Brenda tre vjetësh në kryeqytet do të ketë përfunduar tërësisht ndërtesa
e xhamisë së Namazgjasë. Pas shumë vitesh dhe pas shumë kërkesash më në
fund është arritur të gjendet konsensusi mes pronarit të truallit dhe
Komunitetit Mysliman.



Pavarësisht diskutimeve dhe debateve lidhur me vendin ku do të ndërtohej xhamia e re e kryeqytetit, përfshirja e politikës, apo çështje të tjera të lidhura me klasiken apo modernen, besimtarët kanë gjetur paqe. Për ta ka rëndësi ngritja e xhamisë, më pas të tjerat janë probleme minimale. Vendimi i Këshillit të Ministrave për nisjen e punimeve dhe marrëveshja me bashkinë për të sjellë një objekt kulti gjithëpërfshirës edhe për sa u takon lehtësive në komunitet plotëson kërkesat bazike të Komunitetit Mysliman për të nisur zbatimin e projektit. Trualli i Namazgjasë është 7 mijë metra katrorë gjithsej, xhamia do të jetë rreth 2500 metër katror. Kapaciteti i objektit të kultit do të jetë për të pritur rreth 5 mijë persona. Një sallë konferencash do të jetë me kapacitet për të mbajtur 400 persona. Sipas projektit të ndërtimit, brenda hapësirës së Namazgjasë është planifikuar të ndërtohet një bibliotekë me libra dhe botime të ndryshime, kombëtare dhe ndërkombëtare për të gjithë qytetin dhe jo vetëm botime të karakterit fetar. Biblioteka do të ketë një hapësirë rreth 200 metra katrorë. Projekti parashikon brenda xhamisë një qendër të plotë lehtësirash ku do të ketë restorant, çajtore, vend argëtimi për fëmijët, si dhe një qendër multifunksionale dhe kulturore, kjo për të tërhequr sa më shumë publik, vizitorë apo turistë. Brenda ambienteve të xhamisë së Namazgjasë do të gjendet edhe selia e Komunitetit Mysliman, zyrat qendrore. “Vendi se ku do të ndërtohet xhamia u parashikua të ishte Namazgjaja, pasi ky është vendi i vetëm ku komuniteti zotëron pronësi në qendër të qytetit, pas vendimit të Këshillit të Ministrave për të na dhënë truall, dhurimit prej 730 m2 nga familja Kruja, përveç 3800 metrave katrorë që i kishim tonat u mbyll edhe çështja e vendit”, tha Gazmend Aga, nënkryetar i Komunitetit Mysliman. Kështu, sipas projektit, xhamia e Namazgjasë do të jetë e stilit klasik, por edhe me elemente shqiptare. Në kompleks do të ketë revakë si xhamia e Ethem Beut, ndërkohë që selia e Komunitetit Mysliman brenda Namazgjasë do të jetë tërësisht e stilit shqiptar. Stili i godinës do të jetë duke pasur frymëzim shtëpitë e qytetit të Beratit. Mospërdorimi i mureve rrethuese është një tjetër karakteristikë e xhamive shqiptare dhe kompleksi nuk do të jetë i rrethuar, por i hapur për publikun. Ndërkohë që xhamia do të ketë stil klasik me objekt kryesor frymëzimi Xhaminë Blu në Stamboll me arkitekt Mehmet Sedefqar Aga, i lindur në Elbasan. Ai ka qenë nxënës i arkitekt Sinanit, kreu i arkitektëve të të gjithë otomanëve. Xhamia do të jetë e stilit ballkanas, ndërkohë që projektuesit janë të famshëm në të gjithë botën duke ndërtuar në Japoni, Gjermani, Turqi. “Xhamia vjen si një nevojë e domosdoshme e besimtarëve për të kryer ritet fetare si ato javore ashtu edhe ato ceremoniale. Diskutimi për ngritjen e xhamisë ka nisur që në vitin 1938. Kur Tirana kishte 50 mijë persona kishte rreth 30 xhami, ndërkohë që sot kur në Tiranë jetojnë rreth 700 mijë persona kemi vetëm 10 xhami”, sqaron Aga. Sipas tij, në mes të muajit maj nisin punimet për zbatimin e projektit të xhamisë së Namazgjasë. Buxheti total i vendosur në dispozicion për realizimin e projektit dhe ndërtimin e objektit të kultit kap shifrën e 30 milionë eurove. Pjesë e financimit do të jenë dhe shqiptarët. Pjesë për komunitetin, që do të përfshijë ndërtesa madhështore do të jetë parkingu nëntokësor dhe hapësira e gjelbër. Pemët që do të mbillen te Namazgjaja do të jenë selvitë, si dhe do të ketë edhe një kopsht trëndafilash. Trëndafili simbolizon personazhin e Profetit Muhamed. Parashikohen të mbillen rreth 40 selvi dhe dhjetëra pemë me vazo. Do të ketë një muze islam dhe kulturor. Minaret do të jenë 50 metra të larta, ndërsa kubeja 30 metër. Brenda është parashikuar të ndërtohet edhe një shatërvan. Gjithçka do të realizohet nën kujdesin e studio “Hassa” me arkitekt Muharrem Hilmi Senalp. Stil alla Sulltan Sulejman apo ndërtesë moderne? Debati në të cilin u përfshi xhamia e Namazgjasë, ishte dhe stili i ndërtimit. Një pjesë e besimtarëve ishin të mendimit se xhamia duhet të jetë moderne, t’i përshtatet kohës, të jetë risi, sepse ndërtohet në vitin 2013. Sipas tyre, te kjo ndërtesë duhet të gjenin veten besimtarët, qytetarët, por edhe të gjithë shqiptarët. Modernët diskutonin se nuk është e nevojshme që një xhami e bukur të jetë me domosdo në stilin e Sulltan Sulejmanit, duke çelur thuajse të njëjtin debat si në Turqi, por gjysma tjetër e besimtarëve diskutonte se xhamia duhet të përmbushë kërkesat e besimtarëve. Në një qytet me mijëra banorë, është e nevojshme që të ndërtohet objekti i kultit, pavarësisht stilit. Xhamia e stilit të pashallëkut apo moderne duhet t’u shërbejë besimtarëve dhe të jetë në funksion të tyre, më pas të përmbushë kërkesat e kohës, modës, të kënaqë shijet e shumicës. Xhamitë moderne nga njëra anë nuk i përshtaten stilit shqiptar, xhamia duhet të jetë klasike, duhet t’i përshtatet vendit, por xhamia mund të jetë edhe një shtëpi e marrë me qira në katin e dytë të një pallati. Objekti i kultit mund të ketë minare, por falja mund të dëgjohet lart dhe larg nëse vendoset një megafon njësoj sikur godina të kishte minare. Besimtarët myslimanë kërkojnë dhe madje kanë nisur diskutime për ngritjen dhe ndërtimin e një xhamie tjetër në kryeqytet, madje mund të jenë edhe dy. Mund të jetë në njësinë bashkiake numër 9, në Paskuqan, por edhe në Kombinat. Por asnjëra prej tyre nuk do të diskutohet kaq gjatë dhe nuk do të përfshijë në vorbullën e debatit, besimtarët, politikën, komunitetin dhe qytetarët. Xhamia e Namazgjasë do të jetë simotra e Xhamisë Blu në Stamboll e përzier me elemente shqiptare, me arkitekturë klasike, por mendësi moderne, pasi aty do të shërbehet çaj, do të mund të drekohet dhe qytetarët do të mund edhe të parkojnë në ambientin nëntokësor, i pari i këtij lloji… Gazeta "Shqip"