i dyshuar i ngjarjes, që mendohet se është shqiptar, është larguar nga vendi i ngjarjes. Por nga grupi tjetër, një person ka vdekur me tri plumba, ndërsa i plagosuri që ka marrë katër plumba ka shpëtuar, pavarësisht se asnjëherë nuk është zbërthyer për të treguar se kush e kishte kryer këtë krim.


Pas kësaj ngjarje, në Spanjë kanë ndodhur edhe disa krime të tjera, ku dyshimet bien mbi një grup shqiptarësh, që e kanë shtrirjen e tyre deri në Francë. E pikërisht për shkak të këtyre konflikteve, dyshohet se hakmarrja ka ardhur nga Spanja. Policia ka ngritur dyshime shpeshherë se Franc Konomi ka qenë i lidhur me trafikun e drogës, por asnjëherë nuk është arritur që të faktohet një veprimtari e tillë. E nga këto dyshime, grupi hetimor i ka shtrirë hetimet deri në Spanjë. Në lidhje me autorin e dyshuar të krimit që ka ndodhur në Spanjë, policia tha se ai ndodhet ende atje, por miq të tij, lidhje që dihen prej vitesh, kanë ardhur në Shqipëri. Gjithashtu, në këtë konflikt të ashpër mendohet se ka marrë pjesë edhe një i njohur i Franc Konomit. Të dy këta persona, si i njohuri i Konomit dhe i dyshuari për vrasje, kanë biznese në Tiranë.


Sipas të dhënave policore, ditën e krimit, pikërisht më datë 8 të këtij muaji, dy personat me motor kanë bërë disa xhiro në rrugën “Luigj Gurakuqi”, pranë sheshit “Avni Rustemi”, ku u ekzekutua 42-vjeçari Konomi. Ata janë vënë re nga disa njerëz, e madje është menduar se mos do të kryenin ndonjë grabitje në dyqanet e këmbimit të valutës. Madje, disa prej tyre e kanë fiksuar plotësisht atë, sidomos persona që i njohin mirë motorët. Sipas hetimeve, motori ka qenë i llojit “Trans alt”, me ngjyrë të zezë. Madje, një tjetër dëshmitar ka deklaruar se ishte me targa greke. Ndërsa e veçanta e motorit është se ka një serbator ngjyrë jeshile. Burimet nga grupi hetimor shpjegojnë se dy personat që kanë kryer krimin mendohet të jenë të moshës 25-30 vjeç dhe atë ditë kanë qenë të veshur me xhupa motori, ngjyrë blu dhe xhins. Në kokë mbanin kaskat. Megjithatë, motori i veçantë ka mbetur në mendjen e disa personave, që tashmë janë marrë në pyetje edhe nga oficerët e policisë që po hetojnë vrasjen e Franc Konomit.


Duke u bazuar mbi këto fakte, dëshmitarë të ndryshëm tregojnë se një motor i tillë është parë afër banesës së Franc Konomit. Nuk dihet pse ai ka lëvizur në këtë lagje, që ndodhet pranë Shkollës së Kuqe, por dyshimet janë se mund të jetë i njëjti motor i përdorur në fillim të këtij muaji për të kryer vrasjen mafioze. Burimet policore thanë se aktualisht nën hetim kanë vënë disa persona për këtë ngjarje, ku përfshihen edhe të njohur të Franc Konomit, por nuk janë publikuar shumë detaje, për shkak të ruajtjes së sekretit. Sipas të dhënave të mbledhura nga gazeta “Shqip”, motori është parë në lëvizje ditën e martë dhe u ka bërë përshtypje shumë njerëzve, të cilët nuk ishin në dijeni për karakteristikat e tij dhe nuk e kishin fiksuar më parë një motor të tillë.








#