Tiranë- Gjykata e Tiranës ka dënuar dje me burgim të përjetshëm në mungesë Hamdi Haklajn, i akuzuar për tre vrasje të ndodhura në Tropojë në vitet 1993 dhe 1998. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Gerd Hoxha, i cili ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për shpalljen fajtor të të pandehurit Hamdi Haklaj dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm, për vrasjen e vëllezërve Guxim e Besim Dema si dhe shtetasit Halil Hoxha. Po ashtu, i mbiquajturi “i fundmi i Haklajve” është shpallur fajtor edhe për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Procesi i nisur gati tre vjet të shkuara, ka mundur të përfundojë vetëm dje në Gjykatën e Shkallës së Parë, pas ribashkimit të çështjeve në vitin 2009 dhe shpalljes së vendimit ditën e djeshme. Një seancë më parë Prokuroria kërkoi të njëjtën masë dënimi për 70-vjeçarin Haklaj, i cili prej më shumë se katër vitesh ndodhet në Suedi, ku ka mundur të fitojë edhe të drejtën e qëndrimit, pavarësisht akuzave dhe dënimeve të marra në Shqipëri. Sipas akt-akuzës së Prokurorisë, e cila është pranuar edhe nga Gjykata pas një hetimi gjyqësor që ka zgjatur që prej gushtit të vitit 2008, pas më shumë se 59 seancave gjyqësore në mungesë të të pandehurit, Gjykata ka shpallur fajtor të pandehurin, duke e dënuar me burgim të përjetshëm për tre vrasje, ndërkohë, Prokuroria e Tropojës ka dërguar drejt Suedisë një tjetër procedim penal ndaj Haklajt, për të paktën dy vrasje që dyshohet të jenë kryer prej ti. Sipas vendimit të Gjykatës, të bazuar mbi provat e Prokurorisë dhe dëshmitarët e dëgjuar gjatë procesit, Hamdi Haklaj akuzohet se më 7 gusht të vitit 1993 ka vrarë me armë zjarri vëllezërit Guxim e Besim Dema. Ngjarja ka ndodhur për motive banale, pasi Prokuroria ka argumentuar se gjithçka ka nisur pas një zënke në një vend të shenjtë në malin e Shkëlzenit. Fillimisht ka qenë Besim Dema, i cili ka nisur të konfliktohet me Shkëlqim Haklajn, i vrarë disa vite pas kësaj ngjarjeje. Dëshmitarët kanë treguar se Shkëlqim Haklaj është afruar në vendin ku qëndronin vëllezërit Dema dhe familjarë të tyre, duke i ngacmuar ata. Si pasojë e këtyre shqetësimeve, Besim Dema është konfrontuar fizikisht me Shkëlqim Haklajn, dhe menjëherë ka ndërhyrë Hamdi Haklaj, i cili ka qëlluar ndaj njërit prej vëllezërve Dema, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në përpjekje për të mbrojtur vëllanë e tij, Guxim Dema ka tentuar të qëllojë Hamdi Haklajn, por ky i fundit ka mundur të qëllojë edhe vëllanë tjetër me pistoletë, duke u shkaktuar kështu vdekjen dy vëllezërve Dema. Pas kësaj ngjarjeje të ndodhur në vitin 1993, Hamdi Haklaj ka qëndruar i fshehur për t’iu shmangur kështu ndonjë gjakmarrjeje të mundshme me familjen Dema, deri pas trazirave të viti 1997, kur ai nisi të rishfaqej sërish. Dhe vetëm një vit më vonë, sipas akuzës, Hamdi Haklaj bëhet protagonist i një tjetër vrasjeje, kur në shkurt të vitit 1998 vret Halil Hoxhën. Sipas hetimeve të Prokurorisë, rezulton se Hoxha është vrarë pranë banesës së tij në qytetin e Bajram Currit, pasi Hamdi Haklaj dyshonte se një pjesëtar i familjes së tij ishte përfshirë në vrasjen e të vëllait, Shkëlqimit. Menjëherë pas këtij krimi, Hamdiu, i cili është i vetmi i mbetur gjallë nga vëllezërit e tij, ka mundur t’i fshihet drejtësisë, për t’u larguar pak vite më vonë drejt Suedisë, ku ka mundur të marrë edhe azilin.