TROPOJE - Policia e Tropojës prangos njërin nga pjesëmarrësit në vrasjen e ish-kreut të KESH, Sadri Metalisë. Sipas burimeve, Bekim Dauti, 23 vjeç është kapur në tentativë për të kaluar kufirin drejt Kosovës. I riu ishte identifikuar nga policia pas bllokimit të mjetit që u gjet i braktisur, me të cilin kishin udhëtuar autorët. Pas verifikimeve të kryera, rezultoi se makina nga ishte qëlluar viktima i përkiste Bekim Dautit. Ai është nipi i dy personave të shpallur në kërkim, Astrit dhe Arben Breçani. Këta të fundit dyshohet se të dielën e kaluar ekzekutuan me breshëri kallashi në mes të qytetit të Bajram Currit, Sadri Metalinë. Viktima njihej si një nga të fortët e Tropojës, për shkak të lidhjeve të ngushta që ai kishte pasur me ish-shefin e komisariatit të këtij rrethi, Fatmir Haklaj. Ai gjithashtu njihej si një nga mbështetësit e së majtës në periudhën e trazirave. Sipas policisë Bekim Dauti, ditën e atentatit ndaj Metalisë ka drejtuar autoveturën nga ku hapën zjarr vëllezërit Breçani.  Mësohet se Dauti do të akuzohet si pjesëmarrës në vrasje dhe jo si autor i saj. Breçanët dyshohet se e ekzekutuan për gjakmarrje Metalin, pasi vëllezërit e tij u akuzuan për vrasjen e ish- policit, Tahir Breçani, në vitin 2005. Një vit më parë, Astrit Breçani u kap me automatik teksa ndiqte për të vrarë Metalinë. Por policia parandaloi vrasjen dhe arrestoi Astrit Breçanin, i cili më pas u la nga gjykata në arrest shtëpie.

Rrahu policin, arrestohet
TROPOJE - Rrahën dhe i dëmtuan mjetin policit të objektit, arrestohet njëri nga vëllezërit Biberaj në Dragobi. Policia e Tropojës bëri të ditur se arrestuan dje Asllan Biberaj, 35 vjeç. Ai të hënën e kaluar, bashkë me vëllanë e tij Tahirin (në kërkim) rrahën dhe pas dëmtuan autoveturën private të Alfred Metalisë, po nga fshati Dragobi.