arta marku

Xhevdet Ferri,
    duket i
    kënaqur me
    jetën tij. Gjith
    ashtu i këna-qur me gratë e jetës së tij. Me gruan dhe vajzën, sigurisht, me kë tjetër. Që janë të bukura, kjo është një gjë që duket. (E një burrë s’mund të mos e vlerësojë imazhin e përkryer të një gruaje, qoftë kjo bashkëshortja qoftë e bija që më së shumti e bën të ndihet krenar). Nuk rezulton aspak të jetë i velur me çfarë i shfaqet syve, çdo ditë, prej 25 vjetësh. Përkundrazi, e vlerëson, çfarë fati i ka dhënë. Në përgjithësi, vëren me kënaqësi që koha ka qenë në favorin e lidhjes së tyre. S’ka gjë se para se të njihej me të shoqen, nëse do ta pyesnin: a do të zgjedhësh për grua një aktore? Do të përgjigjej pa hezitim: kurrë. E megjithatë ka qenë me fat. Është i bindur, bilanci që bën ia përforcon bindjen.
Por pse të mos e ketë këtë bindje? Ekuilibra familjarë të vendosur, pra familje e fortë, gruaja është e duhura, vajza është idealja. Pasioni i fillimit u zëvendësua me më të mirën, me projektin, motivin. A ka projekt dhe motiv më të mirë se mirërritja e një fëmije? Dhe mandej shpërblimi i përpjekjeve? Sigurisht jo, kur bëhet fjalë për një familje, për një çift bashkëshortësh. Dhe Xhevdet Ferrit i pëlqen të këmbëngulë te projekti më i rëndësishëm i jetës së tij në çift, projekti në çdo pikë të të cilit, burrë e grua qenë absolutisht dakord, mbi të gjitha projekti me një rezultat shpërblyes.
Është një burrë tradicional. A mos ndoshta një aktor përfytyrohet ndryshe? Sidoqoftë, te Ferri s’mund të mos zbulosh tradicionalizëm. Ai vetë e pranon, dhe s’do as t’a ndryshojë një gjë të tillë. Ka pasur fat, se tradicionale ka rezultuar të jetë edhe e shoqja. Sepse, kur ishte fjala që njëri prej të dyve, burri apo gruaja, duhej të sakrifikonte karrierën për hir të familjes, sigurisht që theror u bë gruaja. Edhe mund të ishte gjetur një zgjidhje e mesme, që të sakrifikonin me radhë. Por ja që ky është tradicionalizmi i Xhevdet Ferrit. Ama edhe e shoqja e pranoi që sakrifica të ishte e saj, pa pengje, duke e shijuar madje sakrificën e saj, përkushtimin ndaj familjes, shtëpisë, burrit vajzës. Dhe sërish Xhevdet Ferri është tradicional, sepse është burri që gruas i jep mbiemrin e vet... Ka të ngjarë që edhe e shoqja, në mendjen e vet të mos ketë pasur model tjetër.
Por ka edhe devijime nga modeli i ngurtë i burrit tradicional. Sepse, me ç’thotë, është natyrë familjare, i pëlqen shtëpia dhe foleja e ngrohtë. Sakaq i ka dhënë gruas jo pak pushtet në familje. Kurse kjo nga ana e saj, ka ditur mirë ta përdorë pushtetin, duke ia justifikuar besimin burrit. E nga ana tjetër i ka krijuar mjedisin e duhur që ai të ndihet mirë, në shtëpi e familje... Po tjetër? Xhevdet Ferri rrëfen detaje të mëtejshme, për jetën në çift, për familjen, shtëpinë, e mbi të gjitha gruan... Rozetën elegante dhe të brishtë, së paku në pamje...

Ç’është gruaja për ju?
Ç’është gruaja?! (pyetja e gjen të papërgatitur. Ndoshta s’e ka vrarë ndonjëherë mendjen për të artikuluar një postulat. Epo cili burrë do ta ketë vrarë, ende pa iu dashur ta bëjë formulimin? Ndaj edhe Xhevdet Ferrit i duhet të mendohet)... Kjo botë është e ndërtuar me një mashkull dhe një femër. Kjo qoftë në aspektin religjioz, filozofik, sociologjik, poetik... Larg qoftë ta kishin ndërtuar me dy meshkuj. (Duket shumë serioz teksa e thotë, pa e vrarë mendjen se mund të cenojë ndonjë kategori shoqërore). E meqë është kështu, atëherë femra është gjysma e botës. Madje gjysma më e rëndësishme e saj.
Pse?
Për aftësinë riprodhuese që ka.
E bukur apo e mençur? Cila prej të dyjave, sipas jush, është e para në radhë, kur bëhet fjalë për gruan?
Gruaja më e talentuar në botë, më e mençur në botë... për mua zhvlerësohet, nëse nuk është e bukur.
Kjo do të thotë se bukuria ishte e para që i’u tërhoqi drejt Rozetës?
Në të vërtetë, kur ne u njohëm, Rozeta ishte vajza më e bukur e shkollës. Është ende sot. Dhe mendoj se nëse nuk do të kishte qenë e bukur, nuk do ta kisha zgjedhur assesi. Por lidhja jonë është shumë komplekse, gjithashtu e çuditshme.
Çfarë e bën të çuditshme.
Qoftë unë, qoftë Rozeta, kur u nisëm drejt auditorit, pasi kishim zgjedhur të bëheshim aktorë, kishim marrë një vendim: me aktorë s’do të plekseshim, në asnjë mënyrë...
Me siguri për shkak të angazhimin dhe përkushtimit që ky profesion kërkon e që i detyron aktorët që, njëfarësoj, të lenë pas dore familjen. Apo jo?
Jo, jo. Pikërisht këtu qëndron çudia, absurdi. Ne para-gjykonim njerëzit e racës tonë, të të njëjtit profesion, për paradoks, si njerëz jo shumë të përshtatshëm për të krijuar familje me ta. Sigurisht veten tonë e përjashtonim (qesh). Pastaj, ky mendim na u përmbys. Na u përmbysën shumë koncepte, mendime, betime.
Konkretisht.
Ne ishim shumë të rinj, kur u njohëm, 20 -vjeçarë. Përveç betimit që i kishim bërë vetes për të mos u martuar me aktorë, nuk preferonim ta krijonim familjen aq herët. Mendim i përmbysur edhe ky... dhe për një vit fituam Borën.
Sa lidhje ka Rozeta, në tërësinë e saj me imazhin virtual, apo modelin e gruas që ju kishit në kokë para se ta zgjidhnit atë?
Nuk kam pasur model. As në profesion s’kam ecur bazuar në modele. Veç, në mos, im atë. Po, ai ka qenë modeli im i vetëm në jetë. (Dukat qartë pasioni me të cilin Ferri flet për të atin, edhe pse tema e bisedës e përjashton, ai flet gjatë). Madje mund të them se komplimenti më i mirë që kam marrë ndonjëherë, dhe të cilin e kam vlerësuar dhe ngulitur mirë në memorie është: sa i ngjan tët eti.
Po nëna si model? A ka ndikuar figura e saj në zgjedhjen e gruas?
Jo jo, ime më s’ishte model për mua. Dhe Rozeta nuk ka asgjë të ngjashme më nënën time.
Bukuria ishte joshja e parë drejt Rozetës: Çfarë zbuluat më pas?
Ajo është tip social. Një tipar të cilin ia vlerësoj shumë, i cili edhe mua, një natyrë dikur shumë e mbyllur, më ka bërë mirë. Por Zeta është edhe një nikoqire e jashtëzakonshme, një grua me shumë shije që i jep gjithçkaje, një prekje delikate.
Thatë më sipër: e bukur, vazhdon të jetë. A do të kishit pasur ndonjë ndjesi pendese nëse gruaja juaj s’do ta kishte ruajtur sharmin, elegancën, pamjen rinore...?
E vërteta është se ajo kujdeset për veten. Gjithnjë është kujdesur. Po. E kam privilegjin që gruaja ime s’ka ndryshuar, teksa unë kam ndryshuar shumë. Por, më shumë se mua kjo gjë i bën nder asaj. Dhe nuk besoj se e bën që të më joshë mua. Fundja kjo është Zeta. Dhe mua më pëlqen që është kështu.
Epo tani mesa duket peshorja anon nga ajo, në disfavorin tuaj. Nostalgji për kohën e barazisë?
Koha e barazisë!? (I shmanget bisedës sa herë flitet për imazhin e tij që mendohet të ketë qenë vite më parë, tërheqës për syrin femëror). Më kujtohet, kur sapo ishim fejuar, shkoj në Vlorë të takoj Rozetën. Atje, Liza Laska më drejtohet: “I mirë je ti, por ne e kemi vajzën edhe më të mirë”. Kështu mendonte. Kurse unë e ktheva në favorin tim: “E çfarë pastaj – i thashë- i fituari jam unë’.
Ndryshimet janë të pashmangshme, sado që të rastin e gruas tuaj jo në aspektin fizik: Si ndryshoi Rozeta, në këndvështrimin tuaj, pasi u bën nëna e vajzës tuaj?
Kurrë s’e kam dashur gruan time më shumë se sa kur ajo ishte shtatzënë. Qysh atëherë kam filluar të mendoj se silueta e gruas në ato momente është figura më e bukur në botë. Deformimi, kilet e tepërta, nuk llogariten aspak. Nuk kanë rëndësi.
Baba i një vajze. Po të kishit mundur të zgjidhnit, si do të ishte? A e keni ëndërruar djalin?
Për mua kjo s’kishte rëndësi. Zeta po. Ajo, bashkë me tim vëlla, ishte bërë gati të festonte mbërritjen e djalit. U zhgënjye pak, por kaloi shpejt, pasi ishte e bindur që fëmija tjetër do të ishte djalë.
Dhe?!
Dhe nuk e realizoi dëshirën, sado të madhe që e kishte. Nuk ramë dakord në këtë pikë. Unë s’doja fëmijë të dytë. E kisha krijuar familjen time tashmë. Më mjaftonte. Pastaj, kur Bora lindi ishte viti 1985, kulmi i krizës ekonomike në Shqipëri. Nuk e konceptoja dot që të mund të rrisja një fëmijë të dytë, teksa do ti mungonin shumë gjëra. Edhe pse Rozeta nuk mendonte kështu, unë nuk tolerova. Fundja, jemi të lumtur me vajzën tonë të vetme.
Nëna, gruaja, vajza. Si do ti përcaktoni me pak fjalë tri gratë e jetës suaj?
Kam qenë fatlum me të tria.
Pushteti në shtëpinë tuaj është femëror apo mashkullor? Kush e thotë fjalën e fundit për vendime që duhen marrë? Kush e mban portofolin?
Portofolin e mban Zeta. Vendimet i marrim bashkërisht.
Edhe kur është fjalë për të zgjedhur mobiliet e reja? Edhe kur është fjalë për vendin ku do të bëhen pushimet?
Për mobilimin e të tjera të kësaj natyre Zeta ka avantazh. Ka shije të mirë. Por është e penalizuar, si dhe Bora, kur bëhet fjalë për pushimet. Mua s’më pëlqejnë udhëtimet, i kam gati fobi hotelet dhe restorantet. Dhe dalim rrallë nga shtëpia. Ato kanë rënë dakort me të qenit të penalizuara në këtë rast.
Me çfarë e kompensoni?
Kam një shtëpi shumë të mirë, me një oborr të bukur. Ftojmë miq, unë merrem me barbekynë, bëjmë ndonjë peshk të zgarës, pak verë... në oborrin tonë.
Kalojmë te portofoli: është një pushtet që s’iu intereson dhe e keni lënë me dëshirë, apo Rozeta e ka fituar?
Duke i dhënë portofolin, me të vërtetë i kam dhënë pushtetin ekonomik. Ama i kam dhënë edhe përgjegjësinë. Kurse Rozeta e mban mirë këtë përgjegjësi.
Ajo nuk ia shkel me paratë?
Si çdo grua. Por është e logjikshme gjithsesi.
Sa i vëmendshëm jeni ndaj tekave femërore? Le të themi: a dini të bëni dhurata?
Aspak. Kur Rozeta ka ditëlindjen Bora (Në këtë pikë të bisedës Bora është pashmangshmërisht e pranishme. Sepse, Xhevdet Ferri, në këtë rast, mesa duket ka shumë nevojë për të bijën), më kujton gjithnjë, paraprakisht dhe më orienton. Kur është larg më telefonon. Kur është në Tiranë, është më e thjeshtë. Mua më duhet të përgjigjem thjesht për anën financiare.
Por, ç’bëhej kur Bora ishte e vogël, s’iu kujtonte dot, s’iu sugjeronte dot...?
Eee, jo. Atëherë s’bëja dhurata.
Funksiononte?! Asnjë reagim nga gruaja juaj?!
Po, reagime kishte. Kam parë edhe lot në sytë e saj, kur nuk kam shkuar me dhuratë për ditëlindje. Ose kur kam shkuar me dhuratën që për të s’ishte e menduar mirë.
Mesa kuptoj, dhuratat për ju kanë gjithnjë lidhje me ditëlindjen.
Në përgjithësi kam marrëdhënie shumë të keqe me dyqanin. Edhe kur jam në udhëtime jashtë shtetit, e urrej të futem në djuti fri. Sigurisht e bëj kur marr ndonjë porosi. Përpiqem ta kryej.
Epo, pse s’keni bërë asnjë përpjekje për të ndryshuar diçka? Egoizëm mashkullor që pret të pranohet?
Ka ndryshuar diçka. Të gjithë jemi tërhequr nga pozicionet e para. (Ka të ngjarë që kjo shprehje të jetë gjysmë e vërtetë. Më shumë e mundur është që burri, të ketë bërë një lëvizje minimale. Gruaja duhet të ketë pranuar, më në fund pa kushte. Epo ç’ti bësh një burri që s’di të bëjë dhurata. Kështu është ai). E kështu janë vënë gjërat në vend. Të mos harrojmë kemi bashkë 25 vjet, është çerek shekulli.
Miqtë më të mirë sipas jush, janë gratë apo burrat?
Miqtë e mirë janë njerëzit e mirë. Qofshin burra apo gra. Por gjithsesi, unë nuk jam shumë natyrë sociale. Jam shumë i lidhur me familjen time, shijoj shumë shtëpinë time.
Thonë që shekulli XXI është i grave...
Nëse do të flas për familjen time do të them: po, është shekulli i grave të familjes sime. 25 vjet më parë, Zeta, hoqi dorë nga karriera, për t’iu kushtuar familjes, shtëpisë, vajzës...
E përmendët edhe më lart. Jen burri tradicional shqiptar?
Po, jam tradicional. Por unë nuk isha kundër që gruaja ime të bënte karrierë. Problemi ishte që njëri prej nesh duhej të sakrifikonte. E meqë jam tradicional, e meqë edhe Zeta është tradicionale gjithashtu, e sakrifikoi ajo karrierën. Tashmë familja, shtëpia i ka pikat mbi “i”. Vajza është rritur s’ka më aq nevojë për të ëmën. Ndaj edhe Zeta ka filluar projektet e saj profesionale. Për herë të parë ajo tani, por merret me një projekt shumë serioz. E ndërkaq ka gjithë mbështetjen time dhe të vajzës. Do të ishte e pafalshme, nëse nuk do ta mbështesja.
Ligji i kompensimit?
Jo, nuk më pëlqen kjo fjalë. Nuk është thjesht një shlyerje borxhi. Është një rezultat natyral. Është një cikël i logjikshëm.
Dakord, shekulli XXI është i Zetës. A e përfshini Borën në të njëjtën logjikë?
Në moshën në të cilën Bora është sot, e ëma ka qenë me fëmijë. Porse Bora është tërësisht e përkushtuar ndaj karrierës. Po merret me masterin në Gjenevë... e pra duket se shekulli i XXI është edhe i time bije.
Me siguri, meqë bëhet fjalë për vajzën jeni edhe më tolerant. Ju pëlqen që është shekulli i saj?
(mendohet) Nganjëherë i bëj pyetje vetes: karriera mirë, në këtë shekull të XXI, por kur do të bëhet nënë? S’i do ta balancojë ajo karrierën me familjen? Në projektet e saj ende nuk duket të jetë familja.
Po çfarë, po mendoni të kompensoni mungesën e një djali me një nip?
Jo, jo. Thjesht dua të shoh fëmijën tim të kompletuar. Dhe mendoj se familja është një gjë e rëndësishme në jetën e një njeriu.
A mund të imagjinoni pak dhëndrin tuaj të ardhshëm?.
E paimagjinueshme. (qesh) E vështirë të përfytyroj një njeri të denjë për vajzën që e kam rritur unë. (Nuk është posesiv, aspak. Përkundrazi, është tipi i babait që dorëzohet para të bijës, i babait që s’ka asgjë të krahasueshme në jetë më fëmijën... Duket sa herë përmend emrin e saj)...

rozeta

Një hapësirë të shtëpisë së saj, në katin e parë të një vile që bie që larg në sy, në rrugën Hoxha Tahsim, e ka shndërruar në zyrë. S’ka bërë gjë tjetër veçse ka zbritur disa këmbë shkallë nga banesa, për tu ulur para kompjuterit në skrivaninë e zyrës. E megjithatë duket qartë që pamjes i ka kushtuar vëmendjen e zakonshme. Në fakt është një luk stil sekretareje, me një sarafan të zi dhe këmishë të bardhë, tepër sportive. Ama, dy elemente, dy të vetme, e shndërrojnë në një grua me sharm. Një shall, rozë e zbehtë, (e ka një kombimin edhe pse në momentin e parë nuk duket, llakun e thonjve, gjithashtu rozë) kapur me një karficë dhe këpucët. Këpucët tepër elegante dhe me taka të larta. Është Rozeta Ferri. Pikërisht gruaja me shije të spikatur, ata që e njohin e dinë mirë këtë. Por, përtej siluetës që shumëkush nga moshataret e saj ia ka zili, dallohet edhe nga do detaje të tjera, të cilat, i shoqi (ka të ngjarë që jo vetëm) ia përmbledh me një fjalë të vetme, tepër të gjetur: delikatesa. Dhe me të vërtetë, s’ka nevojë të kapërcesh pragun e shtëpisë, e të gjurmosh hapësirën private, për t’i njohur. Aspak. Edhe në mjedisin  punës, ato e kanë rrethuar. Dhe e dini për çfarë është fjala? Epo ja: në një cep të tryezës së madhe të punës që zotëron pjesën kryesore të hapësirës, një tryezë mbledhjesh, një vazo kristali me lule. Nuk është tufa tipike që mund të blihet në dyqanin e parë të luleve që mund të hasësh. Rozeta ka bërë një zgjedhje interesante: ka këputur disa degë delikate nga pemët e oborrit të saj, disa degë të holla e të gjata, me gjethe gjatoshe të gjelbra. Të vendosura në vazon transparente, shpërndahen si currilat e një shatërvani. Pastaj, filxhanët e kafes, me forma moderne, diçka midis të gjelbrës dhe të kaltrës, që me siguri i ka zbritur nga kuzhina e shtëpisë një kat më lart, nuk do të ishin të Rozetës, nëse do t’i përdorte thjesht ashtu siç fabrika i ka prodhuar. I ka zgjedhur me kujdes kur i ka blerë, padyshim, por, paskëshin nevojë për t’i shtuar diçka. Një çentro të vogël, të bardhë, punuar me grep, e cila, e vendosur mbi pjatë e bën filxhanin të duket si i vendosur mbi një lule margarite. “I kam porositur”, thotë Xeta, siç e thërrasin rëndom, a thua se i vjen keq që nuk di vetë të punojë me grep. Por, ç’rëndësi ka kjo. A nuk mjafton që ideja ka qenë e saj? Artizania që ia ka punuar, thjesht ka materializuar idenë. Mandej, duhet të shëtisësh sytë rreth e rrotull, që të kuptosh se në mjedisin që Rozeta Ferri ka rregulluar, dora e saj është jo vetëm e ndjeshme, por edhe unike. Pasi, me të vërtetë, shumë gjëra që i gjen aty, ka pak gjasa ti gjesh diku tjetër. Për të bërë më të bukur mjedisin, ose për t’i hequr ftohtësinë e zyrës, ajo është menduar paksa. Mureve, pikturat janë zëvendësuar me disa gjetje simpatike. Në një kornizë të madhe, që e mbush mirë hapësirë gjithashtu të madhe, një qilim. Ngjitur me të, i paspartuar, një jelek marrë nga kushedi ç’veshje popullore. E pak më andej, një shtroje tavoline, nga ato që punojnë gratë zadrimore, gjithashtu e vënë në kornizë. Bukur, në të vërtetë. Mesa duket, Rozeta Ferri s’mund të mjaftohet që në zyrën e saj, për më tepër në një zyrë brenda shtëpisë, të jenë vetëm fotot e të bijës në faza të ndryshme të rritjes, apo fotot treshe të familjes. I shoqi, paskësh pasur më të vërtetë të drejtë, kur bënte fjalë për delikatesat që e karakterizojnë gruan e tij... Pastaj, në fund të fundit, silueta e saj, e kuruar deri në detaje, qëndron mirë pikërisht në atë hapsirë të kuruar po me as kujdes, nga e njëjta dorë.