MOIKOM ZEQO 

Meqenëse nuk ka dhe nuk duhet të ketë politikë të vërtetë pa dituri, meqenëse politika shqiptare, e brishtë dhe e zhurmshme, spikat për mungesën e ideve, meqenëse formimi politik i politikanëve lë shumë për të dëshiruar në Shqipëri, meqenëse ka një politikanizim të skajshëm, primitiv, ekzibizonist të vetë nocionit të politikës, është e domosdoshme që të shtjellojmë në rrafsh krahasimtar idetë e mjeshtrave të mëdhenj të analizës, të dijetarëve që besojnë tek politika shkencore dhe e drejtë, që kritikojnë deformimin e ideve politike, duke shpresuar kështu në krijimin e një qytetërimi me të vërtetë demokratik. Ky akt diskutimi dhe informimi, është diçka më shumë se sa të ashtuquajturat “opinione politike” që bëjnë kërdinë në mediat e sotme. Me ndonjë përjashtim, mund të them se opinionistët nuk kuptojnë në përgjithësi thelbin e dukurive politike, bëjnë personalizime të çuditshme, si edhe një karshillëk, ose kriticizëm të bujshëm, formal ndaj emrave të politikanëve kryesorë, qoftë të atyre në pushtet, qoftë të opozitës.

***
Maks Veberi (Weber) është konsideruar një nga idesjellësit më të rëndësishëm në politikë. Kush është Maks Veberi? Ai lindi në 21 prill 1864 në Erfurt të Gjermanisë, vdiq nga pneumonia në 14 qershor 1920 në Munih. Ai konsiderohet klasik i madh i sociologjisë, themelues i “sociologjisë së kuptueshme”, kundër vulgarizimit të sociologjisë politike dhe të qasjes drejt së vërtetës shkencore. Ka qenë jurist, filozof, por më së shumti, sociolog. Profesor në Berlin në 1893, Frajburg në 1894, Hajdelberg 1897 dhe Munih 1919. Si një nga sociologët më të mëdhenj të kohërave, ai niset nga rrafshi shumëdimensional i kulturës. Ai bën dallimin e rëndësishëm, që dukuritë natyrore përsëriten, sepse janë të determinuara nga ligje të përjetshme, kurse dukuritë kulturore në thelbin e tyre janë të papërsëritshëm dhe gjithmonë janë të lidhura me qëllimet njerëzore, pra edhe politike. Në dukuritë kulturore, Veberi vë theksin në lidhjet e menduara dhe në kuptimin e tërësive të mëdha. Maks Veber përdor metodën e të ashtuquajturve “tipa idealë”, domethënë të tipave të tillë historikë, për fat të keq, tepër të rrallë, por tipologjikë, që me të sjellurit kulturor dhe vlerësor të tyre, lidhen tendencat zhvillimore, të situatës, apo të situatave të caktuara historike. Këta mund të jenë edhe politikanë të mëdhenj.
***
Veberi mendon se zhvillimi shoqëror të çon në supermacinë e të menduarit racional dhe kështu braktisen dalëngadalë ndikimet e sforcuara edhe të të ashtuquajturit “njeri ekonomik”, por edhe “politik”. Në ndikimin e përhapjes së racionalizmit tejet të madh, të teknologjizmit, bota e humbet mahnitjen e vet poetike dhe mitike të shpjegimit të dukurive shkencore. Maks Veberi e kritikon shkollën sociologjike të Ougust Kontit, që shpreson në të nxjerrurin shkathtësi sociale, praktike nga “sociologjia e gatshme”. Për Veberin, çdo gjë është e lëvizshme, por jo pa parime. Autonomia morale, konsideron Veberi, është përgjithësisht edhe mbi shkencën. Duke refuzuar të kundërshtuarit klasik të moralit publik ndaj atij privat, Veberi e konsideron të rëndësishëm faktin se “për nga funksioni që kryejnë në familje, në punë, në miqësi, në dashuri (erotikë) etj., ligjet morale dallohen materialisht. Ndaj secili duhet me guxim të përpiqet, që nga pozita në të cilën gjendet, të zgjidhë në thëniet e veta të brendshme. Maks Veberi njihet pak në Shqipëri. Për fatin e mirë, kohët e fundit janë botuar disa shkrime të Veberit, ku spikat kryevepra e tij “Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit”. Kjo kryevepër është përkthyer në shqip, jo vetëm në kuptimin terminologjik, por edhe në atë gjuhësor të shqipes. Ky përkthim dallon nga shumë përkthime të një niveli shumë të dëshirueshëm dhe madje skandaloz të veprave të disa filozofëve të mëdhenj në Shqipëri. Kjo kryevepër është konsideruar si një nga l20 librat më të rëndësishëm të shek. XX. Për herë të parë, Maks Veberi në këtë libër kërkon një ekzegjezë të lindjes së kapitalizmit për herë të parë në Evropë dhe në Amerikë, duke krijuar një dallim historik se lindja e këtij rendi ndodhi pikërisht në Perëndim (Oksident), dhe nuk mund të ndodhte për shumë kushte të ndryshme në Lindje (Orient). Veberi është kundër një soditje të pastër ekonomike të historisë, por as për një strukturë të thjeshtë spiritualiste të historisë. Duke studiuar Protestantizmin (shek. XVI) Veberi përcakton një optikë ideologjike për prejardhjen e rendit të ri që shkëputet nga idealizmi mesjetar. Para Veberit, ka patur studiues që e shihnin “diasporën kalviniste” si gjenezë të rendit borgjez. Veberi e universalizon këtë tezë në një rrafsh gjithë përfshirës, duke u mbështetur edhe në veprat e dijetarit Richard Bacter (1615-1691). Veberi flet për krijimin e kushteve etike të harmonizimit të një “ekonomizimi” me drejtim shekullar. Lujo Bertrano, i kundërshton tezat principale të Veberit. Po kështu edhe Verner Sombart. Por studiuesit e mëvonshëm e kanë mbështetur analizën verberiane. Sensi profan i doktrinës protestante çoi në zhvillimin e sipërmarrjeve, profesioneve, kapitalit. Veberi bën lidhje me traditën gjermane të protestanizmit, me doktrinën anglikane, si edhe me traditën e jansenistëve francezë dhe mendimtarëve të Port-Royal-it dhe të veprës së Blez Paskalit. Tek dijetari i Rilindjes Evropiane, Leon Batista Albertit, Veberi shihte një pararendës të Beniamin Franklinit, sidomos ky i fundit qe një vërtetim i trajtimit modern të utilitarizmit si dhe të “zellit në biznes” sipas rregullave në rrafsh të protestantizmit si etikë të kapitalit evropian dhe amerikan.

***
Nuk është e rastit që një tjetër filozof i madh Karl Jaspers (1883-1969), e vlerëson kështu Veberin: “Pyetja qendrore e Veberit, me të cilën mund të lidhen të tëra hulumtimet e tij sociologjike në fushën e fesë është: Përse kemi ne në Oksident për herë të parë kapitalizëm? Kjo është një pyetje që me sens shumë të rëndësishëm kërkon të kuptojë ekzistencën e tashme ... Ai (Veberi) kërkoi përtej aspektit (fetar të formësimit) që të gjejë të gjitha marrëdhëniet e dallueshme, pa absolutizuar asnjë prej tyre. Sociologjia e tij donte ta paraqiste këtë sistem tërësisht të ngatërruar me marrëdhëniet shkakore. Kështu iu drejtua ai tërësisë së ekzistencës njerëzore, duke qenë në vetvete tërësisht universal në vëzhgimin e tij. Ky vëzhgim paraqet një bashkim kurrë më parë të tillë të historisë me sistematikën e hulumtimit”. Përtej rolit të tij si historian dhe shpjegues epokash, Maks Veberi ka lënë dëshmi dhe ide të mëdha për politikën. Ai ngrihet kundër vulgarizimit politik. Ai është për politikën e madhe dhe jo për politikën e vogël. Ai është i pari në literaturën evropiane, që thekson dallimin midis politikanëve dhe administratës. Ai shkruan se ka ndryshim midis tipit të politikanit dhe të nëpunësit: “Ndryshimi qëndron në llojin e përgjegjësisë së njërit dhe të tjetrit. Dhe prej këtej, përcaktohet në masë të madhe edhe lloji i kërkesave për paraqitjen për secilën prej tyre. Një nëpunës, që merr një urdhër, sipas mendimit të tij, një urdhër të gabuar, mund dhe duhet të paraqesë kundërshtime. Nëse eprori i tij ngulmon në udhëzimin e dhënë, nëpunësi e ka për detyrë ta zbatojë urdhrin, por në këtë rast, vërejtjet e tij mund të jenë më të rëndësishme. Nëse nëpunësi nuk arrin t’i thotë eprorit të tij (qoftë ky edhe monark, ose demos), nëse ai nuk jep edhe dorëheqje, atëherë ai është një “kërmill i mjerë”, siç e ka pagëzuar Bismarku këtë tip”. Veberi thotë: “Qeveria duhet të qëndrojë mbi partitë”. Mbi partitë, do të thotë në të vërtetë që nëpunësi është jashtë luftës për pushtet”. Veberi vlerëson kështu epërsitë e specialistëve sidomos në detajimin e programeve të suksesshëm politike, ndonëse e pranon se objektivat politikë i takojnë politikanëve. Pa një ndërthurje të drejtë midis këtyre kategorive, nuk mund të ketë politikë të suksesshme.
Për Veberin, është e qartë se çdo polemikë politike, është njëkohësisht edhe luftë për pushtet. Kush bën politikë, synon pushtetin. Pushtet, ose si mjet në shërbim të synimeve të tjera (me ideale, ose egoiste), ose pushtet në vetvete: për të shijuar ndjenjën e prestigjit që të jep ai. Kush nuk kërkon pushtet, kush e konsideron atë si një gjë të pandershme, nuk bën politikë. Nuk duhet harruar asnjëherë se politika bëhet nga njerëzit dhe se njerëzit nuk bëjnë dot pa etjen për t’u dukur dhe pa vanitetin. Eshtë e vërtetë që Veberi shprehet haptazi: “Të gjitha betejat partiake nuk janë thjesht beteja për qëllime objektive, por para së gjithash, për post”. Ky mendim, duhet revizionuar, politika i ka edhe qëllimet objektive. Veberi thotë se përpjekja për pushtet në vetvete, nuk është politikë, aq sa mund të jetë politikë lajmërimi për një botë më të mirë. Ka dy mëkate të rënda në fushën e politikës: mungesa e objektivitetit dhe shpesh mungesa e përgjegjësisë. Vaniteti - nevoja sa për t’u dukur sa më shumë në plan të parë, është tundimi më i madh për politikanin, që çon në rënien e tij në mëkatet e mësipërme. Kush bën politikë, ushtrohet çdo ditë në vanitet, sidomos në politikën e televizionit, shumë më tepër se në kohën e Veberit. Por Veberi shton: “Nga vanitozët, nuk mund të pritet asnjë lloj politike afatgjatë. Mungesë objektiviteti, lidhet me ndriçimin vezullues të pushtetit dhe jo me pushtetin e vërtetë. Mungesa e përgjegjësisë çon në shijimin e pushtetit në vetvete, pa ndonjë qëllim të mëtejshëm. Ngaqë pushteti është një mjet i pashmangshëm dhe përpjekja për të është një nga forcat nxitëse të çdo politike, nuk ka deformim më të madh në një forcë politike sesa kapardisja dhe shitja mend me pushtetin. Veber: “Politikani i thjeshtë i pushtetit mund të ketë ndikim të fortë, por ndikon në të vërtetë në boshllëk dhe pakuptimësi”.

***
Veberi e çmon pasionin politik, por është kundër “eksitimit steril”. Politika bëhet me kokë dhe jo me pjesë të trupit ose të shpirtit. Ai thekson: “E megjithatë, përkushtimi në politikë, kur kjo nuk është një lojë intelektuale mendjelehtë, por një veprim autentik njerëzor, mund të lindë dhe të ushqehet vetëm nga pasioni. Për çdo nënshtrim të fortë të shpirtit, që karakterizon politikanin e pasionuar dhe e dallon atë nga diletanti i thjeshtë politik, i eksituar në mënyrë sterile, është i mundur në sajë të të mësuarit me distancën - në çdo kuptim të fjalës. Ky tension mes sensit të të mësuarit në distancë dhe pasionit të të angazhuarit, e bën të mundur politikën e përgjegjshme. Veberi kritikon bujën e programeve. Publikimi i programeve, sado të bukura që të jenë, nuk është ende politik. Diçka tjetër na mbetet që të mësojmë: Menaxhuesi i ftohtë dhe cinik i pushtetit që përqendron të gjitha, ose pothuaj të gjitha energjitë e tij për të qëndruar ose për të ardhur në pushtet, dhe që ia nënshtron të gjitha objektivat këtij qëllimi, saqë nuk është i qartë se çfarë idesh përfaqëson, nuk bën atë që Veberi e quan “politikë”. Kush e konsideron të mbijetuarit në çdo mënyrë, si formën reale të vetme të politikës, nuk mund t’i referohet as Maks Veberit (as Karl Poperit). Politikani, mendon Veberi, duhet të besojë në diçka që lidhet me autencitetin njerëzor dhe jo me veprimet kirurgjikale të pastudiuara, përndryshe “mallkimi i pavlefshmërisë rëndon edhe mbi sukseset politike, në dukje tepër të spikatura”.

***
Ballafaqimi i ideve të Maks Veberit me realitetin politik shqiptar, është tepër problematik. Dallimi i rolit të administratës ngatërrohet me mandatin partiak. Mandati i Njëshit të Ekzekutivit ndryshon thelbësisht nga mandati i kryetarit të partisë së shumicës. Mandati partiak lidhet me zgjerimin e elektoratit numerikisht duke paraqitur një program, që nuk aprovohet dhe nuk votohet nga pjesa tjetër e elektoratit. Që në momentin që fitohet mandati i Njëshit të Ekzekutivit, ai duhet të jetë patjetër gjithëpërfshirës, pra në një pozicion krejt të ri dhe të ndryshëm nga pozicioni i para fitores elektorale. Batërdia që bëhet në administratë, ku specialistë të shquar, zëvendësohen nga militantë, personalizimi i të gjitha pushteteve, shton përhapjen e subjektivizmit vetjak të njeriut më të pushtetshëm, gjenerojnë një situatë të ardhshme tepër problematike të politikës shqiptare. Gjithmonë kam qenë për debatin e ideve dhe për analizën e dukurive, pavarësisht emrave të njerëzve që zotërojnë aktualisht politikën shqiptare. Them se kjo është më e rëndësishme edhe për opinionin publik shqiptar.